Lëv: Jemi më të mirë se Spanja

Jun 20, 2012 | 15:20

Joakim Lëv

Trajneri i Gjermanisë sfidon Greqinë, Italinë dhe kampionët e Europës në fuqi, Spanjën.

“Ozil do shpërthejë, helenët e tepruan me deklarata ndaj Merkelit”

Gjermania pret në Gdansk të Polonisë ditën e premte Greqinë në çerekfinale, duke parë faktikisht përtej këtij takimi dhe duke menduar për gjysmëfinalen dhe finalen e këtij europiani. Në prag të kësaj sfide, trajneri Joakim Lëv, gjatë konferencës për shtyp ka folur mbi këtë ecuri, formën e Ozilit dhe Shvajnshtaigerit, lidhjet me kancelaren Merkel, si dhe superioritetin që ka sipas tij kjo Gjermani në favor të Italisë dhe Spanjës.
Cili është qëndrim juaj për kritikat ndaj Ozilit?
Unë si trajner nuk shoh ndonjë problem serioz, pasi analizoj funksionimin e skuadrës në tërësi të saj. Jam më i vëmendshëm për grupin dhe jo lojtarët në veçanti. Paraqitja e Ozilit ka qenë edhe më e mirë. Mesuti ka nevojë të kombinohet dhe të mësojë me saktësi drejtimin dhe shinat e kolegëve të tij, në mënyrë që të shkëlqejë.
Ndiheni të sigurt me mbrojtjen, mesfushën dhe Gomezin?
Reparti difensiv ka nevojë për më shumë forcë, përqendrim dhe ekuilibër. Por, zgjidhjet i kemi gjetur. Ndërsa dy mesfushorët difensivë kanë punën më të vështirë. Shvajnshtaigerit dhe Khedirës u duhet të vrapojnë shumë, por duhet të balancojmë forcat, në mënyrë që të jemi më kompakt dhe të mbulojnë njëri-tjetrin. Janë disa detaje të vogla që mua më bezdisin, të cilat do evitohen në ndeshjet e radhës. Përsa i përket Gomezit, kam pasur besim, pasi vjen nga një paraqitje dinjitoze me Bajernin.
Jeni gati për çerekfinale ndaj Greqisë?
Deri këtu kemi ardhur ashtu siç duhet, pa presion, pa dëmtime dhe pa zhgënjime. Rezultatet janë të rëndësishme për moralin dhe ecurinë tonë. Jam shumë i lumtur që do qëndrojmë në Gdansk dhe do luajmë këtu ditën e premte. Përgatitje ndaj grekëve kanë filluar sot (dje). Lojtarët nuk kanë më aq kohë të lirë sa më parë. Pavarësisht se disa nuk morën pjesë në këto finale, ata janë të rëndësishëm dhe të gatshëm për ne.
Grekët kanë përzier edhe politikën, duke thumbuar kancelaren Merkel….
Kam marrëdhënie të mira me Angela Merkel, por përsa i përket punës sonë, distancohemi. Nuk mund të ndërhyjë në punët e saj, ashtu si nuk përzihet ajo me punët e mia. Prandaj nuk mund ta ndërthur futbollin me politikën. Politikanët janë fansat tanë, të cilët duhet t’i respektojmë. Kurse Greqia e ka tepruar me euforinë, megjithatë, mediat këtë punë kanë.
Si ju duk përgatitja fizike e Spanjës dhe Italisë?
Kroacia u mbrojt me nëntë lojtarë, çka e bën të vështirë punën e kundërshtarit. Por, nëse kroatët do ishin treguar më të freskët dhe më të duruar, atëherë Spanja do ndalej. Kurse Italia është besnike e traditës. Tani e ka vetë në dorë të vendosë fatin e saj.

Mungesat
Mesfushorët e Kombëtares gjermane, Mesut Ozil, Bastian Shvajnshtaiger dhe Lars Bender, nuk kanë marrë pjesë gjatë stërvitjes së djeshme. Të tre lojtarët kanë munguar për shkak të dëmtimeve të lehta dhe si pasojë kanë qëndruar në hotel duke bërë ushtrime të lehta rigjenerimi. Dëmtimet e tyre nuk janë serioze dhe do jenë të gatshëm ndaj Greqisë ditën e premte.

Mateus
Lotar Mateus e ka pritur keq kritikën e Shollit ndaj Gomezit pas ndeshjes me Portugalinë. “Sholl nuk kishte pse të mbante qëndrim kritik apo skeptik ndaj Gomezit. Ai lajm bëri shumë bujë që prishi dhe nuk ngriti lart imazhin e sulmuesit. E them këtë pasi një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Botërorin 1990, kur Sholl ishte një futbollist i papjekur”, tha Mateus.

Del Boske: S’e bëjmë dot Barçën
“Spanja është viktimë e suksesit të saj dhe ju po e kryqëzoni pa të drejtë. Ndoshta njerëzit kanë harruar ta vlerësojnë këtë skuadër për atë që ajo është. Mos na kërkoni të luajmë si Barcelona apo Reali, që ndeshen me Saragozën dhe Majorkën. Në këtë turne disniveli i skuadrave është thuajse minimal. Janë vetëm 6 ndeshje dhe nuk ka kohë për të korrigjuar”. Kritikat e ashpra të mediave, pas lojës së shëmtuar të kampionëve të Europës me Kroacinë, kanë sjellë dhe reagimin me të njëjtën monedhë të Visente del Boskes vetëm 24 orë pas kualifikimit të skuadrës së tij në çerekfinale. Trajneri i “furive të kuqe” ka mbrojtur skemat e tij, por pranoi njëkohësisht se e kupton që jo të gjithë janë dakord me to: “Unë nuk mendoj se ne bëmë një ndeshje të keqe me Kroacinë. Ndoshta pritshmëritë për ne janë gjithnjë të larta dhe njerëzit nuk do të arrijnë kurrë që të kënaqen”, tha tekniku në daljen e djeshme për mediat.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura