Lëndë me zgjedhje edhe në shkollat 9-vjeçare

Feb 28, 2012 | 12:33

Zv.ministri i Arsimit, Shamata

Gati drafti për kurrikulat e reja në arsimin parauniversitar.

Zv.ministri Shamata: Lëndët shkencore në një tekst.

Lëndë me zgjedhje edhe në shkollat 9-vjeçare. Pas ndryshimi të ligjit për arsimin parauniversitar, Ministria ka gati draftin për ndryshimin e kurrikulave në këtë sistem arsimor. Pas një analize të kurrikulave aktuale, rezultoi se me mënyrën si janë konceptuar kanë mangësi të mëdha, çka dëmton të mësuarin e nxënësve. Tekstet janë të superngarkuara, ndërsa mësuesit flasin gjatë gjithë kohës vetë pa u fokusuar aq sa duhet te nxënësi. Në shkollat 9-vjeçare kurrikulat janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që jo vetëm nuk janë tërheqëse për nxënësit, por shpesh bëhen të lodhshme e jo të asimilueshme për ta. Ne këtë konkluzion kanë arritur edhe ekspertët e huaj, të cilët kanë rekomanduar ndryshime të menjëhershme. Kjo është arsyeja pse MASH ka vendosur të ndërhyjë. ”Krahas lëndëve bërthamë, që janë të detyrueshme, nxënësit do të mund të zgjedhin edhe lëndë të tjera. Aktualisht kemi një strukturë kurrikulare bër-thamë dhe me zgjedhje në gjimnaze. Tashmë kjo strukturë lëndësh bërthamë dhe lëndë me zgjedhje individuale do të futet në gjithë sistemin parauniversitar. Të përzgjedhin lëndë në përputhje me përmbushjen e kurrikulës”, ka sqaruar zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata. Sipas tij, struktura e re do të ketë lëndë bazë bërthamë, të cilat i përkasin një grupi si në gjimnaze. Veç tyre, programi do të ketë lëndë të cilat do të përzgjidhen nga vetë nxënësit. Sipas zëvendësministrit, kjo është një qasje europiane në strukturimin e kurrikulës. Po kështu, pas analizës së ekspertëve është rënë dakord që të unifikohen disa prej teksteve shkollore. Kjo në mënyrë që të shmanget ngarkesa. Kryesisht kjo do të aplikohet me shkencat natyrore. ”Do të aplikojmë tekstet e integruara. Çka do të thotë që nuk do të kemi më tekste të veçanta fizike apo kimie apo biologjie, por do t’i unifikojmë në një tekst të vetëm”, sqaron Shamata. Sipas tij, kjo reformë e rëndësishme nuk do të prekë vetëm sistemin parauniversitar, por sistemin arsimor në tërësi. “Do të ndryshojnë programet e studimit në shkollat e larta, mësuesit që prodhojnë shkollat e larta, publike dhe private, që duhet të jenë mësues me kompetenca të integruara, që të japin disa lëndë”, tha Shamata.  Nga analiza që kanë bërë  ekspertët e arsimit, ka rezultuar se në programet mësimore nuk ka elemente të të mësuarit të diferencuar. Tekstet në shumicën e rasteve janë të vështira dhe të ngarkuara, me një numër të madh konceptesh. Atyre u mungon orientimi i nevojshëm për të zhvilluar aftësi të të menduarit kritik dhe krijues, aftësi të punës në grup dhe punës me projekte

Ndryshimet në ciklet e arsimit
Arsim parashkollor, arsim bazë dhe arsim i mesëm i lartë. Këto do të jenë ciklet e studimit që do të ofrohen pas ristrukturimit të të gjithë sistemit. Arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë shtetas shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë, nga mosha gjashtë vjeç deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç”, thuhet në projektligj. Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë. Arsimi i mesëm i lartë, që përfshin gjimnazin, përbëhet nga tri vite studimi.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura