Legalizimet, BB: 80 mijë ndërtime mbeten jashtë procesit

May 2, 2012 | 11:05
Selia e Bankes Boterore

Janë gati 80 mijë ndërtime që mbeten jashtë procesit të legalizimeve dhe Banka Botërore, në një raport të sajin të publikuar kohë më parë, ka shprehur shqetësimin se cili do të ishte fati i tyre. Për këtë institucion tingëllon pak jorealiste nëse do të merret parasysh shembja e tyre nga ana e qeverisë, por edhe shembja do të kishte kosto të lartë. “Po të supozojmë një shifër me rezerva prej 350 mijë ndërtimesh të paligjshme gjithsej, krahas 270 mijë pronave për të cilat është bërë kërkesa për legalizim, ka të paktën edhe 80 mijë prona që mbeten jo të ligjshme dhe jashtë procesit të legalizimit. Nuk është realiste të pritet që qeveria të shembë 80 mijë apo më shumë ndërtesa që nuk janë tani të përfshira në procesin e legalizimit”, vlerëson në raportin e saj Banka Botërore. Por nga ana tjetër ajo vë në pikëpyetje një valë të dytë legalizimesh të ndërmarrë nga qeveria si një mundësi që do të krijonte një kulturë të deformuar në Shqipëri. Pra, nëse përsërit shpesh të njëjtën gjë, e nxit më shumë informalitetin. Sipas Bankës, nëse qeveria zgjedh të nisë një valë të re legalizimi, duhet të jetë shumë e kujdesshme me zbatimin e ligjit për kohën aktuale që të evitohen situata të ngjashme dhe përsëritje pa fund. “Qeverisë mund t’i duhet të nisë një valë tjetër legalizimesh, çka duket se pritet edhe nga popullata. Mirëpo, një vendim i tillë do të rrezikonte të forconte shtysat për ndërtime dhe zaptime të paligjshme në të ardhmen, nëse popullata e interpreton këtë, do të thotë se do të vijë një ditë që aktivitete të tilla do të formalizohen. Prandaj, do të jetë shumë e rëndësishme që qeveria të kujdeset që zbatimi i çdo vale të ardhshme legalizimi të shoqërohet me një program të besueshëm të zbatimit të detyrueshëm të legjislacionit ekzistues për kontrollet e ndërtimit dhe nga përpjekje të forta për ta ndaluar ndërtimin e paligjshëm përpara se të fillojë”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

© Panorama.al

Te lidhura