
Botohen letërkëmbimet mes Krujës e Gjonmarkajve.
Kruja: Mid’hati po mundohet të pengojë paktin që të vihet në krye të emigracionit.
Pas vendosjes së regjimit komunist, shumë nga ish-krerët politikë të paraçlirimit mundën për fat të arratiseshin jashtë vendit. Ndërsa në Shqipëri forcohej pushteti i Enver Hoxhës, në diasporë në Romë, Aleksandri, Kanë, kudo që ndodheshin politikanët në ekzil, hartonin plane për rrëzimin e pushtetit nga jashtë. Ishte ideja e krijimit të një komiteti, ku të mblidheshin bashkë ballistë, legalistë e të tjera personalitete, të cilat shpresonin mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Por, siç e tregoi historia, ky grupim nuk funksionoi, kjo sepse me sa duket krerët e grupimeve të ndryshme nuk gjenin dot gjuhën e përbashkët dhe kishin probleme më të “mëdha” për t’u zgjidhur, siç ishte: kush do bëhej kryetar i Komitetit. Dikush nuk i kishte me sy të mirë ballistët, një tjetër legalistët, dikush ishte me Zogun, një tjetër kërkonte që ai të tërhiqej nga skena… Kjo del qartë përmes letërkëmbimeve mes ish-kryeministrit Mustafa Merlika-Kruja, familjes Gjomarkaj dhe Zef V. Nekaj. Një pjesë e këtij letërkëmbimi është mbledhur në një libër të botuar nga “OMSCA-1” “Kuvend letrash me miqtë”. Një botim i rëndësishëm për nga vlera historike që ai ka në zbardhjen e aktivitetit antikomunist jashtë Shqipërisë. “Vëllimi, që merr në dorë lexuesi, është i dyti i llojit e do të pasohet nga dy, ose ndoshta tre të tjerë. Ky paraqet korrespondencën ndërmjet Krujës dhe Kapidanit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni e djalit të tij, Ndue Gjomarkaj… Letërkëmbimi vazhdon deri më 1957-n. Është mjaft fragmentar, mungojnë letra, mbasi në të bëjnë pjesë vetëm letrat që janë gjetur në arkivin e familjes Merlika e që janë kryesisht ato që janë marrë”, shpjegon Eugjen Merlika. Më poshtë kemi përzgjedhur disa letra nga ky letërkëmbim i gjatë, që tregon përpjekjet e vazhdueshme dhe në mënyrë të tërthortë arsyen e dështimit…
Romë, 26-IV-1948
I dashtuni Mustafë,
…Sikurse e din, na jemi kenë mundue mjaft me mujtë me ba nji bashkim të gjitha grupeve politike, ose ma mirë me thanë të gjitha forcave t’emigracjonit, mjerisht pa kurrfarë rezultati…
Për këtë bashkëfjalim, kan shkuar prej andes s’eme Ismajli e Koliqi, të cilët ishin thirrë për së drejti prej tij (përfaqësuesi grek në Romë). Mbas pak ditve na ftoi, babën e mue, për nji çaj në shpi aty folëm gjanë e gjatë mbi ket

qashtre e mujta me kuptua se edhe ata ishin disi kundra legalitetit, ndoshta të frymëzuemë prej Ballistave. Unë u mundova n’at t’emen me ja shpjegur qashtjen në kët mëndyrë: “Ju e dini se n’emigracjon shqyptarët janë të damë në tri grupe politike: Balli Kombtar, Legaliteti (Zogistat) e Bloku Kombtar Indipendent. Posë ktyne Grupeve ka shum personalitete qi s’bajnë pjesë n’asnjanën prej ktyne Grupeve. Për me ja mbrrijtë ktij bashkimi, nuk asht kurrsesi e mundun e aspak e logjikshme me parjashtue X grup a X personë’ pse po të veprojmë na në kët mëndyrë nuk kishim me ba nji politikë kombtare shqiptare por vetëm politikë partinash e qi unë e kujtoj shum të damshme për interesat t’ona kombtare e personale.
