
Mbledhja e djeshme e Këshillit të Lartë të Drejtësisë mori trajtat e një debati të fortë me ngjyresa politike, kur pjesëmarrësit duhet të diskutonin mbi letrën e Kolegjit Zgjedhor drejtuar KLD-së dhe Presidentit të Republikës.Debati devijoi nga kërkesa për mbështetje e gjyqtareve të Kolegjit nga presionet politike, në mospërmendjen e politikës në mbledhje, në mungesën e Presidentit, e deri në qartësimin e pozicionit të Kreshnik Spahiut, mes KLD-së dhe Aleancës Kuq e Zi. Që në nisje të mbledhjes, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha se me kërkesë te Presidentit në rendin e ditës do të shtohej edhe diskutimi mbi shqetësimin e ngritur nga gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor. Spahiu u shpreh në vijim se KLD-ja nuk ka asnjë kompetencë mbi Kolegjin Zgjedhor. “Kolegji Zgjedhor është një Kolegj, i cili nuk është zgjedhur me short, por me konsensusin e te dy partive politike, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Gjatë zgjedhjes së 8 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, të dyja partitë patën mundësinë për të përjashtuar gjyqtarët të cilët u hodhën në short”, u shpreh Spahiu. Mosprania e Presidentit të Republikës në mbledhje shkaktoi reagimin e fortë të anëtares së KLD-së, Lefterie Lleshi. “Doja të bëja një pyetje, zoti kryetar i mbledhjes: Ku është Presidenti i Republikës në këtë rast? Është koha në të cilën ai duhej të ishte prezent. Bëhet fjalë për anëtarët e Kolegjit zgjedhor, të cilët janë pre e hapur e të gjithë forcës politike që ka humbur në zgjedhjet e fundit”, u shpreh anëtarja Lleshi. Më herët, zv.minstrja e drejtësisë, Brikena Kasmi, kritikoi gjuhën e përdorur nga nënkryetari Spahiu, sipas saj, me nota dhe nuancë politike. “Është vendi që KLD për herë të parë në fakt në historinë e vet të përfshihet në diskutime politike dhe është vendi që ne të kërkojmë distancimin nga diskutimet politike”, tha Kasmi. Më pas, Kasmi u përfshi në replika me anëtarin e KLD-së, gjyqtarin Besnik Imeraj. I ashpër ishte edhe qëndrimi i anëtares Lleshi në lidhje me statusin e nënkryetarit Spahiu. Duke pohuar se KLD ka kohë që nuk funksionin si duhet, ajo iu drejtua Spahiut, duke i thënë: “Po flisni në media si nënkryetari i KLD, por me një status tjetër. A mund të na shpjegoni se cili është statusi tjetër, përpos statusit që keni në lidhje me këtë funksion? Statusi i Aleancës Kuq e Zi?”. Pas përfundimit të mbledhjes, nënkryetari Spahiu deklaroi para mediave distancimin e KLD-së nga akuzat drejt Kolegjit Zgjedhor. Në emër të KLD-së, Spahiu kërkoi që “çdo lloj faktori politik t’i adresohet prokurorisë shqiptare”.
Letra e Kolegjit
më 15 korrik, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor i dërguan një letër Presidentit të Republikës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Konferencës Gjyqësore, zyrës së KE në Shqipëri, si edhe Ambasadës së SHBA në vendin tonë. Nëpërmjet kësaj letre, anëtarët e Kolegjit kërkonin mbështetje të punës së tyre përballë akuzave të anëtarëve të Partisë Socialiste, të cilët akuzonin publikisht anëtarët e Kolegjit se kishin marrë nga 500 mijë euro për çdo vendim në favor të Lulzim Bashës.
DEBATI NË MBLEDHJE
Lefterie Lleshi: Pra janë dy gjëra; Presidenti i Republikës dhe kryetar i KLD njëkohësisht, edhe nënkryetari i KLD po bëjnë që ky këshill të mos funksionojë siç duhet. Ne kemi si prioritet punën që kemi. Zotërinj të nderuar, në qoftë se nuk arrijmë dot të bëjmë punën tonë si duhet, atëherë të japim dorëheqjen dhe të shkojmë të bëjmë gjërat e tjera që kemi dëshirë t’i bëjmë.
…
Pra, unë kërkoj edhe një herë zoti nënkryetar, të shprehni pozicionin tuaj politik, juridik, në lidhje me pozicionin e nënkryetarit të KLD. Njëkohësisht, do të doja edhe një përgjigje të Presidentit të Republikës që në çështje kur mbledhja e KLD në rendin e ditës ka çështje pikante, ai gjithnjë mungon. Ai është vetëm në rastet e promovimeve të gjyqtarëve. Në rastin kur ne heqim imunitete, ai nuk ndodhet, në rastin kur Kolegji Zgjedhor kërkon mbrojtjen e tij, ai nuk ndodhet. Kur ne nuk e gjejmë mbrojtjen tek Presidenti i Republikës, që është kryetari i KLD, ku do ta gjejmë tjetër? Do t’ia kërkojmë Ambasadës Amerikane, do t’ia kërkojmë OSBE-së?
Brikena Kasmi: (Pasi nga kryetari i mbledhjes u kërkua largimi i medias nga salla) Zoti nënkryetar i KLD, media ka ardhur të marrë një prononcim të Këshillit. (Ndërhyn anëtari Besnik Imeraj: E mori prononcimin). Ende nuk është dhënë se cili është qëndrimi ndaj fyerjeve publike. Unë dua ta dëgjoj. KLD ka disa vite që është kthyer në politikë. Nëse KLD është kthyer në politikë. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të jenë në mbrojtje, aq më tepër që ju personalisht vini nga trupa gjyqësore. Nëse KLD është kthyer në politikë, unë publikisht kërkoj dhënien e dorëheqjes të të gjithë personave që kanë sjellë politikën brenda Këshillit të Lartë të drejtësisë.
