KRISTAQ BERXHOLI
I nderuar z. ministër!
Unë që po ju shkruaj këtë letër jam Kristaq Bërxholi, profesor i Virologjisë dhe Imunologjisë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare – Tiranë.
Duke qenë se jam veteriner me një karrierë prej rreth 40 vjetësh që punoj në këtë shërbim, pasi FMV është pjesë e këtij shërbimi, ku rreth 25 vjet si punonjës shkencor dhe drejtues IKV-sot ISUV, po ju drejtohem juve me këtë letër të hapur për disa shqetësime legjitime të lindura këto kohët e fundit, lidhur me shërbimin veterinar në vend.
Siç e dini dhe vetë, shërbimi veterinar është një strukturë që mbron jo vetëm shëndetin e kafshëve, primare, ku nëpërmjet kësaj sigurohet ushqimi (proteinat shtazore për njerzit), por edhe shëndetin e njeriut nëpërmjet luftimit të sëmundjeve zoonotike që kalojnë te ky i fundit në rrugë direkte ose indirekte. Për të dyja këto momente, por sidomos për këtë të fundit (luftimin e sëmundjeve zoonotike), ky shërbim është parësor dhe vendimtar madje edhe para shërbimit human. Ky rol ka qenë i tillë në shekuj. Për këtë mjafton të përmend fjalët e të madhit Lui PAST¨R, në kohën që ai punonte për vaksinat e tërbimit dhe të plasjes, sëmundje që kanë bërë dëme dhe vazhdojnë të bëjnë në kafshë e njerëz, edhe në vendin tonë, që me krijimin e jetës në tokë, ku ai ka thënë: Mjeku Human shëron njerinë, kurse Mjeku Veteriner shpëton njerëzimin. Bazuar në këtë postulat si dhe në rolin e madh që ka pasur dhe duhet të ketë shërbimi veterinar dhe strukturat e tij (laboratorët dhe Instituti Veterinar), por jo vetëm në këtë ide madhështore, Ju drejtohem me këtë letër të hapur me synimin për t’i mbrojtur dhe fuqizuar ato.
Shqetësimi im, i nderuar Z. Ministër, është i lidhur me dy probleme, që natyrisht janë në kompetencën tuaj për t’i zgjidhur dhe vendosur në vendin e duhur.
Së pari: Eliminimi i laboratorëve të shëndetit të kafshëve, duke ia kaluar ata AKU (aspak i njehsuar ka veprim me vendet e BE, drejt së cilës ne synojmë)
Së dyti: Me vendosjen në krye të ISUV, jo titullarë shkencorë të fushës veterinare, por mësues.
Desha t´ju kujtoja z. Ministër, se shërbimi veterinar ka rol kyç jo vetëm në momentin që fola më lart, por njëkohësisht është një nga shërbimet e vetme, që ka qenë objekt diskutimi si gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Shqipërinë dhe gjithashtu është vazhdimisht objekt kontrolli, sidomos IKV (sot ISUV), nga ana e BE, për teknikat diagnostike dhe punën e tij për kontrollin e mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe, për pasojë, dhe të njeriut. Për monitorimin e ndotjes ambientale që ndikon direkt në eksportin e produkteve me origjinë shtazore, për sëmundjet me karakter tepër përhapës etj. etj. si këto, për të cilat BE është mjaft e ndjeshme. ISUV, që aktualisht është kthyer në një Institut shërbimi, ku së bashku me ISHP, që duhet të jenë domosdoshmërisht qendra të referencës në vend, secili për objektin e vet, është sot shumë larg këtij objektivi (Qendër e Referencës, ku ai historikisht i tillë ka qenë).
