Ish-ministrja franceze e Financave, Kristine Legarde, mori dje zyrtarisht detyrën si numri një i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ajo është gruaja e parë në histori që merr drejtimin e institucionit më të lartë bankar në botë. Zgjedhja e Legarde u bë pas dorëheqjes së francezit tjetër, Dominik Shtraus Kan, kur kundër tij nisi gjyqi për përdhunim pas denoncimit të një pastrueseje në hotelin “Sofitel” në Nju-Jork. Shtraus Kan u ndalua nga policia amerikane në avionin drejtuar për në Francë dhe u arrestua, por fati i tij i mirë deshi që pak ditë pas zgjedhjes së Legarde në krye të FMN-së, prokurorët të kuptonin se ai ishte i pafajshëm dhe se pastruesja e kishte sajuar dhunën. Bordi 24-anëtarësh i FMN-së e zgjodhi Legardin me konsensus një javë më parë. Legarde nuk duhet t’i gëzohet vetëm pozicionit të saj të admirueshëm, por edhe privilegjeve që do të gëzojë prej tij. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, drejtoresha e menaxhimit të këtij institucioni do të fitojë 468 mijë dollarë në vit. Këto janë vetëm për kursime, sepse çdo gjë që do t’i duhet për të jetuar, do t’ia sigurojë institucioni me një fond plus për “mjete jetese” prej 84 mijë dollarësh në vit.











