
Rrëfimi i ish-gruas së parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si u njoh me Xhorxh Bushin, martesa e shpejtë dhe rrudhjet e buzëve të femrave që lakmonin presidentin e ardhshëm
Ajo ishte 31 vjeç kur u martua. Tashmë ia kishin hequr “fillin” se mund të gjente edhe ajo njeriun e zemrës. Por ja që në një ditë të butë vere, ata u takuan. Pas 6 apo 7 javësh takimesh, ai i kërkoi dorën për martesë dhe vetëm një ditë pas ditëlindjes së saj, i ati e shoqëroi drejt altarit për t’u martuar me Xhorxh W. Bush. Laura Bush, bashkëshortja e ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, sjell kujtimet e jetës së saj edhe për lexuesin shqiptar, nën përkthimin e Gjergj Peçit. Është shtëpia botuese “55” që e hedh në treg këtë libër interesant, të titulluar “Fjalë zemre”, ku ish-gruaja e parë tregon për jetën e saj, para dhe pas martesës me Bushin, momentet kulmore në familjen e tyre, por dhe në karrierën politike të të shoqit. Sot po ju ofrojmë një moment shumë të rëndësishëm në jetën e një gruaje, martesën. Njohja me Xhorxhin, propozimi dhe dasma.
Pjesë nga libri
Burri i shoqes sime Xhen Donëllit, Xhoui Onilli, kishte të paktën një vit që më thoshte se donte të më njihte me një nga shokët e tij. Xheni kishte qenë në Lee High School dhe kishte jetuar me mua në Hjuston në Chateaux Dijon. Pasi ndenjën ca vite në San Francisko, Xheni dhe Xhoui u kthyen për të jetuar në Midland. Xhoui punonte në një firmë nafte të të atit, kurse shoku i tij i fëmijërisë, Xhorxh Bushi, punonte si landmen duke gërmuar nëpër regjistrat e Gjykatës së kontesë për toka që mund të jepeshin për shpim pusesh. Xhoui diskutonte me gjallëri me Xhorxhin kur unë me Xheni ndaleshim për ta vizituar. Por unë s’kisha ngut. E kujtoja ashtu vagëllimthi Xhorxhin nga klasa e shtatë, gati njëzet vjet më parë. E dija që i ati kishte kandiduar për senator dhe kishte humbur në vitin 1970, kur u vendosa për herë të parë në Hjuston dhe mendoja se Xhorxhi duhej të ishte shumë i interesuar për politikën, në një kohë që unë s’isha.
Ishte fundi i korrikut, një nga ato ditët më të nxehta që kur binte muzgu, dielli, siç thotë Uilla Kadhëri, ‘linte pas një botë të shterur dhe të sosur’. Vesha një fustan plazhi ngjyrë blu, ngava veturën deri te kryqëzimi i rrugëve dhe eca në këmbë deri te dera e shtëpisë së madhe me tulla kafe të Xhenit dhe Xhouit. Gjinkallat zukatnin dhe gumëzhima e kondicionerëve që i mbanin të freskëta shtëpitë e përvëluara nga dielli e mbyste zhurmën e krahëve të tyre vibrues. Xhoui po rrinte te skara. Nuk ishte ndonjë mbrëmje e përgatitur me kujdes të madh. Ishim vetëm ne të katër – Xheni, Xhoui, Xhorxhi dhe unë – që u ulëm jashtë dhe hëngrëm hamburger. Qeshëm dhe biseduam deri afër mesnatës. Të nesërmen, më ra telefoni. Ishte Xhorxhi. ‘Hajde shkojmë për një minigolf,’ tha ai. Dhe kështu bëmë. Ndërsa Xheni dhe Xhoui na ndiqnin sikur të ishin kujdestarët tanë.
Sheshi i minigolfit ishte nga vendet më të lezetshme të Midlandit. Ndodhej mes një pylli të vërtetë me dru vidhi që edhe në dheun e Teksasit Perëndimor kishin hedhur shtat e ishin hijeshuar. Luajtëm golf në dritën e yjeve dhe s’pushuam së qeshuri. Pastaj u ktheva në Ostin dhe Xhorxhi nisi të më vizitonte për fundjavë. Ndonjëherë, të premteve në darkë vinte me avion ose me makinë, por nuk mungonte asnjë fundjavë, me përjashtim të javës së fundit të gushtit kur u nis për në Mejn që të takohej me familjen. Barbara Bush kënaqet kur tregon se atë verë Xhorxhi ndenji vetëm një ditë në Kenebunkport. Kur mori në telefon apartamentin tim ‘Se kush iu përgjigj,’ thotë ajo, ‘dhe ai iku me vrap të merrte avionin për t’u kthyer në punë.’
