Legalizimet, korrigjohen sipërfaqet për 1 144 familje

Aug 21, 2012 | 14:58

Gabimet në vetëdeklarim dhe verifikimet e ALUIZNI-t kanë sjellë ndryshimin e sipërfaqeve të pronave, të cilat përfitojnë nga legalizimi. Qeveria ka miratuar vendimin e ri, i cili korrigjon gabimet në sipërfaqet që legalizohen. Gazeta boton të plotë emrat e pronarëve të 1 144 parcelave, të cilat kanë ndryshime në sipërfaqet e tokës apo banesave që legalizojnë. Ndryshimet janë për vendimet e mëparshme të qeverisë, që nga viti 2008 deri në vitin 2011. Në total janë ndryshuar 25 vendime qeverie. Në tabelat që boton sot gazeta, tregohet emri i përfituesit të sipërfaqes së tokës, sipërfaqja e ndërtesës dhe numri i pasurisë ku është banesa. Sipas të dhënave nga ALUIZNI, në shumë raste bëhet fjalë për gabime njerëzore. Megjithatë, nga shikimi i korrigjimeve, duket qartë se pjesa dërrmuese e tyre janë deklarime të sipërfaqeve më të vogla, se sa janë në të vërtetë. Në këtë mënyrë, të ardhurit që kanë zënë tokat paguanin më pak para, edhe pse merrnin në dorë një certifikatë pronësie me sipërfaqe më të vogël toke. Sidoqoftë, pas konfirmimit në terren, ALUIZNI dhe qeveria kanë ndryshuar sipërfaqen e tokës dhe banesave, duke e sjellë atë në situatën reale. Pas këtij veprimi, të gjithë qytetarët që kanë emrin në listën që boton gazeta, do të duhet të legalizojnë sipërfaqen që është shënuar në tabelë, dhe jo atë që kanë deklaruar më parë. Një arsye tjetër është pamundësia financiare. Burime nga ALUIZNI bëjnë të ditur se, në momentin që kanë vetëdeklaruar, shumë qytetarë kanë kërkuar legalizim për parcelë që mund ta përballonin financiarisht. Por, për shkaqe të ndryshme, sot mund të mos e përballojnë dot për ta paguar, pasi kap vlera në disa milionë lekë, kështu që është kërkuar ndryshim i vendimit. Sipas ligjit, mbi 300 metra katrorë tokë, çdo metër shtesë paguhet me çmim tregu. Për të legalizuar parcelën deri në 300 metra katrorë, fatura mund të shlyhet 50 për qind me bono privatizimi, kur parcela dhe ndërtimi informal është brenda vijës së verdhë.

(Listen e plote me 25 vendimet e korrigjuara e gjeni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura