Bëmat e Sigurimit të Shtetit siç janë shfaqur. “Zhdukur – Sigurimi në fjalët e veta”, 19 degë Sigurimi, 3299 jetë, 1 histori”, Ky është studimi më i fundit i Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit që është publikuar së fundi.
I mbështetur në prova e dokumete autentike dhe në “Historikun e Sigurimit të Shtetit”, për periudhën 1944-1990, studimi në fjalë sjellë një panoramë të veprimtarisë ogurzezë të ish-Policisë Sekrete që funksionoi si një mekanizëm represiv me natyrë antinjerzore për gati gjysmë shekulli, ku përfshihen 19 degët e Sigurimit të Shtetit, të rretheve Durrës, Kolonjë, Burrel, Krujë, Lushnje, Dibër, Gramsh, Pogradec, Korçë, Tepelenë, Elbasan, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Tropojë, Skrapar, Librazhd dhe Tiranë. Gazeta boton sot një pjesë nga historitë e shumta të këtij botimi interesant të degëve të Sigurimit të rretheve Elbasan dhe Tiranë…
PËRKTHYESI I BURGUT TË BURRELIT
“Natë dimri… 25 janar 1947, e martë. Ishim mbledhur të gjithë rreth votrës në dhomën e zjarrit… Baba po korrigjonte hartimet e një klase së ‘Normales’ së Elbasanit… Duke përfituar nga muri i shembur i avllisë, njerëz të armatosur hynë pas pak në shtëpinë tonë… U paraqitën si njerëz të pushtetit lokal, se gjoja kishin ardhun për kontroll, për gjana të ndalume për kohën… Pashë…më vonë babën, duke zbritur nga shkallët me duar të lidhura… Akuzohej për komplot për përmbysjen e pushtetit, për bashkëpunim me anglo-amerikanët”. I biri, Emini, e kujton me këto fjalë arrestimin e babait.
Pas asaj nate, emri i Ethem Haxhiademit (1902-1965) do të shuhej për më së 4 dekada, nga 1947-a, deri pas 1990-s. Në po kaq kohë, dramat, tragjeditë, poezitë, përkthimet dhe studimet e tij do të heshtshin. Para asaj nate, ai kishte pasur në duar gjithë botën. Me shkollën e mesme të kryer në Leçe (Itali), ai do të ndiqte studime në Insbruk (Austri) dhe Shkenca Politike në Berlin e Vjenë. Ishprefekt i Lushnjës, drejtor në Ministrinë e Brendshme, anëtar i Institutit të ri të Studimeve Shqiptare, pas lufte u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe kryetar i degës së saj për Elbasanin. Më 1946, ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkollën “Normale” të Elbasanit, derisa u arrestua dhe u dënua me vdekje. Bibliotekën dhe dorëshkrimet ia konfiskuan, ndërsa pas ndërhyrjes së Aleksandër Xhuvanit dhe Omer Nishanit, dënimi me vdekje, iu kthye me burgim të përjetshëm. Vdiq më 17 mars 1965, pasi kishte punuar për shumë vjet, si përkthyes në Burgun e Burrelit.
DORËZIMI I TRISHTË I LEF NOSIT
“XH. N., ishte rekrutuar nga “Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit” dhe në mënyrë të pabesë, e çoi Lef Nosin në duart e forcave që e arrestuan më 7 gusht 1945″. Në studimin e historianit Edmond Malaj, për përndjekjen e Lef Nosit, shënohen të gjitha vendet ku ai u fsheh nga miqtë që të mos binte në duart e Sigurimit; nga Shkodra, në Malësinë e Dukagjinit, në Tiranë në disa familje dhe te mulliri i Xhemal Farkës, e mandej deri në Elbasan, ku u strehua në pyje, banesa dhe deri në një fabrikë alkooli.
Gjykata Ushtarake e Tiranës e gjykoi bashkë me At Anton Harapin “të akuzuar pse si kriminelë lufte dhe armiq të popullit… në cilësinë e tyre, anëtarë të Regjencës në kohën e okupacionit nazist, kanë bashkëpunuar dhe i kanë shërbyer këtij okupatori në dëm t’interesave të larta të atdheut dhe janë përgjegjës për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe dëmet materiale të kryera në vendin tonë”.
