Leka Zogu II padi për truallin 1300 m2

May 30, 2012 | 15:20

TIRANE – Vendimi gjy-qësor i 15 majit kundër Leka Zogut II, i njohur si princ Leka, në lidhje me një kredi prej 500 mijë euro të pashlyer, duket se e ka vënë në lëvizje familjen mbretërore për ish-pronat e saj. Dje, princ Leka ka kërkuar në Gjykatën e Tiranës njohjen si pronë e tij të një godine dykatëshe në një sipërfaqe trualli 1300 metra katrorë, pranë Rrugës së Elbasanit në Tiranë. Bëhet fjalë për godinën e Bibliotekës së Librit të Huaj, dikur e njohur si Pallati i Princeshave. Përmes një kërkesë-padie, Leka II Zogu kërkon regjistrimin e kësaj prone në emrin e tij. Si palë e paditur në kërkesën e princ Lekës janë AKK e Pronave Tiranë, Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Zyra Vendore e RKK të Paluajtshme Tiranë. “Anulimin e vendimit nr. 38, datë 27.05.1997 të KKP së Bashkisë Tiranë. Detyrimin e të paditurit Kryqi i Kuq Shqiptar të njohë pronar paditësin Leka II Zogu për godinën dykatëshe me sipërfaqe trualli 1300 m2, ‘Pallati i princeshave’, sot Biblioteka e Librit të Huaj. Detyrimin së paditurës ZVRPP Tiranë të fshije nga regjistrimi pronën e trajtuar në VKK e pronave nr. 38, datë 27.05.1997 dhe detyrimin e saj për të bërë regjistrimin e kësaj prone në favor të trashëgimtarit të të ndjerit Ahmet e Leka Zogu I paditësit Leka Zogu II. Të vendoset masë e përkohshme e sigurimit të padisë duke mos u lejuar tjetërsimi i kësaj prone si dhe depozitimi i kërkesë-padisë pranë ZVRPP Tirane”, thuhej në objektin e padisë së princ Lekës. Kërkesa në fjalë do të shqyrtohet nga gjyqtari Agron Zhukri në Gjykatën e Tiranës.

© Panorama.al

Te lidhura