LEZHE – Digjet makina e kryetarit të komunës së Zejmenit në rrethin e Lezhës, Arben Doçi. Ngjarja, që ndodhi pak pas mesnatës së të hënës, alarmoi policinë e këtij qarku, por më pas ngjarja rezultoi të ishte aksidentale dhe jo për shkak të detyrës së kryekomunarit Doçi. “Rreth orës 00:05, në fshatin Spiten të komunës Zejmen, në Lezhë, në oborrin e shtetasit Arben Doçi, me detyrë kryetar i kësaj komune, është djegur pjesa e përparme e mjetit tip ‘Benz 270’ me targë LE 8899 A, në pronësi të komunës Zejmen dhe në përdorim të këtij shtetasi. Nga veprimet e para dyshohet se zjarri është shkaktuar si rezultat e një shkëndije elektrike në impiant”, bëri të ditur dje Policia e Lezhës. Mësohet se për hetimin e ngjarjes kanë mbërritur edhe ekspertë nga Tirana, të cilët kanë konstatuar se nuk kemi të bëjmë me një ngjarje të qëllimshme, por me një shkëndijë elektrike, e cila më pas ka sjellë edhe djegien e mjetit. Policia bëri të ditur se është duke hetuar pa përjashtuar edhe pista të tjera hetimi, por gjithsesi, nga hetimet e deritanishme nuk rezulton se kanë të bëjnë me një akt kriminal. Kreu i komunës së Zejmenit, fillimisht ka hedhur për policinë arsyet politike, nisur nga fakti se në të njëjtën ditë ishte mandatuar për herë të dytë në krye të komunës së Zejmenit, zgjedhur nga “Aleanca për Qytetarin”. Pas ekspertizës së kryer nga specialistë të ardhur nga Tirana është konfirmuar shkëndija elektrike. Policia e Lezhës ia ka kaluar për hetimet mëtejshme materialet prokurorisë së rrethit. r.n











