
Trajneri i Kombëtares gjermane, Joakim Lëv, do t’i ketë të gjithë lojtarët në gatishmëri për ndeshjen e dytë në grup. Ai parashikon një sfidë të zjarrtë kundër Austrisë. “Nuk kemi frikë ndaj fqinjëve. Megjithëse duhet pranuar që Austria po përjeton formën më të mirë në vitet e fundit”, nënvizoi Lëv gjatë konferencës për shtyp duke analizuar çdo detaj. “Në Vjenë kemi pasur probleme, por deri në finalet e Botërorit kemi në dispozicion 30 pikë. Jemi të vetëdijshëm që Austria është bërë shumë e fortë dhe do luajë me zemër në këtë ndeshje. Ata kanë përmirësuar së tepërmi kombinacionet perfekte dhe ushtrojnë presion. Përpiqen të luajnë në ofensivë për ta ngacmuar kundërshtarin. Në ekipet e të rinjve kanë arritur rezultate pozitive dhe janë edukuar më së miri me kulturën e futbollit. Ata kanë mësuar shumë nga futbolli gjerman, pasi pjesa dërrmuese luan në Bundesligë. Rreziku i këtyre lojtarëve si Harnik apo Arnautoviç është i lartë, prandaj mendoj se ka për të qenë një duel mjaft i komplikuar. Gjithashtu shumë prej tyre kanë zënë vendin e titullarit në ekipet e huaja. Nuk është më si më përpara, pasi shumë prej tyre kanë pasur shansin të luajnë në evenimente ndërkombëtare me klubet. Kjo është një nga shkaqet pse Austria ka fituar besim. Ne prezantohemi si favoritë në këtë ndeshje dhe këtë imazh duhet të mbartim përgjatë 90 minutave duke nxjerrë gjithçka nga vetja”, përfundon trajneri i “pancerave”.
Austri-Gjermani
Sot, ora 20:35
Formacionet e mundshme
Austri (4-2-3-1); Almer, Fuks, Prëdl, Pogatec, Gariks, Aranautoviç, Kavlak, Baumgartlinger, Ivanshiç, Junuz oviç, Harnik. Trajner: Marsel Koler
Gjermania (4-2-3-1): Nojer, Shmelcer, Badshtuber, Humels, Lahm, Kros, Khedira, Rojs, Ozil, Myler, Klose. Trajner: Joakim Lëv