Ne nuk kemi kurrfarë të drejte me përjashtue njanin ase tjetrin e po per kët arsye e kemi caktua në Statutin t’onë ku e kemi theksue: me bashkëpunue me çdo grup a personë… Sa për legalitetin, ajo asht nji parti monarkiste, e une nuk e besoj qi Zogu si Mbret të deklarohet kryetar i ksaj partije pse kishte me çveshë vetin prej cilësive Mbretnore; prandaj ai si ish Mbret i shqyptarve duhet të qindrojë në nji andë syth jashtë çdo partije e kshtu të presi shlirimin e Shqypnisë e Plebishitin e Popullit Shqypatr. Prandej legaliteti duhet vu në korrent të qashtjes e ftue për kët bashkim. Në qoftëse legaliteti nuk dishron me marrë pjesë në ket bashkim, atëherë Balli dhe Bloku bashkë me personalitetet e tjera kan me shqyrtue qashtjen e me vendosë se çka me ba. E pyeta se mbasi të bahet ky bashkim e të formohet Komiteti qendruerë çdo të ngjasë e çfar ndihmash do të kishim? Më tha qi jemi gadi me ju ndihmue në çdo gja e për kte kemi pëlqimin e përkrahjen e Anglo-Amerikanve, por kto qashtre do të bisedohen vetëm me Komitetin…
Ndue Gjomarkaj
Aleksandrí, 19 qershuer 1949
Fort i dashtuni Kapidan,
Letra e jote me datë 30 máj më ka ra në dorë mbas nji jave e e çelun prej censuret. Shpresoj se këtë t’emen ke për t’a marrë shpejt e të pacensurueme. Deshiroj qi t’a lexojnë edhe Z. Vërlaci e Ernesti e t’a dalloni së bashku ç’mund të jetë e vjyeshme e e pavjyeshme në tê. Qazim Mulleti po ju thirrka “klikë”. Ai nuk i shquen në qarkoren e tij emnat e ksaj klike të Blokut, por mâ ata s’ka njeri qi s’i merr vesht. Ah, sikur të kishin qênë e t’ishin të gjitha klikat shqiptare kështu si e jueja! Edhe un këtu kam krijue nji klikë me Agon e Nexhën…

Këtë letër po më duhet me e fillue me nji ton pak si profesoral e pak si avokatuer. Kjo s’ka vênd kurrkund me shokë e me miq. Por âsht deshir’i im me u spjegue mirë. S’jam bâ kurrë avokat personash veçse në shërbim të nji ideje. E qe ideja qi m’âsht ngulun thellë në trû: e para, qi nji Shqipní republikane, me këtë brumë qi kemi na, kishte me qênë e zeza e saj; e dyta, qi nji monarki shqiptare pa Zogun tashmâ veç n’ândërr mund të shifet; e treta, edhe monarkija pa nji lidhje të ngushtë e me nji besim sa mâ të plotë ndërmjet Zogut e Blokut kishte me qênë nji gjâ si ajo e dikurshmja qi s’kemi dashtun. Blok në mendimin t’em don me thânë për sod vetëm pak persona të vjefshme qi i apin nji kuptim; por për nesër e tutje un shoh në tê nji tendencë qi, po të bâhet realitet, ka me qênë nji lumní e madhe për Shqipnín. E këtë realitet mund t’a shpresojmë vetëm prej sa thash këtu para për lidhjen Zog – Blok. Nuk due me shkue mâ gjatë përmbi këtë themë, por besoj se edhe me kaqë keni me më kuptue.
Qe, këto janë tri pikat themelore qi përbâjnë idén t’eme, në shërbim të së cilës e kam vue veten në këtë mërgim.Do të jemë i lumtun t’a dijë qi âsht e pëlqyeme edhe prej jush. Për sa i përket taktikës për me i a mbërrîmë realizimit të ksaj ideje s’âsht pun’ e vështirë me u marrë vesht. Ideja e përbashkët e zêmrat e pastra ndreqin gjithça. Mbandej kur të jetë çëmue ideja për aqë sa kujtoj un se vlén, shumë vogëlsina të paevitueshme ke njerzit nuk munden e nuk duhet t’a zhvlersojn atê.
