Drejtori i ALUIZNI-t për kryeqytetin: Një pjesë nuk tërheqin faturat.
Bozho: Çdo ditë miratojmë 30 “tapi” për ndërtimet pa leje.
Procesi i legalizimeve po has së fundmi në një ngërç që lidhet direkt me qytetarët. Janë me mijëra ata që kanë vetëdeklaruar për interes të legalizimit të shtëpive të tyre dhe që kanë tërhequr faturat financiare si pjesë e këtij procesi, por që ende nuk kanë kryer pagesën.
Drejtori i ALUIZNI-t të Tiranës, Kreshnik Bozho, shprehet se pavarësisht se puna pranë agjencisë ka vijuar me ritme të shpejta për përgatitjen e dosjeve tekniko-ligjore, vihet re një ngërç në pjesën e pagesave. “Përpos qytetarëve që kanë zbatuar me rregull çdo hap të procesit të legalizimeve deri në marrjen e lejes, ka edhe një kategori që po vonon në bërjen e pagesave. Ka nga ata që kanë tërhequr faturën dhe nuk kanë bërë pagesën, por ka edhe nga ata që edhe pse fatura ka dalë, nuk është tërhequr nga qytetarët. Kuptohet që ka kohë në dispozicion, por do të ishte mirë që procesi të çohej deri në fund në një kohë të arsyeshme”, tha Bozho për gazetën. Problemi në këtë pjesë duket se qëndron në faktin që në Shqipëri ende kemi kulturën që gjërat bëhen në momentin e fundit, çka krijon edhe fluks pranë institucioneve. Në vetvete procedura e legalizimeve përfshin bërjen e një pagese sipas faturës që është llogaritur nga ALUIZNI pas përfundimit të përgatitjes së dosjes tekniko-ligjore për qytetarin që ka vetëdeklaruar. Kjo faturë tërhiqet pranë Agjencisë së Legalizimeve, kurse pagesa bëhet në bankë dhe së bashku me kopjen e mandatit, qytetari paraqitet pranë Legalizimeve në mënyrë që të vijohet më tej me procesin. Pas verifikimit të pagesës dhe përfundimit të dokumentacionit të nev-ojshëm, ndërtimi informal kalon regjistrimin pranë Hipotekës, çka automatikisht e kthen qytetarin që ka vetëdeklaruar pronar legal të ndërtimit. Lidhur me problemin e vonesës në pagesë, ALUIZNI i Tiranës do të sigurohet që qytetarët të informohen lidhur me procedurat duke publikuar në vijim emrat e atyre që duhet të bëjnë pagesën në mënyrë që të përfitojnë nga legalizimet, si dhe për ata që mund të mos kenë informacion që fatura e tyre është gati dhe mund të tërhiqet në çdo kohë. Të ardhurat që merren nga procesi i legalizimeve, shkojnë për kompensimin e ish-pronarëve dhe kjo është edhe një pikë tjetër e rëndësishme se pse procesi duhet të ecë në të njëjtin ritëm në mënyrë që, nga njëra anë të regjistrohen si legale sa më shumë ndërtime informale dhe, nga ana tjetër, të kompensohen gjithashtu ata pronarë që përfitojnë sipas ligjit në fuqi. Drejtori Kreshnik Bozho sqaron se nga ana e Drejtorisë së Tiranës punohet me kapacitete të plota çdo ditë për të përballuar fluksin që ka kryeqyteti. “Pothuajse çdo ditë pajisen me leje legalizimi rreth 30 qytetarë, çka është një nivel relativisht i lartë. Nga ana tjetër, ne jemi duke punuar me dosjet e radhës të atyre që kanë vetëdeklaruar në interes të legalizimit të ndërtimit informal”, shprehet Bozho.
Shqipëria, 16 miliardë USD kapital informal
Nëse çështja e të drejtës së pronësisë do të zgjidhej përfundimisht në vendin tonë, kjo do t’i shërbente biznesit në një vlerë 16 miliardë dollarë. Por si vlerësohet kjo? Për Komisionin e Përforcimit Legal të të Varfërve që punoi me PNUD për disa vite, zgjidhja e të drejtës së pronës do të nxiste më shumë aktivitetin ekonomik. Biznesi dhe qytetarët do të mund të linin peng apo kolateral pasuri të ndryshme të paluajtshme, që aktualisht janë totalisht informale për shkak të problemit të pronësisë. Ky zgjerim financiar që do të nxitej nga zgjidhja e problemit të pronave, arrin plot 16 miliardë dollarë. Legalizimi i këtij kapitali rrjedhimisht ndikon edhe në stabilizimin, edhe qartësimin e çmimit real të tokës sipas të njëjtit raport të PNUD. Lidhur me problematikën që mbart çështja e pronësisë, jo pak herë ka folur edhe Banka Botërore, e cila e sheh këtë në aspektin e frenimit të investimeve. Sipas Bankës, zgjidhja e problemit të pronësisë do të jepte një tjetër nxitje për investitorët në vendin tonë, por të qenët e kësaj problematike evidente i bën ata të pasigurt.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











