
“Olimpi” i Tiranës, i ka kthyer të gjitha tragjeditë eskiliane të lashtësisë, në komedi alla “Epopeja e Ballit”!
“Me formatin prej monarku “alla Ali Pasha”, Enveri e zhyti vendin në humnerën më të turpshme të historisë”. Njëherazi me etiketimet për diktatorin, nga letra e Fadil Kokomanit e Vangjel Lezhos drejtuar KQ të Partisë nga Burgu i Spaçit, numrin e kaluar zbardhëm një pjesë të refleksioneve të dy ish-gazetarëve të dënuar për realitetet shqiptare të fundviteve ’70-të, kur Shqipëria së fundi ishte divorcuar edhe me aleatin e fundit komunist, Kinën e Mao Ce Dunit. Mënyra si përshkruhet në dokument gjendja në vend është skajshmërisht e guximshme në përmbajtje, por edhe interesante në formë. “Situata aktuale, i shkruajnë Kokomani e Lezho udhëheqjes së Partisë në verën e ‘78-s, të kujton panoramën tragjikomike trepjesëshe të Dantes, ku varkëtari i palodhur ka dalë prej kohësh, e pret “udhëheqjen” që ta përcjellë për në ferr”. Pjesa në vijim, përtej qasjeve idealiste nga pozicioni komunist, denoncon frymën staliniste të lidershipit të Tiranës dhe dhunën e pamëshirshme ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut. Ky “Olimpi” ynë, nënvizojnë autorët e letrës, e ka mbushur Shqipërinë pëllëmbë e burg, që ia kalojnë edhe atyre të fashizmit…
…vijon nga numri i kaluar
Programet subjektiviste (qofshin këto ekonomike apo kulturore) të “udhëheqjes” së konservuar e konservatore, nuk i kanë sjellë tjetër këtij nacionaliteti veçse thellimin filistizimit të degradimit shoqëror, të shthurjes familjare (kësaj bërthame engelsiane të shoqërisë në përgjithësi dhe asaj socialiste në veçanti, duke e mbajtur rininë me gënjeshtrën e madhështisë së fituar qysh në Luftën Nacional-çlirimtare, kurse popullit, duke i imponuar gatishmërinë patriotike dhe duke i servirur në vend të mirëqenies, parullat patriotike dhe kohë më kohë, programet stereotipa me premtime pompoze për të ardhmen.
Dhe turpi i këtyre premtimeve e kulminacioneve pseudosocialiste, del në pah me Kushtetutën e Re, të hartuar nga pozitat individualiste dhe të kolltukomanisë, si dhe të delirit të madhështisë. Ky dokument me një përmbajtje e formë rrënjësisht fiktive, do të ishte lehtë të zëvendësohej jo me 51 anëtarët e komisionit hartues me Enver Hoxhën në krye, por me nënshkrimin e zotërinjve “socialistë-revizionistë” në përgjithësi. Dhe ja sepse: Kjo kushtetutë nuk shpreh në thelb raportin real të forcave në Shqipërinë socialiste, por dëshirat, vullnetin “perspektiv” dhe hileqar të grushtit “social-revolucionar” në fuqi, që shpreh alternativat plot dhunë e kapriciozitet kriminal të makinës shtetërore (KP, Ministrisë së Brendshme, Ushtrinë, gjykatat, këshillat popullore e levave të tjera të shtypjes flagrante!). Ta quash këtë kushtetutë më përparimtare e më demokratike në botë, siç trumbetoi me bujë Enver Hoxha në Kongresin e Shtatë të partisë, pastaj të gjithë isoxhinjtë toreadorë, që nga instancat e “Olimpit” të Tiranës e deri te lakenjtë mikroborgjezë të organizmave në fabrika e në brigadat kooperativiste, do të thotë që ky popull e kjo republikë të jenë në apogjeun e lirisë së njerëzimit, të barazisë e të lulëzimit shkencor, kultural dhe ekonomik modern, don të thotë më tej që, ne, dy milionëshi i RPSSH, të kemi lënë mbrapa shumë nga pararendësit e sistemit komunist.
Sa qesharake!
Me këtë kushtetutë mund të mburren ata që e sajuan, por jo populli që “e aprovoi” nën “projektorët” e dhunës shtetërore. Dhe kij mirësinë të mos e aprovosh po deshe! Shteti jam unë, monarku jam unë, do të kisha qejf të isha dhe Perandor, por!
Enver Hoxha nën dritën e një gjykimi pozitiv do t’u përngjiste socialistëve utopisë, por meqenëse merr vesh si nga ekonomia, ideologjia, kultura, tregtia, politika, organizmat shoqërore, nga çështjet e grave etj., etj do të formulonte në vetvete vetëm një utopist të veshur me petkun e monarkut.
Ama, që komandon ai me Kushtetutën e Re, grabitet për ditë po nga elita e tij dhe kjo grabitje sistematike në fushën ekonomike, shoqërore, familjare mendore e shpirtërore, zor se do t’i japë mundësi kësaj ane të utopistit “Ouven-Enver”, të dalë në brigjet e “Amerikës socialiste” për të ndërtuar atë shoqëri ideale, për të cilën Sekretari i Parë ka plotë 35 vjet që shurdhon veshët e popullit shqiptar.
Jemi marksistë-leninistë!. Thërrasin me apoteozë diplomatët e politikanët shqiptarë. Historia, praktika, faktet, dialektika e tyre, e sigurt që na kanë vërtetuar të kundërtën.
Jemi revolucionarë që nga maja e flokëve të kokës e deri te thonjtë e këmbëve! Thërrasin njëzëri teoratorët e “Olimpit” dhe të gjithë lakenjtë në bazë.
Mos vallë këto dhe parulla të tjera si këto e zgjidhin problemin dhe i japin fytyrën qoftë makar, edhe kushtetutës? Mos vallë kur ekzistoka një kushtetutë e tillë si kjo e tipit të 51-komisionerëve, ka më shumë liri dhe populli jeton më mirë sesa në të kaluarën?
Këtë kushtetutë e ka mbërthyer fiktiviteti. Sanksionimi me ligj i vetizolimit e vërteton më së miri këtë fiktivitet, si dhe musëndrën e mykur dhe thjesht subjektiviste të saj.
Me fjalimin në mbledhjen e 81 parive në Moskë, Enver Hoxha deshi të bindte përfaqësuesit leninistë nga tërë anët e globit se Hrushovi ka tradhtuar dhe atentatin e tij u mundua ta bënte në fushën e tregtisë së drithit, të zënkave, të hatërmbetjeve etj., etj.
Ama fjalim! Ama ndërthurje filozofike, ideologjike dhe më në fund politike e çështjes! Ky ishte një prezantim aspak komunist, por thjesht komercial dhe absolutisht me dërrasa subjektiviste!
Si e pa që nuk i bindi dot mjekroshët leninistë, por përkundrazi, Gomulka e të tjerë e quajtën fjalimin e tij monstruoz dhe më të paprincipin, Enver Hoxha u kthye në atdhe dhe u mundua të bindë partinë dhe popullin se Hrushovi tradhtoi. Por, objektiviteti i viteve të atëhershme deri në ditët tona, vërtetoi të kundërtën dhe “bindjen” që “udhëheqja” shqiptare lëshoi në popull u shua si flluska e sapunit në ujë. Objektiviteti tregoi se, BS-ja u bë një kështjellë (këtë fjalë Enver Hoxha e përdorte me pompozitet të madh deri në vitet ‘56-’57, në adresë të vendit të parë socialist në botë.) Bindjet subjektiviste të Sekretarit të Parë nuk hodhën shtat aspak në popullin shqiptar, sepse plagët e luftës për liri e demokraci; objektiviteti social e ekonomik diktuan dhe diktojnë përditë material të pashtershëm, të cilin partitë e tjera e përpunojnë në programet e tyre strategjike dhe teorike.
Le të çirret konia dhe le t’i vijë vërdallë elefantit. Bindja e saj se është e përhershme as që e gudulis gjigandin elefant të komunizmit shkencor.
Kur Vladimir Iliç Lenini erdhi me tezën shkencore më 1915 se, revolucioni si rezultat i zhvillimit të pabarabartë të vendeve kapitaliste dhe i forcave të tyre të prodhimit mund të fitojë jo në të gjitha vendet njëherësh (siç parashikonte dikur Karl Marksi), por në disa vende ose dhe në një vend të vetëm, kjo donte të thoshte se teoria e komunizmit shkencor, e zbuluar nga Karl Marksi dhe Fridrik Engelsi (mbi bazën e një materiali faktik dhe teorik të së kaluarës si të punës së gjigandëve utopistë, Son Simon Ouver dhe Furije etj) në raport me rrethanat aktuale mund të parashtrohej me një tezë të re, të fortë, reale, thellësisht shkencore, si ajo pra, që parashikonte V. I. Lenini.
Në qoftë se N. S Hrushovi doli me tezat e reja të Kongresit të XX-të të PKBS-së, lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë, të konceptimit të ri të luftës së klasave, të hapjes së dritares së tretë në Europë e në Perëndim, (qysh nga Pjetri i Madh – e para -, nga Paqja e Beostlitovskit dhe e bashkëpunimit me botën e zhvilluar imperialiste e V. I. Leninit – e dyta -, si edhe e paqes dhe e mirëkuptimit reciprok e integrimit të partisë në parti e të gjithë popullit, e N. S. Hrushovit – e treta) -, kjo dritare e tretë e N. S. Hrushovit nuk ishte, pra, një dëshirë subjektiviste e një komunisti të thjeshtë, por një konkludë teorike, filozofike dhe thellësisht shkencore dhe materialiste dialektike e njeriut të madh që interpretoi shkencërisht mësimet e K. Marksit, F. Engelsit dhe V. S. Leninit. Po kështu, edhe konkluzionet teorike të teoricienëve të partisë së Palmiro Toljatit, të Dolores Ibaurit, të Maris Torezit etj; – janë pa dyshim, reflektim i objektivitetit të gjallë të lëvizjes punëtore në Perëndim dhe një realizim i mrekullueshëm i filozofisë së Marksit dhe Engelsit, i cili në vitin 1895 shkruante se borgjezia nuk na gënjen më me luftë ilegale, me plasdarma e barrikada të përgjakura.
Atë, – borgjezinë, kapitalin,- do ta shembim në rrugë legale, kryesisht nëpërmjet tribunave parlamentare – Këtë teori revolucionare leniniste e kanë realizuar me sukses Belingueri, Karilja, Marsheja…
Le të kthehemi përsëri te Kushtetuta!
“Se liset Jovi non liset bovi” – Ajo që i lejohet Jupiterit nuk i lejohet buallit! Kushtetuta ishte një kartë prej çeliku e gjaku therorësh, (aspak të domosdoshëm), – e cila mbron sajuesin, autorin e “Jupiterit” të saj, por jo njerëzit e thjeshtë, që sillen vërdallë në halucinacione të përjetshme, të etur për liri, për gjumë e qetësi, të uritur për kulturë dhe prirje të shekullit, dhe jo për gërdallza folklorike shterpe, të cilat bota i ka kallur nëpër muzeume, për studime thjesht etnografiko-historike. T’i shtrish dorën për kulturë folklorit dhe kryesisht primitizmave të tij, do të thotë ta kthesh popullin tënd në regres e në egërsi shpellash… Kështu na mëson filozofia e jetës.
Le të marrim tani zbërthimin pseudoteorik që i ka bërë komisioni i 51 anëtarëve të besuar të çështjes së fesë.