E qe, tash, mendimet e mija qi themelohen përmbi këtë bazë: un them se juridikisht Shteti âsht si nji tavolinë qi qëndron përmbi tri kâmbë, e cila, t’i hjekmen njânën prej tyne, rrëzohet. Kâmba e parë âsht populli, natyrisht nji popull i organizuem e i shtruem të njâjtave ligjë, siç e përcakton e drejta kushtetore; e dyta âsht toka kombtare qi përfshin mbrênda këtë popull; e treta kâmbë e tavolinës – Shtet regjimi, i cili mundet me qênë monarqik ase republikan. Pra ku mungon njâni nga këta tre elementa aty Shtet s’ka.
Në qoftë se ligjët qi sundojnë popullin janë të pëlqyeme vullnetarisht prej shumicës së tij, drejt për drejt ase me anë të përfaqsuesve të vet zgjedhun lirisht dhe regjimi ka në dorë vetëm inicjativën a pjesmarrjen në hartimin e tyne si edhe të drejtën me i sankcionue e barrën me i zbatue, ky quhet regjim demokratik; por po qe se ligjët i bân regjimi vetë pa e pyetun fare popullin ase tue e shtrëngue këtê me terrorizëm qi t’i aprovojë, ky atëherë âsht regjim despotik, policuer, terrorist, diktatorjal.

Deri në 1939 na kishim nji Shtet me të gjitha kushtet juridike e të njohun si të tillë prej botës mbarë. Ky Shtet pau në prillin e asaj vjete tokën e vet të pushtueme prej nji ushtrije të huej. Popullit shqiptar i u imponuen ndryshime në regjimin e tij e i u grabit indipendenca kombtare. Bota nji pjesë ishte në luftë e pjesa tjetër tue e pritun e tue i u përgatitun. Fat’i Shqipní varej prej ksaj lufte. Italija duel e mujtun prej saj e me traktatin e paqës qi nënshkroi u shtrëngue me hjekun dorë nga të gjitha të drejtat qi i kishte grabitun Shqipnís me forcë. Me kët’akt pra Shteti shqiptar kthehej në gjêndjen juridike qi kishte para pushtimit italjan: Shtet indipendent me nji regjim monarqik konstitucjonal e me ata kufij qi kishte para luftës. Me fjalë tjera shlyheshin të gjitha efektet, të mira e të këqija bashkë, qi kishin rrjedhun prej luftës botore. Veçse mjerisht faktorë tjerë ishin krijue gjatë luftës e si pasojë e saj qi s’e lanë Shtetin t’onë me u kthye automatikisht në gjêndjen e përparshme: revolucjoni e regjimi komunist, i pështetun në ndihmat e Aljatvet e në përkrahjen e Bashkimit Sovjetik, dhe pretendimet greke për t’i shkëputun Shqipnís së vogël edhe nji copë të mirë të tokës kombtare tue shtí për shkak nji luftë të shpallun kur Shqipnija kishte humbun të tâna karakteristikat juridike të nji Shteti indipendent. Përpara ksaj situate na duhet të jemi tepër të matun e të hollë në zgjedhjen e argumentave t’anë tue i dalë zot çâshtjes kombtare. Argument’i ynë themeluer duhet të jetë qi legalisht eksiston nji Shtet shqiptar me popullin e vet, me tokën e vet e me regjimin e vet ashtu siç ka qênë përpara agresjonit të huej. Ky popull në 1939 pat humbun indipendemcën e vet, por në 1941 fitoi unitetin kombtar e gjatë gjithë luftës nuk vuejti asnji herë për bukë; por sod i ka humbun të gjitha e prej zijet e terrorit âsht në rrezik me bjerrë deri eksistencën e tij. Kufijt e tokës shqiptare, ashtu siç janë sod e siç kanë qênë edhe në 39 janë caktue e vërtetue me traktate ndërkombtare si minimum i nji Shteti të vogël qi mezi mund të rrojë me ta e në kundrështim flagrant me realitetin ethnik të kombit tonë kah veri. Për sa i përket regjimit, ky deri në 1939 ka qênë monarqik de facto e de jure. De jure i tillë âsht edhe sod e deri qi populli vetë mos të jetë në gjêndje me shfaqun lirisht vullnetin e vet për t’a mbajtun a për t’a ndërrue. Mohimi i këtij fakti juridik kishte me qênë baras me mohimin e eksistencës së nji Shteti shqiptar jo komunist ase me pranimin e legjitimitetit të regjimit t’Enver Hoxhës me shokë, mbasi Shtet pa pushtet nuk mund të ketë simbas së drejtës kushtetore….
