Letër e hapur Presidentit Bega

Sep 18, 2024 | 7:46
SHPËRNDAJE

NGA ABAZ HOXHA 

Abaz Hoxha
Abaz Hoxha

Zotit Bajram Begaj

President i Republikës

Për njoftim zonjës ministre të Kulturës

I nderuar zoti President, unë jam Abaz Tahir Hoxha, teknik ndërtimi (gjeometër), inxhinier elektronik, studiues dhe historian i parë dhe i vetëm i kinematografisë, për shumë vite pedagog i Akademisë së Arteve dhe i Akademisë “Marubi” të Filmit dhe Multimedias, ku kam dhënë lëndën e Historisë së Kinematografisë Botërore dhe shqiptare. Udhëheqës i punës së diplomës për disa studentë të arteve si Kiço Londo, Suela Konjari etj.. Një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare dhe kuadri i parë i lartë me arsim profesional i saj. Anëtar i Redaksisë së Arteve dhe Arkitekturës në Akademinë e Shkencave për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar dhe hartues i 44 zërave të saj, themelues organizator dhe për 17 vjet drejtues i Arkivit Shtetëror Qendror të Filmave (Anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmave (FIAF) nga viti 1963, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe fitues i dy çmimeve në konkurset kombëtare letraro-artistike, publicist dhe autor i mbi 180 shkrimeve të karakterit problemor dhe studimor si dhe autor i 30 librave të botuara për kinematografinë shqiptare dhe botërore dhe figurave përfaqësuese të tyre. Hartues i Enciklopedisë së parë të Artit. Anëtar i Akademisë ShqiptaroAmerikane të Shkencave dhe Arteve.

Kam një veprimtari gjithëjetësore në të gjitha fushat e kinematografisë si:

Veprimtari pedagogjike, II.Veprimtari inxhinierike,III. Veprimtari studimore dhe kërkimore shkencore, IV. Veprimtari publicistike, V.-Veprimtari krijuese letraro-artistike, VI. Botime librash për kinematografinë, VII. Veprimtari Arkivistike, VIII. Përkthime e redaktime filmash të huaj etj., të cilat jepen më hollësisht në CV-n e tij.

Veprimtari të tjera: Ka bërë një seri studimesh, programesh dhe projekte teknologjike për ndërtimin e kinemave dhe shtrirjen e rrjetit kinematografik në të gjithë vendin. Një studim për ngritjen e Orkestrës Simfonike të Kinematografisë dhe të Radios/1958, e cila u miratua dhe filloi punën në vitin 1964 nën drejtimin e dirigjentit Mustafa Krantja dhe funksionoi me këtë emër deri në vitin 1984, studimin për ngritjen e Televizionit Shqiptar më 1959, që u miratua dhe filloi një stacion eksperimental në vitin 1961, ka marrë pjesë në projektimin e Pallatit të Madh të Kulturës për problemet e akustikës dhe izolimit nga zhurmat/kryesisht për sallën e operës. Ka hartuar programet dhe projektet teknologjike të të gjithë objekteve të Kinostudios dhe veçanërisht të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit etj..

Ka përfaqesuar kinematografinë dhe Arkivin Qendror të Filmit dhe ka folur në disa veprimtari ndërkombëtare si në Berlin 1958; Varna, Bullgari 1965, Bukuresht 1968/ , Romë, Milano, Torino, Rapallo, Itali, 1981, Vjenë 1984-1985; Frankfurt, Berlin, 1987; Duseldorf 1990, Televizionin e Shkupit dhe Kumanovës, 1997; Universitetin e Venecias 2003, Kings College të Londrës 2005, në Athinë e Kopemhagen 2007 etj.. Është përfaqësuar në mbi 25 intervista të gjata në studio televizive dhe të radios brenda dhe jashtë vendit

Veteran i Luftës Antifashiste dhe pjesëmarrës në formacionet e armatosura partizane që në moshën 14-vjeçare. Dekoruar me disa medalje e urdhra të luftës e të veprimtarisë studimore. Kohët e fundit i nderuar nga Prefektura e Vlorës si “Qytetar Nderi i Qarkut”, sikurse edhe nga Shoqata P.K. e Tragjasit si “Krenari e Fshatit Tragjas” dhe certifikatë falënderimi nga Biblioteka “Shefqet Musaraj” e Qarkut të Vlorës.

Në muajin janar 2020 zgjedhur ndër 9 personalitetet e letërsisë dhe arteve të vendosur në portalin e çelur në internet për promovimin e trashëgimisë kulturore nëpër botë WWW.SHTEG.al/Abaz Hoxha, ku jepet edhe një intervistë e gjatë në video.

Është nderuar me titullin e lartë “Krijues i shquar” nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe Akademia Alternative Pegasiane Albania. Është anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve nga viti 1998.

Që në vitin 2012,, propozuar nga 7 Institucione të Kulturës dhe Artit, Presidenti Bamir Topi dhe më vonë edhe dy Presidentëve pasardhës për t’i dhënë titullin “Nder i Kombit”, shoqëruar edhe me dy rekomandime nga “Artistët e Popullit” dhe “Nderi i Kombit” Dhimitër Anagnosti dhe Margarita Xhepa. Ky titull nuk i është dhënë.

Emri dhe veprimtaria e tij është paraqitur edhe në rrjetet sociale “Hermitage World Enciklopedy”, “Wikipedia” dhe “You Tube”.

Ka lindur në fshatin Tragjas të Vlorës, në një familje intelektuale dhe patriotike më 14.04.1930. Babai, Tahir Hoxha, arsimtar i njohur dhe veteran i Luftës së Vlorës, për një kohë komandant çete në Kaninë dhe i plagosur. Gjyshi, Zaçe Xhelo Zotaj, nderuar nga Presidenti i Republikës me “Urdhrin e Shqiponjës së Artë” si veteran me rastin e 100-vjetorit të epopesë legjendare të Vlorës, 1920.

