Lexime vere: Nga zonja e funeraleve, te stilistja e fustaneve të nusërisë

Jul 30, 2012 | 14:31
Pushime në vilë Autore: Sophie Kinsella Përktheu: Erblina Kërçishta 248 f., 800 lekë Shtëpia Botuese DITURIA

Pasi lexuesi është njohur me Samanta Suitingun (Mbretëresha e shtëpisë), Ema Koriganin (E mban dot një të fshehtë?) apo Bekin (seria E fiksuar pas dyqaneve…), që gjithçka që shihte në vitrina donte ta blinte, përmes shtëpisë botuese “Dituria”, Sophie Kisnella sjell dy karaktere krejt të reja, jo më pak interesante e aventuriere, jo më pak komike, dhe strumbullar situatash të këndshme:
Me Flër Deksanin (Zonja e funeraleve), gruan e bukur dhe tërheqëse, por mbi të gjitha pa skrupuj. E pajisur me një gardërobë të jashtëzakonshme veshjesh të zeza elegante, e informuar nga nekrologjitë e botuara në “Times”, Flëri merr pjesë në funerale dhe përkujtimore duke pasur si qëllim të joshë vejanët e pasur të pangushëlluar. Pasi i ka joshur dhe ka futur duart në kartat e tyre të kreditit, ajo zhduket pa lënë gjurmë, të paktën derisa të ketë takuar një tjetër viktimë të re, naive. Historia përsëritet… Por kur ndesh të mërzitshmin dhe të paparashikueshmin Riçard Fejvër në përkujtimoren e gruas së tij të shtrenjtë, diçka ndryshon. Edhe një herë, si profesioniste e vërtetë, Flëri arrin të thyejë zemrën e vejanit të gjorë, por gjërat nuk shkojnë ashtu siç i kishte parashikuar…
Dhe me Klonë (Pushime në vilë), stiluesen e fustaneve të nusërisë, e cila, e lodhur nga puna dhe stresi, e, aq më tepër nga situata aspak e këndshme e Filipit (me të cilin bashkëjeton) në punë, nuk mendon për asgjë tjetër veçse të pushojë. Dhe ja më në fund një rreze drite: një nga më të afërtit miq të saj, Gerardi, i ofron vilën e tij të mrekullueshme në Spanjë, ku mund të kalojë disa ditë në paqe…

Zonja e funeraleve Autore: Sophie Kinsella Përktheu: Afërdita Shuteriqi 264 f., 800 lekë Shtëpia Botuese DITURIA

Hjuja nuk është i lumtur. Amanda, gruaja e tij që s’ka të sharë, duket më tepër e interesuar për ngjyrën e mureve të apartamentit të tyre luksoz, sesa për atë vetë, ndaj Hjusë s’i mbetet tjetër veçse të punojë nga mëngjesi në mbrëmje. Por Gerardi, një shok i vjetër shkolle, të cilin e ka ritakuar rastësisht, i jep mundësinë ta thyejë këtë rutinë të mërzitshme duke i ofruar disa ditë pushime në shtëpinë e tij në Spanjë… Ideale! Dhe kështu Kloja dhe Hjuja, së bashku me familjet e tyre, gjenden në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend, duke zbuluar shumë të zhgënjyer se Gerardi i ka ftuar në vilë njëkohësisht. Fillimisht habiten, por pastaj janë të detyruar t’i kalojnë ditët mes shqetësimesh të vogla, por mbi të gjitha mes tensionesh të fshehta.  Sepse Kloja dhe Hjuja kanë një të shkuar të përbashkët, një e shkuar që zbulohet befas gjatë pushimeve që do të nxjerrin në pah mjaft të papritura dhe surpriza….

© Panorama.al

Te lidhura