Quhet Leonardo Rodrigues Perreira, thërritet shkurt “Leonardo”. Luan te AEK-u në kampionatin grek të futbollit dhe ka lindur në Brazil më 22 shtator 1986. Ai është lojtari që Federata Shqiptare e Futbollit ka pikasur dhe me shumë gjasa do ta pajisë me nënshtetësi shqiptare, me qëllim që ai të ketë mundësi të luajë për Kombëtaren shqiptare. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta në FSHF, të cilat konfirmojnë se bisedimet me lojtarin vijojnë prej disa javësh dhe tanimë pajisja e tij me pasaportë shqiptare është thuajse e përfunduar. Leonardo luan si mesfushor i avancuar, por te AEK-u është përdorur edhe si organizator loje. Në karrierën e tij ka luajtur me Atletiko Paranaense në Brazil dhe më Thrasivoulos, Levadiakos e AEK në Greqi.
Xhani De Biasi, analist në Lacio-Çezena
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Xhani de Biazi, ka qenë dje në mbrëmje në rolin e analistit për televizionin italian “Mediaset Premium”, në ndeshjen Lacio-Çezena. Takimi i javës së 23-të u përcoll edhe nën analizën e qartë të De Biazit, i cili vlerësoi lojën e të dyja skuadrave. Tekniku i Kombëtares njihet si një nga analistët profesionistë në shtetin mëmë dhe në mjaft raste ai ftohet për të dhënë mendimin e tij nga mediat e ndryshme italiane.