I nderuari zoti President! Para 12 viteve, 2012, i është bërë një kërkesë ish-Presidentit të Republikës, z.Bamir Topi nga 7 institucione artistike dhe dy “Artistëve të Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, Dhimitër Anagnosti dhe “Margarita Xhepa” për të më dhënë titullim “Nderi i Kombit” për veprimtarinë time gjithëjetësore në fushën e kinematografisë dërguar zyrtarisht nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, me shkresë, prot. nr. 45, datë 09.04.2012, të shoqëruar me 11 dokumente me 28 faqe për veprimtarinë time, të cilin po e bashkëngjis. Kjo kërkesë më vonë i është dërguar edhe Presidentit z.Bujar Nishani dhe Ilir Meta. Deri më sot nuk ka asnjë përgjigje kur shumë nxënësve dhe bashkëpunëtorëve të mi që kanë bërë kërkesë më vonë se unë dhe veprimtari shumë më të kufizuar vetëm në një fushë janë nderuar me tituj të ndryshëm.

Zoti President!

Asnjëherë në jetën time nuk e kam preferuar bujën, reklamën, tundjen e shkundjet me dekorata nëpër presidiume, titujt dhe gradat. Jam veteran i luftës, por asnjëherë nuk e kam përdorur këtë për t’iu imponuar të tjerëve, asnjëherë në jetën time nuk i kam vënë dekoratat në gjoks, asnjëherë nuk kam marrë pjesë në paradat dhe presidiumet, biles edhe punonjës të Kinostudios e kanë marrë vesh tashti vonë që kam qenë në luftë dhe kam edhe një vëlla dëshmor. I jam kushtuar punës dhe kinematografisë shqiptare, duke bërë shumë shkrime e libra se veprat mbeten, ndërsa titujt e gradat harrohen kur ke kaluar në botën tjetër.

Por më bën shumë përshtypje, zoti President, se po injorohet vepra ime shumëvjeçare, po injorohet edhe kontributi i kinematografisë shqiptare. Më duken shumë të çuditshme disa ngjarje e fakte, që më kanë ndjekur për shumë vite. Që në vitin 1995, pa kërkesën time, Këshilli Bashkiak i kryeqytetit me vendimin e tij Nr.171/1 dt. 29 nëntor 1995 ka bërë propozimin Këshillit të Ministrave për të më dhënë një pension të veçantë dhe nuk u mor parasysh, kur shumë nxënësve dhe bashkëpunëtorëve të mi iu akordua, ndonëse disa nuk e meritonin, por kishin miqësi dhe njerëz me pushtet.

Disa herë është bërë propozimi nga Ministria e Kulturës për të më dhënë pension të veçantë, kërkesa e fundit e ministrit Bujar Leskaj i është dërguar Këshillit të Ministrave me shkresë nr.1673, prot. dt. 07.03.2006. Përsëri nuk u miratua.

Siç tregova më lart, unë nuk kam bërë asnjëherë kërkesë për tituj e grada shkencore, por shumë shokë të mi pedagogë që i kishin të gjithë titujt të marra me një ose dy vepra më këshilluan të bëja kërkesë të paktën për sadisfaksionin e familjes. Ma mbushën mendjen dhe duke u nisur në një Vendim të Këshillit të Ministrave Nr.786, dt. 17.12.1998 i cili në nenin 8/2 të tij përcaktonte se kërkesë për tituj e gradë shkencore mund ta bëjnë edhe ata që për arsye të ndryshme deri në moshën 55-vjeçare nuk i kanë marrë këto tituj, mund të bëjnë kërkesë duke i shoqëruar me veprat e tyre të shkruara. Kam bërë disa herë kërkesë të më jepej dikur një pasaportë shërbimi për të vazhduar punën time kërkimore në disa arkiva dhe institucione kinematografike evropiane për të gjetur dhe tërhequr filma që kanë xhiruar të huajt në Shqipëri në të kaluarën, edhe kjo, ndonëse m’u premtua disa herë, nuk m’u dha. Të gjitha këto më bëjnë të dyshoj se diçka ka pas – ose janë intriga dhe xhelozi të personave me ndikim që kanë ndikuar në Institucionet shtetërore, ose edhe më keq, ka qëllime abuziviste për të paguar për përkushtimin tim gjithëjetësor në fushën që i kam kushtuar jetën time. Këto janë arsyet, zoti President, që bëj këtë kërkesë dhe jo për t’u tundur me titujt dhe gradat, të cilat nuk i kam synuar asnjëherë në jetën time e jo tashmë që jam në fund të jetës.

Zoti President

Gjithë jetën i jam kushtuar kinematografisë dhe nuk jam preokupuar për tituj e grada shkencore, jetoj me një pension të thjeshtë, jam në fund të jetës time, por me duket shumë paradoksale të mos më vlerësojë shteti im kur me respektojnë dhe më citojnë shumë institucione dhe personalitete të kinematrografisë botërore, si i vetmi studiues në këtë fushë dhe librat e mija ndodhen në shumë biblioteka dhe institucione ndërkombëtare. Kam besim të plotë se ju do ta vlerësomi këtë propozim që nuk nderon vetëm mua dhe familjen time, por është një nderim i madh edhe për kinematografinë shqiptare, të cilës unë i kam kushtuar jetën dhe do të bëhet edhe një inkurajim edhe për studiues të tjerë për studime më të thelluara në këtë fushë të virgjër. Me këtë rast pranoni, i nderuar zoti President, ndjenjat e konsideratës sime të lartë.

Me respekt Abaz Tahir Hoxha Historian i kinematografisë

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura