
Debat në Kuvend për fondin shtesë 18 milionë euro. PS abstenon.
Olldashi: Vitin tjetër do t’ju mundim edhe me pallë.
Parlamenti ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës projektligjin “Për huan me BERZH-in, financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Levan-Vlorë”. Projektligji i financimit të rrugës Levan-Vlorë është miratuar me 64 vota pro dhe 46 abstenim të deputetëve të opozitës. Gjatë votimit në Kuvend, deputeti i Partisë Socialiste, Arben Isaraj, ishte i vetmi që ka votuar kundër, ndryshe nga Grupi Parlamentar i së majtës. Seanca plenare është shoqëruar me debate të ashpra midis deputetëve të opozitës dhe maxhorancës. Opozita e ka cilësuar këtë nismë ligjore për shtimin e kostove të kontratës për ndërtimin e rrugës Levan-Vlorë si një aferë korruptive të qeverisë për të favorizuar njerëzit afër saj. Por, për ministrin e Transporteve, shtesa prej 18 milionë eurosh vjen si një gabim në projektimin e rrugës dhe përfshirjen e stabilizantit të rrugës. Për deputetët e majtë, vonesat në rrugën Levan-Vlorë shoqërohem me justifikime banale. “Mbas 6 vjetësh, me justifikime banale kërkohet një shtesë prej 18 milionë eurosh, që do të thotë një shtesë prej 44% e vlerës fillestare, gjë e padëgjuar nëpër projekte të tilla deri më sot, duke pretenduar se janë shtruar ca shtresa stabilizanti e një sistem që nuk u prish qetësinë lejlekëve e përralla të tjera si këto”, theksoi deputeti i PS-së, Artan Gaçi. Gjatë replikave, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, deklaroi se opozita, në qendër të sulmeve nuk ka rrugën, por programin e qeverisë, që sipas tij, ka ndërtuar 9700 kilometra në 7 vite. “Keni katër orë që po bëni debat për një rrugë që është në përfundim e sipër, një rrugë që për 20 ditë do të vihet në trafik. Ju problemin nuk e keni me këtë rrugë, ju e keni problemin me programin e kësaj qeverie. Ju e keni me ato 9 mijë e 700 kilometra. Po more po, Tiranë-Moskë është, dhe mbase dy herë njëlloj e gjatë”, deklaroi ministri. Gjatë replikave me deputetin e PS-së Ilir Bejtja, Olldashi shkëmbeu deklarata të forta. “Vit pas viti, dhjetë herë inaugurime me pallën e vet me gërshërë inauguron rrugë që as fillojnë dhe as mbarojnë”, deklaroi Bejtja. Por, në kundërpërgjigje, ministri Olldashi deklaroi se qeveria do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme. “Ne ia kemi dalë dhe t’ju mundim në zgjedhjet e fundit. Do t’ia dalim prapë t’ju mundim sërish me të gjitha mjetet, nëse është e nevojshme edhe me pallë, në cilindo kuptim të fjalës që e merrni ju, t’ju mundim prapë. Prapë do t’ju mundim vitin tjetër, sepse ky bilanc është në sytë e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Olldashi.
Blendi Klosi: Olldashi, antikombëtar
Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, deklaroi dje se ministri Ollashi ishte një menaxher i korruptuar i fondeve publike. “Do të doja t’i drejtohesha ministrit, ç’ministër ziu?! Ia thashë ministrit, përpiqet për të bërë politikë dhe tregon përralla. Ta tha Kryeministri yt, ai tha: Ç’e dëgjoni Olldashin? Ai nuk merr vesh nga politika. Zoti Ministër, ju bëtë sikur merrni vesh nga rrugët, por ç’merr vesh t’i nga rrugët ore i shkretë?! Nuk ka ndodhur asnjëherë që ministrit drejtori i Rrugëve nuk i hap as telefonin. Tri herë ke kërkuar ta shkarkosh, s’ta shkarkon Saliu. Ti s’ke asnjë lidhje me atë punë. Ju jeni menaxhues i fondeve publike, menaxher i keq, i korruptuar, antishqiptar, antikombëtar i rrugëve”, tha Klosi.Olldashi: Klosi ka 40 vjet që s’lexon
Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, replikoi dje ashpër me deputetin e PS-së, Blendi Klosi, duke e kaluar debatin edhe në aspektin personal. Klosi e quajti Olldashin si një menaxher të korruptuar të fondeve publike, por për demokratin, ky i fundit merrej me spekulime. “Ke bërë mirë që je qethur, se i le ca kohë flokët e gjatë si Blushi, por Blushi ka ca vjet që shkruan, ti ke 40 vjet që nuk shkruan dhe as nuk lexon”, më tej Olldashi u shpreh se “nuk është Shqipëria nga Rogneri te betonierja e Vangjushit. Shqipëria është shumë më e madhe se aq. Ti mund të bësh zgjedhjet e tua, t’i mund të zgjedhësh që në fundjavë të mos ikësh në plazh dhe të punosh si beton-bërës, ky është problemi yt, jo i imi. Po të paktën këtë moral mos hajde ta shesësh këtu”.
Majko: Qeveria na la pa frymë, 2.1 milionë euro për pelikanët
Ish-pryeministri, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, e cilësoi dje si qesharak justifikimin e ministrit të Transporteve Sokol Olldashi për shtimin e fondeve të rrugës Levan-Vlorë. Majko deklaroi dje në rrjetin social “Facebook”, se e djathta i la pa frymë deputetët e opozitës për deklaratën se shtesa prej 2.1 milionë eurosh për rrugën Levan-Fier është për të mbrojtur pelikanët. Sipas deputetit të PS-së, qeveria “zogdashëse” kërkon thellimin e borxhit për të mbrojtur çiftëzimin e pelikanëve. “Sot (dje), në Parlament u deklarua se në segmentin e rrugës Levan-Fier është bërë një investim “shtesë” prej 2.1 milionë eurosh për të mbrojtur pelikanët që vijnë në gjirin e Nartës. Shpjegimi zyrtar ishte se ata nuk shumohen dot nëse ka zhurma makinash… Qeveria ‘zogdashëse’ e djathtë na la pa frymë sot…”, deklaroi Majko.
Huaja për Levan-Vlorë
Braçe: Vlora u vodh
Nënkryetari i Grupit të PS-së, Erjon Braçe, deklaroi dje në Parlament se kërkesa për fonde e rrugës Levan-Vlorë është një tentativë e qeverisë për të fituar para për të shlyer borxhet e vjetra. “Kështu u vodh Vlora e po vidhet Tepelena prej serbo-shqiptarëve! Kuvendi po konsumon një akt të paprecedent, verifikuar në të gjitha komisionet profesionale të tij: Po merr para borxh (në emër të shqiptarëve) për të paguar fatura të papaguara! Rruga Levan-Vlorë ka ‘mbaruar’, paratë nuk janë paguar! Më në fund, 5 vite e gjysmë larg nga inaugurimi ‘qeveritar’ i nisjes se punimeve, rruga ‘u sos’, thonë, në Vlore, por paratë nuk janë paguar! Ky nuk është rasti i parë që ndodh kështu. Një vandak me kontrata që bartin ‘fatura të papaguara’ ndodhet në tavolinat e ministrave përgjegjës, në pritje të shlyhen!”, deklaroi Braçe.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