Të vijmë tash në fjalë tjera. Midhat Frashëri âsht mundue sa ka mujtun deri sod e ndoshta ka për t’u përpjekun edhe mâ për me pengue çdo marrveshtje ndërmjet grupevet tue përdorë sod nji slogan e nesër nji tjetër e me të vetmin qëllim të vërtetë qi t’i a mbërrijë ai personalisht me u shque midis nji kaosi e me e përfaqsue ai vetëm Emigracjonin shqiptar ku âsht vêndi, kështu qi nji ditë t’a presë Shqipnija si liberator e t’a brohorisë për kryetar republike bashkë me ndonji Zef Pal si kryeministër! E deri diku besa edhe i a pat mbërrimë qëllimit. Por tekembramja i u lagën letrat. Tash edhe pak me ndihmën t’uej aty e me zotsín t’uej në manovrimin politik si me Shqiptarë ashtu me të huej, Midhati ka me qênë i shtrënguem më lëpí gjithça ka vjellë deri sod kundra tjerve e me ardhun në hullí bashkë me ta ase me mbetun me ata dhetë kriptokomunista qi ka me vete pa ia varë kush torbën. Do të shohim atëherë se cila anë ka me peshue mâ tepër në kandarin e atyne qi kanë interesë me punue me Shqiptarë, Midhati me të vetët apo gjithë pjesa tjetër e Emigracjonit e bashkueme.
Por po qe se Midhati tekembramja do t’i a ndëgjojë kuj ndonji kshill, qi jam i bindun se s’ka me i mungue, e do të hyjë edhe ai në valle me ju tjerët, atëherë mos i a kurseni edhe atë kryesí të shkretë për të cilën plasi! Në mos tjetër për moshën qi ka. Veçse çilni swt fort në hartimin e statutit të beslidhjes qi do të bâni, se Midhati âsht mësue në partín e tij me bâ si t’i dojë qejfi.
Jam i mendimit qi Komiteti të përbâhet prej katër kryetarvet: Midhati, Ismaili, Bazi e Xhaferi. Po s’u afrue Midhati kujtoj se duhet t’i a zânë vêndin Koço Muka, qi mbyll edhe nji shteg në Komitet si ortodoks. Se njimênd, na kemi edhe këto halle: Gegë e Toskë, katoliq e myslimanë. Mirë do t’ishte me i shikue edhe këto sa të jetë e mundun, sidomos edhe pse âsht bâ si traditë nëpër Kshillin e Regjencës qyshë në 1920 e deri në atê të 43-s. Sa për katolik, problema do t’ishte lehtë me u zgidhun tue hw ti në vênt t’Ismailit. Ndërmjet ju të dyve s’ka të damë, jeni si njâni tjetri e me këtë sy ju shikojnë edhe bota qi ju njeh. Natyrisht keni për t’organizue edhe nji sekretarjat si duhet. Në qoftë se hwn Midhati vetë, si ortodoks, e aqë mâ mirë qi âsht edhe himarjot, un kishem me proponue qi të shtini edhe Koçon për të pestë e të paanshëm, por si të ketë dhânë dorhjekjen prej Ballit.
Ndoshta mund të ju dalë ndonji kundrështim për Xhaferin prej qarqeve të hueja me të cilat keni për t’u marrë vesht. Këtu âsht bâ çmos për t’a hjekun atë kundrështim. Por po qe se ka mbetun ende, janë dý rrugë: ase thirret Komiteti me nji emën qi nuk përmênd grupe, si me thânë Komiteti i Beslidhjes Shqiptare Antikomuniste, ase fundi i fundit në vênt të Xhaferit un po ju kujtoj Prof. Miftar Spahín qi âsht prej Lume e shumë djalë i mirë. Ky ka mbetun në Greqí, se s’e kanë lânë Grekët me dalë; por ju, po qe se shifet me udhë, mund t’a nxirni.