Është fakt dhe këtë, ne, si komunistë, jo vetëm e pranojmë, por e realizojmë edhe në jetë, pa çka se ndodhemi prapa hekurave e telave, – se feja është opium për popullin. Bukur fort! Është fakt se, M-l është materializëm dhe është i pamëshirshëm karshi fesë. Kjo është e padiskutueshme dhe siç thotë Lenini, ne patjetër duhet të luftojmë kundër fesë. Por, marksizmi shkon më larg se iluministët dhe ateistët e shekujve paramarksistë. Marksizmi na mëson se duhet të dish të luftosh kundër fesë, duke e shpjeguar në mënyrë materialiste burimin e besimit dhe të fesë në masat e gjera. Ndryshe, partia do të bënte gabimin e anarkistëve blankistë, që pretendonin t’u kallnin flakën priftërinjve me gjithë xhybe, si dhe tempujve të ngritur prej tyre ndër shekuj dhe të ndërtonin një fe tjetër.
A nuk vepruan kështu të 51-tët me Kushtetutën, duke e ndaluar me ligj fenë në Shqipëri? A nuk shpreh ky akt arbitrar aspak dialekto-shkencor e thellësisht anarkist, dukuritë e asaj teorie të kulluar borgjeze-liberale?
Duke mbyllur kishat dhe xhamitë në vitin 1967 dhe duke e paraqitur këtë si “skenë”, si vullnet të rinisë ateiste shqiptare, – Partia e Punës i hapi dyert artilerisë së rëndë fetare dhe gjallërimit të fshehtë të besimit. Duke kryer këtë vepër antimarksiste, Partia e Punës nuk u ndal me kaq, por më 1977-n, sanksionoi me Kushtetutë (e cila për origjinalitet u shtrua për diskutim në Kongresin e shtatë të PPSH-së) ndalimin e besimit fetar dhe dënimin me procedurë penale të cilitdo që do të merrej me fenë!!! Të bukurin zbulimin teorik që na bëri “Olimpi” i Tiranës, i cili të gjitha tragjeditë sofokliane dhe eskiliane të lashtësisë, i ktheu në komedi alla “Epopeja e Ballit”!
Tregtari Enver Hoxha dhe Komisioni i 51-të, u shpall kampion i shitjes së fesë (me një të rënë gordiane) për shekullin e XX-të dhe, për blerjen dhe dyndjen e eshtrave të të vdekurve nga jashtë shtetit, duke i përzier ata në “truallin amtar”, pa dallim feje, krahinë dhe ideje se “feja e shqiptarit është shqiptaria!”
Mirëpo, “olimpikët” e Tiranës harrojnë gjithmonë të mësojnë mirë Maksin, Engelsin, Leninin, Dimitrovin dhe këtë radhë e lanë në harresë konkludën filozofike të Engelsit, në veprën e tij “AntiDyring” (viti 1877), ku thotë se t’i shpallësh një luftë me ligj fesë, do të thotë “të tregohesh më Bismark se vetë Bismarku”
Duke luftuar kësisoj fenë, juve, autorët e Kushtetutës së Re, i bëtë një shërbim të shkëlqyer Vatikanit, Patriarkanës, myslimanizmit e sekteve të tjera fetare dhe nga ana tjetër, krijuat një fe të re të perëndive të Tiranës, krijuat Zotin e ri në personin e Enver Hoxhës, të cilin e kanë tmerr dhe frikë të gjithë, pasi ai është bërë Zot i familjes, i ndarjeve dhe martesave, i aksioneve dhe i zboreve sfilitëse, i kafshatës së bukës dhe – çka është më tronditësja – ai është kapitalisti dhe punëdhënësi primar dhe permanent i kësaj toke shqiptare. Duke krijuar kultin e individit, juve ia kaluat edhe vetë kultit stalinian, sepse i hoqët njeriut shqiptar edhe pronësinë më minimale të jetesës së thjeshtë individuale dhe e lidhët atë me një rrogë mikroskopike, të nxjerrë nga kapitali i madh i prodhuar nga ky popull prej dy milionësh, duke u robëruar natë e ditë. Varësia ndaj kësaj page të ulët, me të cilën njeriu nuk ushqen dot një kotec të vogël me pula, e jo më një familje, si dhe frika ndaj kapitalit, – krijoi kultin e perëndisë në figurën e Enver Hoxhës. Kështu, zotë të rinj të popullit të shumëvuajtur! Duke e luftuar ligjërisht fenë, juve në fakt, i ngritët autoritetin asaj (fesë) në botë dhe i ngritët këtij populli një tjetër fe, një zot tjetër (!)
