TIRANE- Koordinatori i Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve, Arian Galdini ka dhene doreheqjen nga pozicioni qe mbante ne kete levizje, duke e motivuar ate me vendosmerine per te qene nje aktivist politik i qëndrueshëm dhe i palëkundur i qendrës së djathtë me bindje, ide e aktivizëm. Ne nje deklarate te gjate, ai ka dhene arsyet e kesaj doreheqje, duke ritheksuar vleresimin dhe besimin e madh se ‘Shtetari Fatos Nano ka një projekt fitues dhe ka ende shumë për ti ofruar politikës shqiptare, demokratizmit të shëndetshëm të vendit, lirisë dhe drejtësisë, si edhe europianizimit të Shqipërisë’.
Me poshte deklarata e plote
Gjatë këtyre ditëve së bashku me z. Fatos Nano e një numër të madh personalitetesh publike, civile e politike, kemi bërë një betejë të shkëlqyer demokratike dhe të ndershme në fushatën për zgjedhjen e Presidentit nëpërmjet Lëvizjes Nano për President.
Unë kam patur nderin dhe kënaqësinë e madhe të jem Kordinatori i kësaj Lëvizjeje.
Ndonëse qëllimi i kësaj Lëvizjeje nuk u arrit, gjithësesi kontributi i kësaj Lëvizjeje për krijimin e një kulture dhe ambjenti sa më garues, sfidues, parimor,transparent, vleror dhe europian ka qenë i pamohueshëm dhe i gjerëvlerësuar nga të gjithë aktorët dhe faktorët konstruktivë brenda vendit sikurse edhe nga të gjithë partnerët euroatlantikë.
Tashmë kemi një President Republike të sapozgjedhur z. Bujar Nishani, i cili në pikëpamjen time bazuar edhe në njohjen e miqësinë personale që kam me të, është një njeri i ndershëm, personalitet i nderuar politik, i cili e meriton të mbështetet në detyrimin e tij kushtetues dhe aspiratën e tij morale e politike për të qenë mbi palët, si edhe simbol i unitetit kombëtar.
Më tutje gjatë kësaj jave unë i qëndrova në krah aspiratës dhe vendosmërisë së z.Fatos Nano për ti dhënë jetë një sfide të re konkuruese dhe emancipuese në politikën shqiptare.
Mua mu besua sërish nderi dhe kënaqësia e veçantë që të jem Kordinatori i parë nismëtar i Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve, dhe jam ndjerë vërtetësisht e sinqerisht i vlerësuar nga mirëbesimi i z. Fatos Nano dhe i të gjithë bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë Lëvizje.
Shpreh bindjen e plotë se Lëvizja Nano për President, si edhe Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve, ndonëse nuk e kanë pasur në objektivat e tyre, gjithësesi ia kanë arritur në plotësi që të nxjerrin në pah për publikun shqiptar, antivlerat, paaftësinë, këmbëngultësinë liganake, dritëshkurtësinë, dhe humbarakësinë kronike të Kryetarit aktual e të pamerituar të PS Edi Rama.
Në sajë të këtyre dy Lëvizjeve, Edi Ramës i ranë pendët e kinsepolitikës së re, kinsekursit të ri, sikurse po i bien edhe të gjitha vlerat politike bashkë edhe me gërmat e mbiemrit.
Në sajë të këtyre dy Lëvizjeve, Edi Rama u bë Edi Ra.
Në sajë të këtyre dy Lëvizjeve garuese, konkuruese, të lira, transparente, parimore, me kulturën e drejtë demokratike dhe europiane, Kryetari i pamerituar dhe humbës kronik i PS Edi Ra, u kuptua nga të gjithë se ai të kujton më së shumti ato figurat mitike të antikitetit grek ku dyzimi, dynatyrësia është pjesë e karakterit dhe qënies së tij. Mund të them se ai i ngjason centaurit, gjysmanjeri e gjysmakalë, por druaj se jo. Nisur nga deklaratat e qëndirmet e tij të vazhdueshme ku lexohet lehtësisht kultura apo pakultura noprane dhe e pagdhendur demokratikisht, vërehet kthjelltazi thembra e tij e dobësisë, dyzimi e dynatyrësia. Pa droje mund të thuhet se Edi Ra, përafrohet së tepërmi me një personazh të përfiguruar si gjysmaAkil dhe gjysmaParid, gjysmahero e gjysma vrasës heroi.
Edi Ra ka dalë lakuriq, i paditur nga pikëpamja e shprehive, dijenive dhe sjelljes demokratike, i paaftë dhe i pamundur për të fituar, por sidomos i suksesshëm për të humbur nga beteja në betejë, nga sfida në sfidë, duke iu shmagur garave e konkurimeve, duke mos iu qasur aspak aksionit të mençur dhe parimor politik, e duke ndërtuar veç skema e strategji hileqare, arlekiniste e foshnjarake.
Sot Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve është në rritje dhe zgjerim tepër të shpejtë dhe shumë impresionuese e shpresëdhënëse. Kjo Lëvizje sot është duke prekur çdo zemër socialisti, çdo organizatë të PS, çdo strukturë të PS, nga baza deri në Asamblenë Kombëtare, Kryesinë dhe Grupin Kuvendor të kësaj partie.
Sot Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve është një betejë dhe sfidë e shëndetshme garuese e përbashkuese nepermjet konkurimit vleror, të kulturave, mendësive dhe vizioneve të ndryshme, që po bëhet thellë brenda kampit, historisë, traditës dhe ideve më të mira të socialistëve dhe të së majtës shqiptare.
Fatkeqësisht, unë si aktvist politik i qendrës së djathtë për 22 vite, e si aktivist i lirë civil, nuk mundem më që të mbaj mbi shpatulla një përgjegjësi kaq të madhe, që do të më kërkonte të tjetërsohesha nga bindjet, idetë, aktivizmi koherent dhe vizioni im. Ndonëse i dua, nderoj dhe respektoj shumë socialistët si të gjithë bashkëqytetarët e mij pavarësisht ngjyrave politike, ideve, përkatësive të ndryshme fetare, kulturore apo etnike, unë nuk mund të jem pjesë e një beteje që më tjetërson mua.
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve është në rritje dhe jam i sigurtë se është një projekt fitues, por unë në pamundësi për tu bërë socialist, më duhet të largohem nga kjo Lëvizje, në mënyrë që shëndeti i saj të jetë i plotë, rritja e pandalshme dhe koherenca e dinjiteti im të pacënuara.
Unë iu bashkova Fatos Nanos e nëpërmjet tij kësaj Lëvizjeje, i bindur se Shtetari Fatos Nano është një njeri, politikan i shkëlqyer parësor, shumë i vlerë, të cilin shoqëria shqiptare duhet ta shfrytëzojë e vlerësojë si një aset të jashtëzakonshëm për zgjidhje e alternativa të mençura me mendësi perëndimore për mbarëvajtjen e punëve në vendin tonë si edhe për arritjen e qëllimeve tona bashkërenduese si shoqëri shqiptare për një Shqipëri Europiane.
Ka qenë një nder i veçantë për mua që të jem mik dhe bashkëpunëtor i shtetarit Fatos Nano.
Vazhdoj të mbetem i bindur se Shtetari Fatos Nano ka një projekt fitues dhe ka ende shumë për ti ofruar politikës shqiptare, demokratizmit të shëndetshëm të vendit, lirisë dhe drejtësisë, si edhe europianizimit të Shqipërisë.
Largimi im nga kjo Lëvizje, nuk është e nuk mund të interpretohet kurrësesi si braktisje apo dorëzim nga një përgjegjësi. Përkundërazi është një akt i sinqertë, dashamirës dhe i përgjegjshëm që synon ta lërë të lirë Lëvizjen që ajo të vazhdojë të rritet, ndërkohë që unë mbetem me dinjitetin tim të plotë, dalëzots i vendosur, aktivist civil i lirë, si edhe aktivist politik i qëndrueshëm dhe i palëkundur i qendrës së djathtë me bindje, ide e aktivizëm.
Largimi im nga kjo Lëvizje nuk e tjetërson, cënon e as lëkund miqësinë time me Fatos Nanon, e as vlerësimet dhe konsideratat e mia më të larta e më të sinqerta për të si njeri dhe si shtetar.
Shpresoj që z. Fatos Nano të ndjejë e pohojë të njëjtën gjë.
Ka qenë një nder dhe kënaqësi e jashtëzakonshme të bashkëpunoja me shtetarin Fatos Nano.
I uroj suksese dhe mbarësi Lëvizjes dhe shtetarit Fatos Nano.
Arian Galdini
Aktivist i FDE – Forumi për Demokraci dhe Etikë
(Ish-Kordinatori i Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve)
© Panorama.al