Në vija të përgjithshme un thesin t’em e shpraza krejt. Tash s’më jet tjetër veçse me ju urue punë të nbarë gjithsi qoftë e mira e Atdheut e… besa edhe e jona. Përqafime si tý ashtu Ndoit prej ne të dyve qi jemi këtu e shumë shëndet edhe Ernestit e Zit Vërlaci.
Aleksandrí, 28 korrik 1949
I dashtuni Ndue,
….Gjithsa herë kam folë me Mbretin për sa i përket nji bashkpunimi të Shqiptarvet në mërgim qyshse gjindem këtu n’Egjypt, për shumë kohë e shifshem si të ftohtë, si të pitë, më dukej sikur diç donte me thânë e s’i dilte prej gojet. Tekembramja nji ditë prej ditsh – ka qênë nj’aty kah fundi i tetorit të kaluem – po më thotë: “ Mustafë,” – ishte kjo nji nga të rrallat herë qi po m’a drejtonte fjalën kështu, se zakonisht më thërret “Zoti Ministër” – “Atdheu i ynë ka aqë shumë anmiq qi âsht për njimênd vështirë me i a vu gishtin kuj për mik; të tânë kishin me qênë gati me na sakrifikue për interesat e veta. Duhet pra mênde e prehtë e karakter i fortë pej anës s’onë për mos me rá në ndonji kllapë të rrezikshme për vêndin t’onë. Sikur t’ishte punë e mundun me zgjedhë lirisht ndër sa refugjatë qi gjinden sod të shpërdamë andej e këndej prej nesh, nuk do t’ishte aqë pun’e vështirë me bâ bashkë nji tubë njerzish qi kush mâ shumë e kush mâ pak t’i përmblidhshin ato dý cilsí të nevojshme. Por mjerisht janë shumë gjâna qi na pengojnë për nji zgjedhje personash të denja për nji barrë aqë të rândë. Në Shqipní kishim fenat e krahinat; këtu tash kemi edhe partina e grupe qi duhet me kënaqë e jo veç këto, por edhe persona. E si mundemi me i plotsue të gjitha këto nevoja tue i pajtue edhe me atê t’interesës s’Atdheut qi na duhet të kemi paraswsh në çdo hapë qi të bâjmë? Në Shqipní, me qeverí, me parlament, me administratë e me kshille gjithfarësh gjindet vênd për të tânë e shum’a pak simbas meritës së secilit, por këtu përjashta s’ka vênd veçse për 4-5 vetë, qi duhet të jenë mâ të zott e mâ të fortët për karakter. Edhe mos me qênë të gjithë majza e mêndes e e dijes, mjafton të jenë veç të tânë me karakter, të jenë patriotë e burra; tre burra të mêndshëm në komitet kishin me mjaftue. A t’a merr tý mêndja qi mund të formohet nji komitet ksi doret i pranuem e i pëlqyem edhe prej grupevet qi janë sod përjashta?”
Iu përgjegja se as un nuk besojshem qi nga marrveshtja e grupevet mund të dilte nji komitet ideal, por mâ mirë t’u bânte diçka se kurrgjâ. Por ai tha qi ishte i mendimi të kundërt, dmth. mâ mirë kurrgjâ se nji komitet i keq. Mâ në funt i a lidhi kryet kështu: “Ti, në t’u mbushtë mêndja nisu e shko vetë n’Italí, bisedo me Kapidanin e me kê të duesh tjetër. Ty mêndja as dija as eksperjenca s’të mungojnë. Për burrní e atdhetarí Shqipnija s’ka asnji përmbi ju të dy. Besimin t’em e keni të plotë. Po ju a preu mêndja se mund të bâhet gjâ e mirë, ashtu si e lyp interesa e Atdheut, bânje se keni me pasë gjithë përkrahjen t’eme.”
