
Liderja e të djathtës ekstreme në Francë, Marine le Pen, e cila rezultoi forca e tretë politike në këtë vend me mbështetjen befasuese të rreth 18 për qind të votuesve, deklaroi dje, vetëm pesë ditë para garës finale presidenciale, se ajo nuk ia jep asnjërit prej kandidatëve votën e saj. Sa për mbi 6 milionë votuesit e saj, të cilët prisnin një orientim mbi drejtimin që duhet të marrë më 6 maj vota e tyre për të parin e vendit, Le Pen është shprehur se “secili prej tyre mund të zgjedhë vetë lirisht”. Ajo refuzoi të përkrahë si socialistin Fransua Holande, i cili deri tani sipas sondazheve rezulton favorit, ashtu edhe Presidentin konservator, Nikolas Sarkozi. “Të dielën, vota ime do të jetë e bardhë. Kjo është zgjedhja ime. Secili prej jush le të bëjë zgjedhjen e vet”, deklaroi dje Le Pen, e cila kishte premtuar se do ta ndante qëndrimin e saj mbi kandidatin e preferuar më 1 maj. Heshtja e saj mund t’i kthejë mbështetësit e së djathtës ekstreme nga Presidenti aktual, Nikolas Sarkozi, i cili gjatë ditëve të fundit në fushatë ka përdorur një gjuhë shumë të ashpër ndaj emigracionit dhe fuqive të tepruara të Europës mbi shtetet, duke paralajmëruar disa herë edhe mbyllje të kufijve të Francës. Njoftimi i Le Pen erdhi ndërsa ka pasur raportime se votimet e 6 majit mund të pasohen me protesta të dhunshme në rrugë. Mbështetësit e Frontit Nacional të Le Pen u mblodhën për ta dëgjuar liderin e tyre, ndërsa ata festonin 600-vjetorin e lindjes së Zhan D’Ark.











