Letër drejtuar Asmës

Apr 30, 2012 | 11:40

HARIS VONGLI

Thirrje për paqe. Në çdo gjuhë të botës një thirrje e tillë do të tingëllonte me të njëjtën fuqi. Ndërkaq, gratë e botës i bëjnë thirrje Zonjës së Parë të Sirisë, Asma al-Assad, që të ndalë dhunën dhe gjakderdhjen e vazhdueshme në vend. Një situatë e rëndë, e cila nuk mund t’u shpëtojë syve të askujt, as syve të mi. Këtyre zonjave të nderuara ndiej dhe unë t’i bashkohem në mesazhin e tyre drejtuar një gruaje. Tek shohin dhunën e pamëshirshme që ka kapluar Sirinë, ato ngrihen dhe ngrenë zërin përballë luksit të familjes al-Assad – një luks të cilit familjet siriane nuk i bëjnë dot ballë. Më tepër madje, ato zonja dhe unë në një mendje me to nuk e konceptojmë dot se çfarë po ndodh. “Çfarë ka ndodhur me ty, Asma? Këta fëmijë mund të jenë fëmijët e tu”, pyesin zonjat e Perëndimit. Si rrjedhojë, gjej forcën t’i drejtohem Asmës, e përlotur nga imazhet reale të fëmijëve që vriten përditë, të nënave që i qajnë, të një regjimi të pamëshirshëm. Gjej forcë të bëj thirrje për paqe, t’i them asaj se jeta vlen më shumë se luksi, se verbëria e tyre dhe shtypja e dhunshme e të shoqit të saj nuk njeh kufij veprimi, sado përballë një dhimbjeje të tejskajshme.
Nga regjimi i tmerrshëm i Presidentit të Sirisë, regjim i familjes Assad i shtrirë në katër dekada, numërohen tashmë me mijëra të vdekur, humbje të cilat kanë lënduar me miliona zemra. Konflikti i egër dhe i pandalshëm ka kohë që vazhdon në mënyrë konstante. Observuesit e Kombeve të Bashkuara kanë rritur numrin e të dërguarve të tyre, me shpresën se do të mund të kontrollojnë dhunën. Përleshjet midis rebelëve dhe ushtrisë në të katërta anët e vendit kapërcejnë çdo parashikim. Kombet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë të ndalojë përdorimin e armëve dhe të largojë forcat e armatosura nga qendrat e banuara. Por lufta politike i ka tejkaluar përmasat e një konflikti momental, përpjekja për të përmbysur regjimin e Presidentit Bashar Assad po bën qëndresë gjithmonë e më të madhe. Ajo është kthyer në një luftë civile dhe njerëzore që nuk po njeh fund. Fëmijët, vëllezërit dhe motrat siriane po vriten përditë, nuk ka ngelur as edhe një emocion në zemrat e njerëzve. Tashmë situata ka dalë jashtë kontrollit dhe çdo e drejtë po dhunohet, mbi të gjitha e drejta themelore e jetës.
Videoja drejtuar Asmës ka marrë përmasa botërore dhe ka rebeluar edhe heshtjen e atyre që mendojnë se kanë shumë pak në dorë për të ndryshuar realitetin mizor të luftës brenda shtetit. Bashkë më gruan e ambasadorit britanik dhe atij gjerman të Kombeve të Bashkuara, si dhe shumë gra, burra e të rinj nëpër botë, ngre zërin sot edhe unë.  Përshtypja që më la ajo video dhe qëllimi i mesazhit drejtuar “ikonës së modës” qe vërtet i një përmase të madhe shpirtërore dhe mendore. Duhet të bëj diçka, mendova. “Të firmos” edhe unë në këtë peticion, në këtë thirrje për paqe dhe jo gjakderdhje, jetëgjatësi dhe jo vdekje. Qëndroji në krahë bashkëshortit tënd Asma, jo në mbështetje të asaj çka po ndodh në Siri, por me një revoltim kundër dhunës, një revoltim të një gruaje të përgjegjshme, një nëne të tre fëmijëve, një vajze të shkolluar në Perëndim. Mbaj qëndrimin e një gruaje arabe lider, zëri i së cilës dëgjohej shumë dikur. Ti dikur luftoje për barazi, për të drejtat e njeriut, për forcë dhe dashuri. Vazhdo të luftosh për paqe tani. “Çohu për paqe, Asma! Ngrije zërin tani! Bëje për hir të popullit tënd! Ndalo burrin tënd!”, thuhet në video. “Boll ke ndenjur si soditëse, askujt nuk i intereson pamja juaj dhe luksi. Ne preokupohemi për veprimet e tua”. “Disa gra janë për modën, disa kujdesen për popullin e tyre. Disa luftojnë për imazhin e tyre, disa për të mbijetuar”. Këto mesazhe janë për Asmën. Në disa sekuenca shfaqet ajo e kuruar në maksimum dhe shndritëse, ndërsa nga ana tjetër tregohet se si vdesin fëmijët, se si mbyten njerëzit në gjak, se si bota është kaq pak e paqtë dhe se si realiteti shpërfaqet kaq i frikshëm. Është rrëqethëse se si japin shpirt ata fëmijë që mund të ishin të cilitdo, të gjakosur, të pajetë drejt humbjes. Asma, nuk mund të rri pa folur, nuk duhet të rri pa vepruar. Në intervistat e saj flet për paqe, kur paqe nuk ka. Ajo puth fëmijët e saj para se të flenë, nënat e tjera i qajnë. Po vdesin vlerat njerëzore bashkë me njerëzit. Të trondit ajo çka shoh dhe është e pamundur të qëndrosh duarkryq pa ngritur zërin. Zëri im nuk do të sjellë ndonjë ndryshim dramatik, por më mirë sesa të pi një kafe në ish-Bllok, mendova të mos hesht në indiferentizëm. Jam një më shumë, e cila i drejtohet Asmës për të kthyer terrorin në paqe. Ndoshta ajo është e keqdrejtuar, ndoshta ajo nuk e ndien dhe përjeton realitetin e Sirisë. Ndoshta Asma jeton në një botë virtuale, ku protagonistja kryesore është vetëm ajo. Por ne kemi akoma shpresë, unë kam shpresë se kjo video dhe kërkesa e firmosur nga shumë njerëz në mbarë botën do e prekë ndjesinë e saj të nënës. Sakaq, ne duhet ta kthejmë atë në përditshmërinë e realitetit mizor të vendit dhe popullit të saj. Të ngremë ne zërin që ajo të flasë. Duhet që Asma të mos vazhdojë të mbulojë shëmtinë e sistemit diktatorial të familjes Assad me look-un e saj të rafinuar dhe modern. Ajo duhet të çjerrë maskën e dhunshme të luftës torturuese e të udhëheqë vendin e saj drejt paqes. Për një Siri që të jetojë në paqe, pse jo për një botë më të mirë!

© Panorama.al

Te lidhura