TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka deklaruar se operacioni i nisur në Lazarat për asgjësimin e bimëve narkotike është kryer me sukses dhe do të vijojë për asgjësimin përfundimtar të kësaj bime, jo vetëm aty, por në gjithë vendin.
Në një konferencë për shtyp, Burgaj bëri me dije se janë asgjësuar 5 mijë rrënjë bimë narkotike, u arrestuan 5 persona që u kapën duke punuar nëpër parcela dhe janë shpallur në kërkim ata që qëlluan me armë ndaj policisë.
Sipas tij, në këtë operacion u angazhuan 200 forca policie dhe në vijim të këtij operacioni puna u përqendrua në kontrollin e rrugëve lidhëse të Lazaratit.
“Ne i bëjmë thirrje banorëve të Lazaratit të distancohen nga elemente me precedentë kriminalë, që qëllojne ndaj policisë, pasi ne do i përgjigjemi me forcën e ligjit atyre që janë përfshirë në akte të tilla”- tha ai.
© Panorama.al