(Replikon me anëtarin Besnik imeraj)
Besnik Imeraj: Mos na e ktheni në politikë, të lutem. U tha të dalë media. Lëre të dalë media dhe të vazhdojmë mbledhjen. Nuk e drejtoni ju mbledhjen.
Brikena Kasmi: Kërkova fjalën. Unë nuk besoj se juve ju krijon ndonjë problem nëse diskutimi apo mendimi im del në media apo jo.
Besnik Imeraj: Ju nuk jeni anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Brikena Kasmi: Atëherë çfarë, juve nuk jeni transparentë për të dalë në diskutimet tuaja në media. Unë mendoj që është vendi sot që ne të kërkojmë një mbrojte pra.
Besnik Imeraj: Nuk i mbrojmë në. I mbron ligji. As ju nuk i mbroni dot. Ata kanë bërë detyrën dhe, në rast se nuk kanë bërë detyrën, do të përgjigjen.
Lefterie Lleshi: Na janë drejtuar neve, të gjithë gjyqtarët i janë drejtuar KLD-së me shkresë. Ky është fakti, për sa kohë na janë drejtuar, ne kemi ardhur në mbledhje. Ata na kërkojnë neve mbështetje. Na e kanë kërkuar me shkrim t’i mbrojmë ata nga akuzat publike.
Besnik Imeraj- Lleshit: Tani, ne po flasim për gjyqtarët. Ju folët për zotin Spahiu.
Lefterie Lleshi: Po, edhe për zotin Spahiu. Ajo erdhi si rrjedhojë e mosqenies së Presidentit.
Besnik Imeraj: Presidentit i kërkohet llogari kur vjen këtu. Zoti Spahiu nuk jep llogari për Presidentin.
Lefterie Lleshi: Zoti Spahiu mund të marrë pjesë në çfarëdolloj organizmi, por fakti që ai del në televizor dhe poshtë shkruhet “nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, atëherë mua më bën të mendoj.
Besnik Imeraj: Po nuk është në rendin e ditës, zonjë. Kemi edhe median këtu. Të dalë media dhe të diskutojmë.
Lefterie Lleshi: Nuk e thirra unë median. S’e kam bërë unë. Atëherë dalja e Spahiut në media me titullin “nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, mua më bën të mendoj, veprimtaria e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është unike.
Besnik Imeraj: Mund të kërkoni të shtohet si pikë në rendin e ditës dhe e diskutojmë. Jemi të papërgatitur.
Lefterie Lleshi: Unë nuk jam dakord që Kreshnik Spahiu të dalë me logon “nënkryetar i KLD-së”, të dalë si Kreshnik Spahiu. Të bëjë çfarë të dojë. Fakti që del, për mua është shumë problem.
Besnik Imeraj: Nuk është problem që i takon rendit të ditës.
Kreshnik Spahiu: Zonja Lleshi, ju dëgjuam, të dëgjojmë dhe anëtarët e tjerë.
Lefterie Lleshi: Zoti Kreshnik Spahiu, për mendimin tim, duhet të rishohë pozicionin e tij në lidhje me vendin e punës.
Kreshnik Spahiu: Pozicionin e punës e rishikoj, por do t’ju lutesha mjaft këtu me presion politik.
Lefterie Lleshi: Unë nuk bëj presion politik.
Kreshnik Spahiu: Mos eja këtu me presion politik dhe me mesazhe për të përcjellë kundër veprimtarive për të drejtat e njeriut.
Ky që bëni është presion i pastër politik. Jam këtu në ushtrim të detyrës të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Lefterie Lleshi: Ajo që thoni ju, zoti Spahiu, është e gabuar. Edhe fakti që bëni presion psikologjik, përsëri është i gabuar. Nuk keni arsye. Unë nuk po bërtas, po diskutoj.
Topi: Konfliktet politike të mos kalojnë në sistemin e drejtësisë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, reagoi dje pas debateve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Presidentit, Mimoza Koçiu, tha se “mbledhja e radhës e KLD-së nuk merr përsipër zgjidhjen e pretendimeve që nuk janë kompetencë e KLD-së, pasi ligji ka përcaktuar organin ligjor ku mund të adresohen. Në rastin më të mirë, KLD mund të dalë me propozime konkrete për ndërhyrje në legjislacionin zgjedhor me qëllim parandalimin e tyre në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Presidentit. Presidenti i Republikës apelon në adresë të aktorëve kryesorë politikë dhe mediat e kontrolluara prej tyre, që konfliktet dhe mosmarrëveshjet e tyre politike të mos tentojnë t’i zhvendosin tek sistemi gjyqësor, përmes ndonjë anëtari përfaqësues dhe emërtesë të ndonjë vullneti të caktuar politik. “Drejtuesit politikë duhet që me qetësi dhe kurajo të ndjekin rrugën institucionale për trajtimin dhe zgjidhjen e tyre”, thuhet në deklaratë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës thekson se debatet publike mbi çështje të tilla, nuk duhet kurrsesi të tërheqin vëmendjen, ose të kalojnë në plan të dytë nevojën e madhe që ka vendi për zgjidhjen pa vonesë dhe afatgjatë të situatave politike.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