Mikja e tij, antropologia Margaret Hasluck, i dërgoi një letër Enver Hoxhës, ku tregohej e gatshme të dëshmonte përpara çdo gjykate shqiptare, për pafajësinë e Lef Nosit, por më 12 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me vdekje, pushkatim. U ekzekutua te “Kodra e Priftit” (ose, sipas një versioni tjetër, te Kodra e Kryegjyshatës Bektashiane), bashkë me Maliq Bushatin dhe At Anton Harapin.
Pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit, njëri prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, ministër i PostëTelegrafës (4 dhjetor 1912-1921 shkurt 1914), kryetar i Asamblesë Kombëtare (1943), anëtar i Regjencës (1943- 1944), botues, arkivist, filolog, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan. Një prej figurave më poliedrike të vendit, kishte lindur në lagjen “Kala” të Elbasanit, në një prej familjeve më të mëdha të qytetit…
Për ekzekutimin e tij, Adelina Kosturi kujtonte se: “Fill pas pushkatimit, kunati im, Jorgaq Kosturi, mori dy punëtorë, i mbuloi me dhe, se ishin varrosur shumë cekët dhe vendosi një kavanoz te këmbët e Lefit, për ta identifikuar më vonë. Ky varr nuk është gjetur akoma”.
SEKRETARI I FAN NOLIT VDES NË MJERIM
Në historikun e Sigurimit në Elbasan, ai përmendet si element që i kundërvihej vijës së partisë, por pa dhënë pasojat e kësaj kundërvënieje. “Qamil Çelirama, i cili më përpara kishte pasur pozita me rëndësi shtetnore dhe që njihej si komunist i vjetër dhe pjesëmarrës i luftës në Francë, filloi të villte vrer kundër vijës së partisë…”.
Mik i Lef Nosit, Hilë Mosit, Dervish Himës, Mithat Frashërit, ai kishte punuar në kabinetin e qeverisë së Sulejman Delvinës e Iljaz Vrionit dhe në ministrisë e Xhafer Ypit. Vrasja e mikut të tij, Avni Rustemi, e mbajti në Tiranë, kur më pas u bë sekretar i Fan Nolit, duke punuar me Haki Stërmillin. Pas rënies së qeverisë së 1924-ës, emigroi.
Në Bari strehohej te Bahri Omari, ndërsa në Francë do të bëhej anëtar i Partisë Komuniste. Është në Paris, kur delegacioni shqiptar shkon në Konferencën e Paqes, dhe atje takon Enver Hoxhën e Hysni Kapon. Me ndërhyrjen e Ymer Dishnicës, kthehet në Shqipëri dhe emërohet Kryetar i Kryqit të Kuq Shqiptar. Në 60-vjetorin e Hoxhës, nga Tirana i bëhet një vizitë, ku i kërkohet të dëshmojë aktivitetin revolucionar të Enver Hoxhës në Paris si student dhe ai përgjigjet, se: “nuk e ka njohur për të tillë”. Pas kësaj përgjigjeje, i pritet pensioni. Ata që e kanë njohur, si Bukurosh Dylgjeri, rrëfejnë se vitet e pensionit qenë vitet e izolimit të tij, ndërsa agjentët e Sigurimit të Shtetit e ndiqnin dhe e provokonin kudo. “Në vitet 1974 – 1975, Qamil Çeliramën e cilësuan ‘armik të popullit’ dhe si i tillë ndenji 14 vjet në izolim, arrest shtëpie”, shton Dylgjeri, duke rrëfyer se u nda nga jeta në mjerim të plotë.
Vangjel Lezho, udhëtimi i pamundur drejt Moskës
Ish-nxënës i “Normales” së Elbasanit, i diplomuar në Moskë për gazetari, më 1959, Vangjeli, baba e bashkëshort, nis punë si gazetar kulture, në “Radio Tirana”. Kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik po rrënoheshin, ai pa një dritë diku larg. Një të diel përvëluese korriku të vitit 1963, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, munguan në një vizitë që gazetarët e “Radio Tiranës”, i bënë në shtëpi një kolegu që martohej. Të nesërmen, në radio u hap fjala se Lezho, ishte arrestuar në tentativë arratisjeje nga Pogradeci. Atë ditë, Kokomani dukej i habitur. Pak ditë më vonë, edhe ai do të ishte në qeli.
