Lëvizja Nano: Nismë statutore për largimin e Ramës. Nano di të mundë Berishën

Jun 13, 2012 | 19:14

TIRANË – Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve i është drejtuar me një tjetër ftesë gjithë socialistëve për të risjellë liderin historik Fatos Nano në krye të PS-së, pasi sipas saj, ai di dhe mundet të mundë Sali Berishën.

Kjo lëvizje bën me dije se “së shpejti do të nisë nismën statutuore me anëtaret e PS për të kërkuar largimin e Kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik Edi Rama, si edhe për të sjellë në Krye të PS, Kryetarin Historik dhe Fitues Fatos Nano”.

Në një deklaratë për shtyp, kjo lëvizje ka akuzuar sërish kreun aktual të PS-së, Edi Rama si kryetari përcarës e që i ka sjellë vetëm humbje socialistëve.

Deklarata

“Fatos Nano i sjell në vëmendje Kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik të PS Edi Rama, se Nano ka qenë për 15 vite Kryetar i PS e sot është aktualisht Anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS. Askush nuk mundet ti mohojë, deformojë apo zhbëjë historinë dhe vlerat më të mira ndër vite të PS bashkë me Fatos Nanon. Askush nuk mundet ta nxjerrë Fatos Nanon jashtë PS.

Historia e Fatos Nanos me PS është histori fituese. “PS nën drejtimin e Nanos e ka mundur Sali Berishën që në zgjedhjet lokale në korrikun e vitit 1992, pak muaj pas fitores zulmëmadhe të Sali Berishës në 22 marsin e pandalshëm për shkak të rrjedhës historike. PS me Fatos Nanon e kanë mundur Sali Berishën në kushte shumë më të vështira konkurimi sesa këto në të cilat ndodhet apo për të cilat ankohet sot Kryetari i pamerituar dhe humbës i PS Edi Rama. PS me Fatos Nanon e ka mundur Sali Berishën në të gjitha zgjedhjet e votimet e mundshme parlamentare, lokale apo referendare.

Fatos Nano ka humbur vetëm zgjedhjet e vitit 2005 për shkak të ndarjes së PS por edhe për shkak të pabesisë dhe kurtheve e goditjeve passhpine dhe nënbrinjë të Edi Ramës me lëvizjet e krijuara e mbështetura prej tij të njohura asokohe si MJAFT, më vonë si G99, e sot si ‘grushti i çeliktë rreth Edi Ramës për uzurpimin, keqpërdorimin dhe humbjet e parreshtura të PS.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve u bën thirrje të gjithë anëtarëve të PS dhe të gjithë të zgjedhurve lokalë e qendrorë të PS që t’i bashkohen nismës për çlirimin e PS nga ankthi dhe sëmundja e humbësve dhe humbjeve, si edhe për ndërtimin e një bashkëudhëtimi të ri prej dalëzotsash si fitues së bashku me Fatos Nanon.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve nuk synon e as inkurajon konflikte të reja, por me konstruktivitet synon të bëjë fituese PS, që populli i majtë, populli opozitar të kthehet në krye të detyrave qeverisëse për vendin, në mënyrë që të përshpejtojmë se bashku realizimin e reformave të domosdoshme, si edhe arritjen e objektivave për përparimin e merituar të axhendës së integrimit evropian, vijon deklarata.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve ka një projekt të qartë për ti bërë socialistët fitues, për ta mundur Sali Berishën në vitin 2013, dhe për ta integruar Shqipërinë në BE.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve ka një vizion të kthjellët atdhedashurie si edhe partneriteti dinjitoz euroatlantik, nëpërmjet të cilit fitorja e socialistëve, mundja e Sali Berishës në vitin 2013 bëhen të sigurta.

Fatos Nano di ta munde Sali Berishën.

Fatos Nano mundet ta munde Sali Berishën.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve së shpejti do të nisë nismën statutuore me anëtaret e PS për të kërkuar largimin e Kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik Edi Rama, si edhe për të sjellë në Krye të PS, Kryetarin Historik dhe Fitues Fatos Nano.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve u bën thirrje të gjithë anëtarëve të PS dhe të gjithë popullit të majtë, popullit opozitar që t’i bashkohen kësaj levizjeje duke regjistruar emrat e tyre pranë zyrave përkatese të koordinimit që po ngrihen me shpejtësi në çdo qytet e fshat.

Proçesi i rregjistrimit të mbështetësve e vullnetarëve të kësaj Lëvizjeje ka filluar, e shumë shpejt do t’ju bëjmë të njohur emrat e të gjithë kordinatorëve kudo në çdo cep të Shqipërisë si edhe detajet e kontakteve ku mund të drejtoheni.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve është një projekt pëbashkues i socialistëve, popullit të majtë, popullit opozitar, e si i tillë është një projekt fitues.

Ne jemi dalëzotsa dhe motoja jonë është: Unë jam, Unë mundem. Ne jemi, Ne mundemi.

Bashkë e bëjmë Shqipërinë fituese. Bashkë e bëjmë Shqipërinë Europiane.

© Panorama.al

Te lidhura