Letra e Surroit: Ambasadori Dell, si gratë e këqija

Jul 16, 2012 | 14:54
Veton Surroi dhe Kristofer Dell

Debati në media e kushedi ku tjetër, mes publicistit kosovar Veton Surroi dhe ambasadorit amerikan në largim, Kristofer Dell, mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit vazhdon…, me Surroin që në një letër lamtumire drejtuar Ambasadorit, e quan atë mes të tjerash edhe “si gratë e këqija”. Letra e gjatë e Surroit po botohet në gazetën “Koha ditore”, si një revoltë ndaj deklaratave të ambasadorit Dell mbi komentet për darkën e organizuar në shtëpinë e tij gjatë negociatave të përfaqësuesve të partive të mëdha politike të Kosovës mbi një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që Behgjet Pacolli duhej të linte detyrën pasi mënyra e zgjedhjes së tij ishte antikushtetuese. Ambasadori amerikan tha në një intervistë se Surroi, në atë darkë, i zvarritej Kryeministrit Thaçi për ta zgjedhur atë President. Por Surroi e ka mohuar këtë dhe ka dhënë një tjetër version të ngjarjeve. “Në rezidencën tënde fjalët e mia jo vetëm se nuk më mbrojtën – ato edhe u shtrembëruan. Në vend të diplomatit të karrierës, ke degraduar në kategorinë e asaj që në Kosovë njihen si gra të këqija, bartës thashethemesh, edhe aso të shtrembëruara nga ti”, shkruan Veton Surroi në letrën e lamtumirës, botuar në “Koha Ditore”.

© Panorama.al

Te lidhura