
Zv.ministri i Kulturës reagon pasi nuk ishte i pranishëm në aktivitetin e Ministrisë.
“Të më kërkojnë ndjesë, ose do të reagoj ashpër, ashtu si di”
Në një aktivitet të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të zhvilluar dje në sallën kryesore të kësaj ministrie, zv.ministri Nikollë Lesi nuk u ftua. I pranishëm ishte edhe Kryeministri Berisha, edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm drejtuesit e kësaj ministrie, ministri Bumçi dhe dy zv.ministrat e kësaj ministrie, Zana Turku e Dashnor Bajaziti, mungonte aleati i PD-së, kreu i LDK-së. Lesi javët e fundit ka shtuar kritikat për qeverinë dhe ka kërkuar publikisht ndryshimin e saj në mënyrë drastike. Gjatë kohës që në këtë ministri mbërriti kreu i qeverisë dhe kryetarja e Kuvendit, Lesi ndodhej në zyrën e tij pa asnjë dijeni për aktivitetin që kjo ministri po organizonte. I pyetur rreth mungesës së tij në këtë aktivitet, zv.ministri Lesi tha se në atë kohë që erdhi Kryeministri Berisha ai ishte në zyrën e tij në këtë ministri duke punuar dhe kur ka dëgjuar sirenat e policisë, të cilat kishin rrethuar Ministrinë e Kulturës e Turizmit, ka pyetur stafin e Ministrisë se çfarë po ndodhte. “Kabineti i ministrit Bumçi më tregoi se në katin e dytë ka ardhur Kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, për një aktivitet të planifikuar nga Ministria”, u shpreh Lesi. Më tej Lesi thotë se në një aktivitet të tillë zyrtar, e aq më tepër në Ministri, “unë duhej të isha patjetër, se jam zv.ministër dhe kryetar i një partie në bashkëqeverisje. Pyeta stafin e ministrit nëse duhet të jem unë si zv.ministër në takimin me Kryeministrin Berisha, ato ngritën supet, duke lënë një pikëpyetje nëse lejohem apo jo të hyj në sallën e katit të dytë të Ministrisë, ku ishte gjithë ministria, ministri Bumçi dhe Kryeministri. Kjo nuk është aspak normale, edhe sikur të jetë ndonjë gabim i protokollit të Ministrisë. Nesër do të kërkoj sqarime nga ministri Bumçi për këtë gjë që ka ndodhur. Nëse është diçka e bërë nga nxitimi, përsëri duhet të këtë përgjegjësi e ndjesë ndaj meje. Por, nëse ka ndonjë prapaskenë apo lojë që mua të më jepet sinjal politik se LDK nuk na duhet më, pasi po fillojmë me PDK bisedime, atëherë, pasi të bindem me fakte, reagimi im do të jetë shumë i ashpër dhe besoj e dini si di unë të reagoj. Nuk e njoh frikën dhe as presionin në çdo rrethanë”, tha Lesi. Zv.ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikollë Lesi, kërkoi pak kohë më parë shkarkimin e tre ministrave nga kabineti qeveritar. Gjatë një deklarate publike, kryetari i Lidhjes Demokristiane kërkoi mbledhjen me urgjencë të tryezës së maxhorancës. “I kërkoj Kryeministrit Berisha të bëjë ndryshime urgjente në qeveri, duke larguar disa ministra para zgjedhjeve lokale të 8 majit”, është shprehur Nikollë Lesi. Kryetari i LKD-së, Lesi, bëri të ditur se në tryezën e partive qeverisëse do të nxjerrë edhe emrat e tre ministrave të tjerë, për të cilët përflitet për korrupsion.
Bashkëpunimi
Demokristianët, pavarësisht ndarjes në tri subjekte politike dhe pozicionit të tyre në maxhorancë apo opozitë, kanë nisur kontaktet për bashkimin në një subjekt të vetëm. Duket se iniciativa e ndërmarrë nga Aleanca Demokristiane e drejtuar nga Zef Bushati, është mirëpritur nga Partia Demokristiane e Nard Ndokës, apo LDK-ja e Nikollë Lesit. “Pa një forcë të bashkuar demokristiane nuk mund të arrijmë rezultate të mira në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, është shprehur kreu i PDK-së, Nard Ndoka.