Mbështetur në këto momente dhe në argumente të tjera për të cilat ka shumë, por që në këtë letër nuk ka vend për t’i përmëndur, do t´ju vija gjithashtu në dijeni se nuk ka ndodhur asnjëherë, që nga krijimi i tyre në vitin 1928, që laboratorët veterinerë apo dhe Instituti Veterinar (aktualisht ISUV), unikal në vend, të mos jetë në funksion të shërbimit veterinar, shëndetit të kafshëve dhe të drejtohet nga drejtues jo teknikë e të fushës përkatëse. Do ju bëja me dije se historikisht ky institucion ka pasur në krye drejtues me titull shkencor, të njohur si brenda dhe jashtë vendit. Desha t´ju pyesja z. Ministër, se si do të reagonit ju nëse do të ndodhte që p.sh., në krye të Institutit Kombëtar të Statistikës apo Drejtorisë së Statistikës në Minstrinë që ju drejtoni, t´ju vinin një veteriner apo ta komandonte atë Drejtoria e Transportit???
Personalisht nuk kam asgjë me drejtuesit aktualë të ISUV apo me vetë AKU. Të parët i respektoj si persona me integritet, mjaft të kulturuar dhe shumë bashkëpunues në kuadrin e bashkëpunimit me FMV, por ata nuk janë në vendin e tyre, kurse AKU-në si institucion në vendin e vet, por dy momentet e mësipërme lënë shumë për të dëshiruar. Për të mos u zgjatur me tej me këto argumente, z. Ministër do ju kërkoja që të rishikonit vendimin tuaj për vendosjen në drejtimin e ISUV dy mësues të nderuar dhe të respektuar, të cilët, jam i bindur, që kontribuojnë shumë dhe shumë herë më cilësisht në fushën e vet, pasi atje nuk është vendi i tyre, si dhe gjithashtu vendimin e kalimit të laboratorëve të shëndetit të kafshëve në drejtimin e AKU, pasi nuk është e ligjshme, është jo kompetenciale dhe jo në sinergjizëm me vendet e Bashkimit Europian. Z. Ministër, ISUV-në mund ta drejtojnë vetëm ekspertë të fushës së veterinarisë, ku të tillë dhe shumë të mirë gjenden jo vetëm brenda ISUV-së, por edhe jashtë tij. Minimumi ju ftoj të shihni këtë fenomen në vendet fqinje, i nderuar z. Ministër.
Në vazhdim të kësaj letre, do t’i kërkoja edhe partisë politike, se me sa di unë drejtuesi kryesor është dhe përfaqësues i një force politike (nuk e di se sa kjo është e saktë), por nëse është e tillë, ta tërheqë menjëherë kandidatin e vet nga ky vend, pasi është në vendin e gabuar dhe bie në kundërshtim me deklarimet e kësaj force politike nëpër TV se “na qënka për rritjen e nivelit teknik e shkencor të institucioneve tona“. Po kështu, do t’u drejtohesha edhe ekspertëve të veterinarisë tek maxhoranca aktuale, që të ushtrojnë kompetencat e tyre për zgjidhjen e këtyre momenteve kyçe për shërbimin veterinar, si për aktualitetin ashtu dhe për të ardhmen. Së fundmi u drejtohem edhe ekspertëve seriozë të kësaj fushe të opozitës, që edhe ata, në kuadër edhe të klimës së mirë politike të krijuar në vend, të influencojnë dhe të jenë pjesë e zgjidhjes së këtyre momenteve mjaft delikate dhe të rëndësishme si për vendin, por edhe për të ardhmen e vendit tonë drejt BE.
Më së fundmi z. Ministër, do ju kujtoja deklaratën e bërë para shumë vitesh nga personaliteti i nderuar dhe i respektuar në botë, Shimon Perez, aktualisht President i Izraelit, që kur e pyetën pse është fuqizuar Izraeli në këto nivele që është sot, ai midis arsyeve të tjerave tha: Se kemi vendosur në krye të punës specialistët më të zotë dhe sipas fushave.
Z. MINIST¨R: Nisur nga fjala e një filozofi që thotë se kur drejtuesi dëgjon trokitjen e së vërtetës në dritaren e vet të punës, tek ai njeri afrohu se ai do të ardhmen, si dhe duke pasur parasysh edhe aftësitë e horizontin tuaj, shpresoj për një rishikim të këtyre momenteve.
Me shprehjen e konsideratës sime më të lartë
*Universiteti Bujqësor i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare.
Departamenti i Shëndetit Publik Veterinar