Me fjalë të tjera:
Zoti nuk ekziston më për ju, por ekzistoj unë, Enver Hoxha! Prandaj, besomëni mua, jeni të bindur, vraponi në arë, në fshat, në aksion (natën, ditën – kur t’ju thërras unë), dynduni si një trup i vetëm nëpër zbore, që të mësoni taktikën dhe strategjinë ushtarake, ecni në fabrikë e në uzinë me orë të zgjatura e me rrogë të ulët, ndryshe ju pret shkatërrimi familjar, shpata e dhunës, burgosja, internimi dhe të tjera hove e situata ngushtuese, skllavëruese…!
Ju predikoni se e zhdukët skllavërinë njëherë e përgjithmonë, por krijuat një skllavëri më të tmerrshme të një shfrytëzimi “modern” e të moderuar që ekziston me fije të stërholluara prangash të padukshme. Juve, zhdukët brezin e vjetër e mesatar të popullit, kurse me brezin më të ri, duke e ushqyer nëpërmjet shtypit dhe propagandës më të fëlliqur, deri në organizmat bezdiplotë të fronteve, organizatës së gruas etj; me urrejtjen për BS-në, gjoja socialist-imperialistë, i shpifët atij një dashuri të pakufishme për botën e kapitalit Perëndimor te të cilët juve u shitët qysh në kohën e “Nemçes” për 30 aspra. Juve ngulitët te brezi i ri i kohës urrejtjen për BS-në dhe dashurinë për Kinën, por, kur edhe kjo e fundit ju piu lëngun ose anasjelltas, juve ja pitë asaj lëngun e orizit, atëherë edhe ky brez u zhgënjye!
vijon nesër…
“Letra tek Enveri kur shkruante librin “Me Stalinin”
“Enveri e ka lexuar letrën e Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, madje ka bërë edhe nënvizime në të”. Teksa zbardh faktin e shumëpërfolur, njëri nga zyrtarët e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, që është marrë me redaktimin e veprave të diktatorit, kujton edhe një detaj tjetër. Letra e dy gazetarëve të dënuar, shton ish-funksionari i KQ, mbërriti në zyrën e Enverit, kur ai ishte duke shkruar librin “Me Stalinin”, ndërkohë që kishte konturuar strukturën e vëllimit tjetër “Hrushovianët”. Nga aq sa mban mend ish-bashkëpunëtori i Enverit, denoncimi nga Burgu i Spaçit për stalinizmin alla shqiptar që shkatërronte vendin, i shërbeu diktatorit për t’iu rikthyer veprës “Me Stalinin” e për të pohuar me forcë besnikërinë e pafund ndaj kreut të regjimit bolshevik. Përkundër zërave që vinin jo vetëm nga ferri i të burgosurve politikë në fundin e viteve ’70-të, në librin e radhës “Hrushovianët”, Enver Hoxha stigmatizonte “tradhtarë” e “agjentë të të huajve” shumëkënd që së paku shprehte një lloj rezerve për ashpërsinë e frymës staliniste. Sa për ndikimin e Enverit në dënimin me pushkatim të Fadil Kokomanit e Vangjel Lezhos, ish-zyrtari i KQ që është marrë me redaktimin e veprave të diktatorit, pohon se nuk ka dijeni, por është i bindur në një qasje tjetër. “Kur ishte fjala për dokumente që denonconin Enverin dhe binin në dorën e tij, sejmenët në KQ e në Ministrinë e Brendshme, tregoheshin më katolik se Papa, duke shpërthyer egërsisht për të demonstruar besnikërinë ndaj Komandantit.”
AFRIM IMAJ
© Panorama.al











