lazarat, kontroll nga ajri me helikopter për drogën

Jun 25, 2011 | 11:41
pamje nga lart e lazaratit

Helikopterë të shumtë janë shfaqur këto ditë mbi rajonin e Gjirokastrës, duke lënë te banorët fillimisht përshtypjen e një misioni të një stërvitjeje ushtarake.Por, helikopterët e urdhëruar nga strukturat e Policisë së Shtetit mësohet se kanë pasur një tjetër mision: vëzhgimin në terren nga ajri për të evidentuar parcelat e mbjella me bimë narkotike. Helikopterët kanë nisur monitorimin prej tri ditësh, duke qarkulluar mbi këtë rajon, ndonëse është vënë re se epiqendra e fluturimeve në ajër ka qenë pikërisht zona e Lazaratit. Fatmirësisht, fluturimet mbi këtë fshat janë shoqëruar pa asnjë incident, duke pasur parasysh precedentët e viteve të mëparshme, ku nuk kanë munguar as të shtënat me armë. “Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike është një ndër objektivat kryesorë të punës sonë”, bëri të ditur dje Drejtoria e Policisë së Qarkut në Gjirokastër. Sipas burimeve të Policisë, gjatë ditëve të fundit, uniformat blu kanë organizuar me mjete të sofistikuara kontrollin e terrenit për të parë edhe nga ajri nëse janë mbjellë rrënjë Cannabis sativa. Zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, tha dje se “nëpërmjet helikopterëve që kanë vëzhguar zonën jugore, janë kontrolluar sipërfaqe të mëdha toke në disa komuna të këtij rrethi”. Mullai shtoi se edhe në ditët e ardhshme operacionet e kontrollit me qëllim goditjen e çdo kultivuesi të lëndëve narkotike do të vijojnë. Ndonëse zyrtarisht Policia e Gjirokastrës nuk veçon Lazaratin që të ketë qenë në fokusin e vëzhgimit nga ajri, mësohet se më së shumti helikopterët janë parë mbi këtë fshat. Policia nuk bën të ditur rezultatet e vëzhgimit të deritanishëm në këtë zonë, si dhe nëse do të ketë ndërhyrje të forcave speciale dhe atyre policore në këtë fshat të njohur për kultivim në masë të bimës narkotike.

DROGA

Sasia e drogës së kapur përgjatë këtij 6-mujori nga blutë e Gjirokastrës, në bashkëpunim me forcat policore të kufirit dhe Njësisë së Qarkullimit Rrugor, shkon në afro dy tonë. Policia e Gjirokastrës bën të ditur se është duke intensifikuar punën duke qenë se edhe pak muaj duhen që bima të korret. Zona më problematike përsa i përket mbjelljes është Lazarati, dhe thuajse të gjitha ngarkesat e sekuestruara deri tani kanë dalë pikërisht nga ky fshat.

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura