Ndryshon kategorizimi në zona dhe afatet e vjeljes së taksës së ndikimit në infrastrukturë që paguajnë ndërtuesit. Bashkia e Tiranës, mbështetur në ligjin e ri të urbanistikës, ka gati projektvendimin, i cili, sipas saj, vjen në zbatim të këtij ligji. Kufijtë e përcaktuar për këtë taksë janë 2-4%. Ata do të jenë në përputhje me hartën e rikonceptuar për këto zona. “Harta, së cilës i referohet tashmë vendimi për ndarjen e zonave, është harta kadastrale e përdorur nga ZRPP-ja dhe Enti Kombëtar i Banesave, e ndërtuar mbi bazën e çmimeve të tregut të lirë të apartamenteve dhe trojeve në ato territore”, sqaron Bashkia e Tiranës. Sipas specialistëve të saj, në këtë mënyrë llogaritja e taksës i afrohet shumë vlerës së territoreve mbi të cilat do të ndërtohet. Afatet për kryerjen e pagesave në lidhje me këtë taksë janë vendosur duke mbajtur parasysh detyrimin që pagesa e kësaj takse të bëhet përpara pajisjes së subjektit me formularin e lejes. Është përcaktuar afati 5-ditor për pagesën mbi bazën e përcaktimeve të ligji nr.10119, datë 23.04.2009 “Për planifikimin e territorit”. “Ndërsa afati i dytë 30-ditor, brenda të cilit llogaritet edhe kamatëvonesa, është afati nga dita e marrjes së lejes e deri në afatin minimal brenda të cilit subjekti duhet të fillojë punimet. Për një muaj nga data e marrjes së lejes, subjekti nuk mund të fillojë punimet”, thuhet në projektvendim. Ndërtuesit do të paguajnë edhe një tarifë për shqyrtimin e kërkesës për leje. Ajo do të jetë sa 1% e vlerës së investimit, tarifë e cila depozitohet për të mundësuar financimin e instrumenteve vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Tiranës. Sipas specialistëve, kjo tarifë prej 1% është vendosur në analogji me tarifën e aplikuar më parë mbi bazën e përcaktimeve të ligjit për “Urbanistikën”.











