Nënshkrimi i marrëveshjes në fushën e turizmit mes Shqipërisë dhe Kinës për pak sa nuk u shndërrua në një incident diplomatik. Ashtu siç ishte rënë dakord me protokollet e të dy vendeve, marrëveshja për bashkëpunim në fushën e turizmit mes dy vendeve do të nënshkruhej nga zv.ministri i Turizmit Nikollë Lesi dhe homologu i tij kinez. Ministri Aldo Bumçi ka autorizuar Nikollë Lesin në emër të Ministrisë që të firmosë protokollin e bashkëpunimit mes dy shteteve, pasi ai mbulon turizmin dhe porosia e Protokollit të Shtetit ishte se nënshkrimi duhej bërë patjetër në nivel zv.ministri. Por dje, rreth orës 11:00, zv.ministri Lesi njoftohet se nuk do të shkojë për ta nënshkruar marrëveshjen në emër të palës shqiptare për turizmin, por zv.ministri tjetër që mbulon sportet, Bajaziti, pasi pala kineze ka reaguar duke e quajtur si provokim shtetëror pjesëmarrjen e Lesit në nënshkrim në prani të ministrit të Jashtëm kinez. Arsyeja, sipas burimeve diplomatike, është se Nikollë Lesi është kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri- Tajvan që prej 10 vitesh punon për njohjen e Tajvanit si shtet i pavarur nga Kina. Prezenca e zv.ministrit Lesi është konsideruar si provokacion ndaj Kinës. I pyetur për këtë ngjarje Lesi sqaroi: “Është e vërtetë që unë isha caktuar nga ministri Bumçi që në emër të Ministrisë të nënshkruaja marrëveshjen me palën kineze në prani të dy ministrave të Jashtëm”. “Nuk e di tamam se ç’ka ndodhur, por sot nga dreka më lajmëruan se nuk do të shkoja për ta nënshkruar marrëveshjen, pasi pala kineze e ka marrë si provokim pjesëmarrjen time, ndonëse emrat në Protokollin e Shtetit për marrëveshjen ishin përcaktuar që dy ditë më parë. Nuk dua të nxitohem, por mund të them se spostimi është i pajustifikueshëm, pasi përveç ministrit, unë jam personi numër dy që përgjigjem për turizmin prej dy vitesh. Arsyeja, sipas tyre, më duket se do të jetë pjesëmarrja ime, dikur si kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Tajvan, por mund të shtoj se kjo është një shoqatë miqësie që ndihmon për njohjen me kulturën e Tajvanit dhe të shtetit shqiptar. Në një vend normal demokratik këto janë shoqata të ligjshme e që synojnë në afrimin e kulturës së popujve me njëri-tjetrin. Meqenëse më pyetët, ndonëse nuk dua të flas për këtë temë këtë herë, më lejoni t’ju them se e respektoj me shumë pasion popullin vëlla kinez, bile nëse do të isha në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, do ta uroja ministrin e Jashtëm kinez Yang Jiechi si një prej kryediplomatëve botërorë me një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual. Por, këtë gjë, me sa duket, dikush në Ambasadën Kineze në Tiranë nuk e donte dhe ua kanë përkthyer keq aktivitetin tim politik, mediatik e bashkëpunues për rajonin e Azisë. Unë e kam parë Kinën nga ana e Tajvanit dhe do të isha kureshtar ta shikoja nga brenda Pekinin për të forcuar bindjet e mia se një Kinë e bashkuar është më mirë se një Kinë e ndarë”, u shpreh zv.ministri i Turizmit, Nikollë Lesi.
Historia e Shoqatës me Tajvanin
Një ditë pasi NATO sulmoi Ambasadën Kineze në Beograd në mars 1999, e cila mbështeste Millosheviçin, deputeti i pavarur, Nikollë Lesi, i kërkoi në Parlament ministrit të Jashtëm, Paskal Milo, që si kundërveprim ndaj qëndrimeve të Kinës pro Beogradit e kundër popullit të Kosovës, Shqipëria të njihte menjëherë pavarësinë e Tajvanit. Kjo gjë solli një aprovim të shumë deputetëve, të cilët krijuan një shoqatë parlamentare me 29 deputetë të të gjithë krahëve politikë, e cila u quajt shoqata parlamentare Shqipëri-Tajvan e ku kryetar u zgjodh deputeti Nikollë Lesi. Më pas, në pranverën e vitit 2001, Lesi ftohet nga Kryeministri i Tajvanit për vizitë zyrtare në Tajpei, kryeqyteti i Tajvanit. Kjo vizitë është pasuar dhe nga dy vizita të tjera me grupe deputetësh të Parlamentit shqiptar.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