Hetuesia e Lezhos, duhet të ketë qenë një torturë. Ai kishte lënë një dhomë shtëpi në Tiranë dhe ishte përpjekur të arratisej, për t’iu bashkuar gruas së tij ruse dhe së bijës. “Në mars të vitit 1962, merret në përpunim paraprak Robert Vullkani. Në muajin prill, sipas mendimit të dhënë nga Trifoni, bashkë me Vangjelin dhe Fadilin, shkruajnë tekste me përmbajtje armiqësore dhe me 28 prill…afishojnë dhe përhapin në rrugët e qytetit”, shkruhet në “Historikun e Sigurimit”.
Në të 30-at, dënohet me burg në Spaç, bashkë me mikun e tij Kokomani. Akuzoheshin se mbanin kontakte me oficerin sovjetik, Valentin Zhej. 13 vite më pas, është më i revoltuar se ç’ishte jashtë burgut. Më 9 korrik 1978, Lezho, Kokomani dhe shoku i tyre në burg, Xhelal Koprencka, i dërgojnë letra udhëheqësve të lartë të PPSH-së, Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë, ku kritikojnë ashpër Enver Hoxhën. “Perandorinë e Enverit e mban në këmbë armata e spiunëve… Ky ‘Olimpi’ ynë e ka mbushur Shqipërinë pëllëmbë e burg, që ua kalojnë edhe atyre të fashizmit…”. Pasi letrat mbërritën në Tiranë, Lezhon dhe Kokomanin i pret ri-dënimi. Nëse herën e parë i shpëtuan vdekjes, të dytën nuk ia dolën. Më 18 maj 1979, u dënua me vdekje, me pushkatim për “krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare”. U ekzekutua më 28 maj të po atij viti. Eshtrat e tij, ende nuk janë gjetur!
“Po mbushen 18 vjet që udhëheqja shqiptare, duke e çuar vazhdimisht popullin, gjithmonë kurrizpërkulur, në greminën më të turpshme që ka parë historia, sulmon pa pushuar, si kukuvajka në errësirë, vendin dhe popullin e madh të tetorit, me shigjetat më të pështira e të helmuara”.
NGA LETRA E KORRIKUT 1978 FADIL KOKOMANI, GAZETARI QË SHIGJETOI “ZOTAT”
“Te fotoja e parë, e madhe, ishin ata të tre, diku në një ledh, natën, në natyrë, të lidhur me një litar, që shikonin pa dyshim të frikësuar, të tmerruar kamerën e atij fotografit që po i fotografonte në momentin para pushkatimit. Pra, ishin gjallë. Dhe çuditërisht ishte ajo që më tërhoqi më shumë… Që më ngelën sytë… Që sikur ishin gjallë dhe më panë e i pashë… Pastaj fotografia ngjitur, e madhe prapë, ishin që të tre, por tashmë të shtrirë, të vdekur. Ndërsa në të tria fotot e vogla, ishte secili më vete, me plumbin në ballë…”.
Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka, ishin ekzekutuar, kur Fatos Lubonjës, bashkëvuajtës në Spaç, në formë presioni, i vihen përpara imazhet e tyre. Ishte viti 1979. Historia që u paraprinte atyre fotografive, niste në vitin 1963. I pari që bie në pranga, është Vangjel Lezho. Disa javë më pas, një të martë gushti në mbrëmje, Fadil Kokomani po dilte nga Radio Tirana. Ishte në të 30- at, kur jeta e tij u mbyll mes muresh.
Me studime të kryera në Universitetin e Leningradit (Shën Petërburg), ai shkruante tregime, reportazhe e skica letrare, por nuk kishte pranuar ftesën për t’u anëtarësuar në parti. Akuza ndaj tij, është; “si kryetar i një grupi që kishte shpërndarë trakte dhe kishte dashur t’i bënte atentat kryeministrit”. Historiku i Sigurimit të Tiranës, pretendon se Trifon Xhagjika, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, donin të vrisnin ministrin e Brendshëm dhe disa punonjës Sigurimi, për çka ky i fundit shton se: “Fadili kishte gjetur një bajonetë, me të cilën kanë bërë prova, si mund të vritet njeriu”.
