Legalizimet, 12 milionë USD për pronarët e tokave të zëna

Aug 25, 2011 | 10:05
Kreu i AKKP, Elvis Cefa

Cefa: Do jepet 37% e kompensimit për ata që s’kanë përfituar

Pronarët e tokave të zëna nga ndërtime pa leje do të përfitojnë një tjetër kompensim financiar muajin tjetër.Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, tha dje për gazetën “Panorama”, se në fund të muajit shtator do të bëhet e mundur ndarja e një fondi prej 1.2 miliardë lekësh, ose rreth 12 milionë dollarë, për të gjitha subjektet që u ka kaluar emri në qeveri për t’u kompensuar. Cefa tha se në bazë të një vendimi të ri të qeverisë, çdo subjekt që nuk ka përfituar deri tani ndonjë këst kompensimi, do të përfitojë në muajin shtator. “Deri tani kemi dhënë disa këste për qindra përfitues, por, në bazë të vendimit të ri të qeverisë, kemi një fond prej 1.2 miliardë lekësh që do të ndahet për ata që deri tani nuk kanë marrë asnjë këst, por që emri i tyre është miratuar nga Këshilli i Ministrave”, tha Cefa. Kreu i AKKP-së tha më tej se kësti i dëmshpërblimit për këta përfitues, që pritet të jenë disa qindra subjekte, do të jetë në masën 37 për qind të shumës totale të kompensimit, pra e barabartë dhe shumën që kanë përfituar subjektet e deritanishme. Numri i individëve përfitues deri tani nga AKKP-ja arrin në 2065 persona, ndërsa ai i Pasurive të Paluajtshme që preken nga procesi i legalizimeve është 345. Pas procesit të dorëzimit të kërkesave do të nisë edhe faza e dytë, që është shqyrtimi i tyre brenda 45 ditëve dhe më pas miratimi nga kreu i AKKP-së i një vendimi ku përfshihet lista e subjekteve përfituese dhe numri përkatës i llogarisë ku ata do të tërheqin lekët. Pasi përfundon afati njëmujor i aplikimeve për pronarët e prekur nga legalizimet, do të nisë shpërndarja e parave për ta. Pas kësaj date, AKKP ka një afat prej 45 ditësh për të bërë verifikimin e gjeneraliteteve të aplikuesve dhe më pas nis shpërndarja e këstit të parë. Të gjitha subjektet e interesuara do të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë: rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë. Të dhënat e subjekteve përfituese janë të evidentuara në listat sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale të miratuara deri tani. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 mijë lekësh pranë zyrës së financës së AKKP-së, si dhe të hapin në emër të tyre një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë. Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së, Tiranë, dokumentacionin që përmban kërkesën tip që i bashkëlidhet VKM-së, të plotësuar sipas rubrikave. Tjetër kriter ka të bëjë me dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së tyre, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial, të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi (në rast se subjekti përfitues nuk jeton). Të tjera kritere janë: prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre; vërtetimi i lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare; dokument identifikimi si dhe certifikatë familjare të kërkuesit/aplikuesit; si dhe mandat-pagesën për shumën 2 mijë lekë.

2065 persona
kanë përfituar kompensim deri tani me disa këste, që u përkasin 345 pasurive, të cilat janë zënë nga ndërtimet pa leje, duke përfituar të drejtën për kompensim

12 milione usd
ndodhen në buxhetin e shtetit të përfituara nga tarifat e legalizimeve për t’u ndarë për pronarët e tokave që janë zënë nga ndërtime pa leje në të gjithë vendin

30 dite
zgjat procedura e konfirmimit të dosjes nga ana e AKKP-së, por që bashkëpronarët duhet të paraqiten me prokurë të përbashkët për të marrë paratë më pas në llogarinë bankare

Aplikimi

Subjekti apo përfaqësuesi i tij, me prokurë, duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin që përmban kërkesën tip që i bashkëlidhet VKM-së, të plotësuar sipas rubrikave. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 mijë lekësh pranë zyrës së financës së AKKP-së, si dhe të hapin në emër të tyre një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë.

Erald kapri

© Panorama.al

Te lidhura