
Stanislav Levi nuk heq dorë nga optimizmi për t’u kualifikuar në raundin tjetër të Ligës së Kampioneve. Trajneri i Skënderbeut ka pranuar në konferencën e djeshme për shtyp në Hungari, se skuadra e tij është e aftë të marrë sërish një rezultat pozitiv, ndërkohë që ka vlerësuar gjithashtu forcën e kundërshtarit. Ia kanë dalë mbanë të fitojnë në ndeshjen e parë dhe kanë shansin e artë që të hyjnë në historinë e klubit, duke shkuar në raundin e tretë të Champions-it. Atje ku kundërshtari i radhës sërish nuk është i frikshëm (Bate Borisov ose Vardari). Skënderbeu shpreson, Levi i jep zemër skuadrës dhe në Hungari janë gati të festojnë një “biletë” tepër të çmueshme…
Formacioni – “Do të bëj shumë ndryshime krahasuar me ndeshjen në Korçë. Unë e kam caktuar se cilët do të jenë futbollistët që do të zbresin në fushë nga minuta e parë, por do ta bëj publike vetëm pak orë para ndeshjes. Megjithatë, jam i kënaqur për faktin që kam në dispozicion lojtarë me formë të mirë dhe nuk vuajmë probleme fizike. Mendoj se do të kualifikohemi”, tha Levi.
Ofensiva – “Nuk do të kthehemi në mbrojtje me shpresën që të mos pësojmë gol. Ne do të zhvillojmë lojën tonë dhe do të kërkojmë të shënojmë. Sigurisht, nuk do të jemi po aq të guximshëm sa në takimin e parë, por pa diskutim nuk do të tërhiqemi totalisht. Është e rëndësishme që të jemi të saktë para portës në rastet që do të krijojmë, pasi në këtë aspekt vuajtëm në takimin e parë”, vijoi kreu i pankinës së Skënderbeut.
Kundërshtari – “Nuk ka arsye që unë të mendoj se e kemi të lehtë. Debreceni vazhdon të jetë favorit për të kaluar në raundin tjetër, pasi ka futbollistë mjaft cilësorë dhe, mbi të gjitha, ka më shumë eksperiencë se ne në kompeticione të tilla. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm në fushën e lojës”, theksoi çeku.
Ndeshja
Ndeshja e kthimit Debreceni-Skënderbeu, e vlefshme për turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve, do të luhet më 24 korrik, ora 20:00, në stadiumin “Varosi”, në qytetin Nyreghaza. Në fakt, stadiumi i Debrecenit nuk i plotëson kriteret e UEFA-s dhe, si rrjedhojë, drejtuesit e klubit hungarez vendosën që ta zhvillojnë ndeshjen e tyre 47 kilometra larg.
Gjyqtari
UEFA ka përzgjedhur 31-vjeçarin Kristo Tohver si kryesorin e sfidës Debreceni-Skënderbeu. Arbitri estonez ka marrë stemën e FIFA-s vetëm dy vite më parë. Profesioni i Tohver është menaxher arti. Kulmi i tij në fushën e gjykimit ka qenë drejtimi i finales së Europianit U-17, mes Holandës dhe Gjermanisë, vitin e kaluar. Në këtë ndeshje fituan “tulipanët” e vegjël me rezultatin 5-2.
© Panorama.alBastet favorizojnë Debrecenin
Dominimi në fushën e lojës dhe fitorja e arritur nga Skënderbeu në ndeshjen e parë, duket se nuk kanë ndikuar aspak për kompanitë e basteve. Koeficienti për ndeshjen e kthimit favorizon ndjeshëm fitoren e Debrecenit. Më saktë, hungarezët kuotohen me kuotën 1.2 që arrijnë të triumfojnë ndaj ekipit shqiptar. Kurse, nëse skuadra e Stanislav Levit arrin të barazojë, kuotohet me koeficientin 5.5. Sa i përket fitores, është një “blof” i madh për kompanitë e basteve, pasi kuotohet 12.