Dënohet me vdekje dhe i falet jeta me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Nga Spaçi, ku vuante dënimin bashkë me Vangjel Lezhon, më 1978, i dërgon letër Komitetit Qendror të PPSH-së dhe dënohet me 10 vite burg.
“Krijuat një fe të re të perëndive të Tiranës, krijuat Zotin e ri në personin e Enver Hoxhës, të cilin e kanë tmerr dhe frikë të gjithë, pasi ai është bërë Zot i familjes, i ndarjeve dhe martesave, i aksioneve dhe i zboreve sfilitëse, i kafshatës së bukës dhe – çka është më tronditësja – ai është kapitalisti dhe punëdhënësi primar dhe permanent i kësaj toke shqiptare”, shkruanin Kokomani dhe Lezho.
Teksa vuante dënimin në kampin e Spaçit, më 23 shkurt 1979 u arrestua sërish dhe, më 18 maj të po atij viti, u dënua me vdekje, me pushkatim “për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare” dhe “për agjitacion e propagandë”. Ai u ekzekutua më 29 maj 1979, bashkë me Vangjel Lezhon dhe Xhelal Koprenckën. Gazetari e shkrimtari, është ende pa varr, pavarësisht përpjekjeve për kërkimin e eshtrave të tij nga nipi vet, ish-ministri i Brendshëm, Spartak Poçi (1999).
PJESË E LETRËS NGA BURGU E FADIL KOKOMANIT DHE VANGJEL LEZHOS
“Në një shtet ku jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet mendimit dhe rrugës politike të një suite të përjetshme, pa dyshim që ky shtet është pushtuar nga një humnerë amoraliteti! Në Shqipërinë Socialiste, fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës, i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me qëllimin humanitar që ai, fëmija, kur të rritet, të vrasë veten”.
KËRKIMI I ESHTRAVE
Rrëfimi i nipit të Kokomanit, Spartak Poçi (ministër i Brendshëm në vitin 1999)
“Bashkë me oficerin, shkuam në vendin e treguar. Ndodhej pranë një kazerme të mjerë ushtarake, e cila, megjithëse pa ndonjë funksion të dukshëm, ruhej me një ushtar. Aty për aty, ngrita një ekip gërmimi dhe filluam që atë ditë, por deri në muzg nuk gjetëm asgjë. Vazhduan të nesërmen, të pasnesërmen…”.
RRËFIMI I OFICERIT TË TOGËS SË PUSHKATIMIT
Oficeri i togës së pushkatimit, i pat rrëfyer ish-ministrit Spartak Poçi, nipi i Kokomanit, se makthi i natës së pushkatimit, e ndiqte tërë jetën. “U ndieva shumë i dobët për të reaguar… Kur makina u nis, ishte Fadili që pyeti se ku po shkonim… Dikur ndaluam në një shteg të ngushtë e të errët… Ngjitur me të ndodhej gropa. Ishte një skenë që të kallte datën. I ulëm në gjunjë, me fytyrë nga gropa. U qëlluan menjëherë, pothuajse njëkohësisht, me nga një plumb në kokë, nga mbrapa, në një distancë fare të afërt… Gjumi më del shpesh dhe i kujtoj të tre. Nuk kam provuar tmerr më të madh se atë natë të zezë. Kam pësuar një shok të pashlyeshëm”. Ishin ekzekutuar Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Xhelal Koprencka.