Ka nja tre muej, kujtoj, vjen te Mbreti shefi i sekcjonit balkanik në Ministrí të jashtme amerikane Z. Beri (nuk dij si shkruhet, por kështu u thirrte) e i thotë: (po diftoj pikat kryesore) “Departament’i Shtetit deshiron qi Madhnij’e Juej të bâjë nji deklaratë ku të thoni se pëlqeni dhe përkrahni Midhat Frashërin si përfaqsues t’emigracjonit shqiptar në Frontin e Përbashkët Antikomunist të kombevet balkano – danubjane qi âsht tue u krijue në Shtetet e Bashkueme e se për t’a lehtue mâ mirë misjonin e tij pezulloni deri në lirimin e Shqipnís prerogativat mbretnore qi Ju njeh statuti themeltar i Shqipnís edhe qi pranoni nji plebishit të lirë të popullit shqiptar për sa i përket regjimit t’ardhshëm.”
Mbreti i përgjigjet: Për mue të gjithë Shqiptarët nacjonalista janë baras e duhet të jemë i paanshëm me të tânë. Kujtoj qi burra t’aftë e patriota si Midhatin Shqipnija ka edhe tjerë, si mbrênda ashtu përjashta. Ju me fjalët qi më thatë po më kërkoni qi un, për sa më përket, t’a lëshoj fatin e Shqipnís për një kohë të gjatë e në rrethana me rândsí decizive në duert e nji njeriu të vetëm, gjâ qi s’më duket e arsyeshme. Me gjithë këtê po qe se nji misjon si ky qi më lypni me pëlqye për Zin Frashëri e pëlqejnë të tânë refugjatët shqiptarë do t’a pëlqej dhe un si mbret. Pra Midhati le t’a kërkojë këtë misjon pikë së pari prej refugjatvet gjithmbarë qi gjinden n’Italí, në Greqí, në Syrí, n’Egjypt e në Tyrkí e n’i a njofshin ata as un s’do të kemë ndonji kundrështim edhe bâj deklaratën t’eme në favor të tij. Nji rrugë tjetër mâ e shkurtë për tê âsht me mbledhun krenët e personalitetet e grupeve politike të ndryshme t’emigracjonit shqiptar, të merret vesht me ta, të formojnë së bashku nji komitet edhe kështu Z. Frashëri mund të zgjidhet kryetar i këtij komiteti. Edhe un vetë kishem me i kshillue me gzim krenët e grupevet qi të zgjedhin atê për kryetar të komitetit. Kujtoj se si mënyra e parë ashtu edhe kjo e dyta janë konforme me rregullat demokratike për të cilat Shtetet e Bashkueme kanë luftue e po përpiqen edhe sod. Prerogativat mbretnore qi më njeh statuti themeltar i Atdheut t’em un s’e shoh veten t’auktorizuem me i pezullue, mbasi statuti vetë nuk m’a ka dhânë atë të drejtë. Por po të formohet nji komitet me pëlqimin e të katër grupevet shqiptare, ky komitet mundet me qênë i sigurtë se prej anës s’eme s’ka për të pasun asnji pengim në veprimet e tija për shpëtimin e Shqipnís, për kundrasi kam me i dhânë gjithë ndihmën qi të më vijë prej doret. E për këtê kam me e sigurue edhe botnisht në deklaratën t’eme qi do të bâj në qoftë se komiteti ka me qênë me të vërtetë si thashë…”
….Me kaqë i u kam përgjegjun edhe letrës s’ate. Tash po presim a po shpallet a jo komiteti i famshëm. Mbandej bisedojmë prap. Ndoshta organet e përgjegjëshme anglo – amerikane s’kanë me qenë aqë të papërkulshme sa janë tregue këtu oficerat e tyne. Në mendofshin edhe ato se Midhati e Bazi mjaftojnë për t’a zgidhun çâshtjen shqiptare, se Mbreti Zog e Gjon Marka – Gjoni me shokët e tij s’meritojnë me u vu baras me ta, atëherë mirë, po thomi le të shkojë edhe kjo me tjerat e uzdaja në Zotin! Në qoftë se s’peshojmë gjâ në kandarin anglo – amerikan tash po shohim se si mund t’a ndreqim kandarin t’onë…
Me përqafime
Mustafa