RRËMBIMI DHE VRASJA E GALIP HATIBIT
I akuzuar se “se ka hyrë në shërbim të spiunazhit të imperializmit amerikan”, 26-vjeçari dibran, Galip Hatibi, i sapomartuar, me 25 shtator 1946, arrestohet nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Dëshmitë flasin për një arrestim që merr formën e një rrëmbimi të fshehtë, para godinës së Universitetit të Tiranës. “Më 1946, me urdhër të Nestit, kam arrestuar ilegalisht Galip Hatibin…si agjent i amerikanëve. Ai merrej në pyetje nga Nesti dhe Thoma Karamello. Di se shpesh, Nesti me Thomain, e kanë rrahur keq Galipin dhe shumë keq e kanë trajtuar. Është vrarë ilegalisht në korrik-gusht 1948, me gjyq special, bërë me urdhër të Vaskës nga Angji Faber dhe Skënder Kosova”, pohonte oficeri i lartë i Sigurimit, Vango Mitrojorgji në autokritikë.
I mbajtur i izoluar për një kohë të gjatë në bodrumin e Seksionit të Sigurimit të Shtetit (te Selvia), ai nuk u mor asnjëherë në pyetje, derisa u ekzekutua, sipas disa dëshmive, diku afër zonës së Kinostudios, pasi ishte bërë kockë e lëkurë.
Gjatë procesit të vet, Koçi Xoxe i vënë tashmë në akuzë, pohonte se; “Për Galip Hatibin, Vaska (Koleci) më tha se ishte katandisur në gjendjen mizerabël dhe kështu, edhe me vendim të Komandantit (Enver Hoxhës) u ekzekutua me një gjyq formal”. Vartësi i tij, Vango Mitrojorgji, pohonte po ashtu, se: “lidhur me përdorimin e torturave, kur hasej rezistencë, përdoreshin me të madhe torturat, derisa i arrestuari, vdiste ose tregonte”. Ndërsa në gjyqin kundër Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, akt-akuza përmend se: “Nga provat dhe faktet e grumbulluara nga organet e hetimit, janë konkretizuar shumë raste të vrasjeve të tilla, të bëra pa gjyq, me urdhër të tradhtarëve Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti e Llambi Peçini. Këtu përmenden, ose siç janë vrasja pa gjyq e pastaj djegia në furrë nga Mihallaq Ziçishti, e Galip Hatibit të arrestuar si spiun i amerikanëve, vrasjet e kryera në Pukë, Rrëshen, Krujë, Burrel, Berat, etj.”.
Dëshmitë e personave përgjegjës, përfshijnë disa fajtorë në ekzekutimin e tij, duke thyer edhe vetë ligjet komuniste, fati i tij mbetet i paqartë, siç edhe vendi ku prehen eshtrat e tij nuk u mësua kurrë!
Pas vrasjes së Galipit, e shoqja Asamble Hatibi, njohu kalvarin e vuajtjeve bashkë me fëmijën, Durimin. Përveç pakënaqësisë që kishte kundër regjimit, që i vrau të shoqin, një akuzë tjetër që iu bë, ishte se ajo ka përforcuar fjalët për figurën e keqe morale të Enver Hoxhës. Asambleja do të arrestohej në tetor 1978 për t’u liruar në nëntor 1982. Përveç saj, përndiqej edhe i biri. Ndonëse i talentuar në futboll, ai u la të punonte në ndërmarrjen gjeologjike. “Është tepër korrekt, tepër i mbyllur, por në gjoksin e tij zien një vullkan. U këshillua”, shkruan Sigurimi për të.
SIGURIMI PRANON MANIPULIMIN
Oficeri i lartë i Sigurimit, Vango Mitrojorgji, i marrë i pandehur pas arrestimit të Koçi Xoxes, në një autokritikë që bën, zbardh mënyrën e vdekjes së Andrea Zisit. Andrea kish qenë komunist i orëve të para, themelues i “Grupit të Zjarrit”, grup komunist i themeluar në Athinë dhe që në vitet e para, në përplasje me komunistët, që do të merrnin pushtetin. Në kujtimet e Koço Tashkos, Zisi përmendet për lidhjet e tij me komunistët grekë dhe po ashtu, si sabotator që ka bashkëpunuar me Mustafa Krujën. Oficeri i Sigurimit, Vango Mitrojorgji, zbardh mënyrën si vdiq. “Di se kur kam qenë në D.P.M., Vaska ka urdhëruar për të ekzekutuar një farë Andrea Zisi, të cilin e ka ekzekutuar kapiten Kapo Kapaj. Këtë e kanë maskuar, se gjoja iku nga makina”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al