Propozimi për martesë

U ktheva në bibliotekën e shkollës Dawson dhe punova gjithë shtatorin. Nga fundi i muajit, Xhorxhi më kërkoi të martoheshim. Ishim shoqëruar vetëm gjashtë ose shtatë javë, por fëmijëria e tij dhe ajo imja ishin aq të njëjta dhe botët tona aq të gërshetuara, saqë ne sikur njiheshim gjithë jetën me njëri-tjetrin. Më pëlqente shumë mënyra si më bënte për të qeshur dhe e admiroja vendosmërinë e tij. Ma thoshte zemra se ai ishte njeriu i duhur. E vështrova e i thashë po. Atë të diel në darkë, ai arriti në Midland dhe u drejtua për në Humble Avenue për të folur me prindërit e mi. Një javë më vonë, herët në mëngjesin e së dielës, unë dhe Xhorxhi shkuam në Hjuston për pagëzimin e mbesës së tij, Noel. Xhebi dhe Kolamba Bushi kishin një shtëpi të vogël në Larchmont, një lagje më tej se Chateaux Dijon. Kishin ardhur edhe Bushët e vjetër bashkë me miqtë e tyre të ngushtë, Suzanën dhe Xhim Bejkërin. Përshëndeta çiftin Bejkër në fillim dhe pastaj Xhorxhi më mori për dore dhe më çoi te prindërit e tij. Më njohu me ta, duke u dhënë lajmin se do të martoheshim. Pas drekës në shtëpinë e Bushëve, i ati i Xhorxhit nxori kalendarin e xhepit dhe nisi të shihte cila ishte fundjava më e përshtatshme. Pas disa minutash zgjodhëm ditën e martesës: 5 nëntor 1977, një ditë pas ditëlindjes sime, një ditë para përvjetorit të aksidentit të tmerrshëm dhe vetëm nja tri javë më vonë. S’kishim kohë as për të porositur shtypjen e ftesave. Nëna i shkroi me dorë të gjitha ftesat tona.
Kërkova dy javë leje në Dawson dhe bashkë me Riganin nisa të dilja në dyqanet e Ostinit, për të blerë fustanin e nusërisë. Kisha qenë në disa dasma të bujshme në Teksas dhe kisha parë se nuset vishnin një fustan të bardhë e të gjatë me vel të zbukuruar me dantella dhe mbrapa u vinin një mori shoqëruesesh. Unë dhe Xhorxhi donim një kremtim të thjeshtë. E bleva fustanin e nusërisë, një fund e një bluzë mëndafshi në ngjyrë fildishi në një dyqan që quhej Maharani, ku shumica e rrobave vinin nga India ose Afganistani. Do të mbaja një buqetë me gardenie dhe do të vija gardenie edhe në flokë. Shoqërues të dhëndrit dhe shoqëruese të nuses nuk kishim. Ftuam vetëm njerëzit e afërm të familjes dhe shokët e shoqet e ngushta, nja shtatëdhjetë e pesë veta, një dasmë shumë e vogël për standardin e Teksasit.
Shumë më nervozë sesa nusja dhe dhëndri ishin Xheni dhe Xhoui, që ishin shoqëruar me vite para se të martoheshin. Asnjëri nga ata nuk e kishte menduar se ftesa e tyre për darkë do të na çonte në altar pas tre muajsh. Dhe ndoshta nuk do të na çonte sikur Xhoui të na kishte puqur kur ishim në Midland ose kur Xhorxhi dhe unë jetonim në dy anët e kundërta të kompleksit të zgafulluar Chateaux Dijon të Hjustonit. Madje, edhe sikur ta kishte bërë këtë në një moment tjetër përpara asaj nate. Por në atë moment të veçantë, në atë natë të ngrohtë vere, ne shpresonim të gjenim dikë. Nuk kërkonim një njeri për t’u shoqëruar, por dikë me të cilin të ndanim jetën deri në fund. Që të dy donim të kishim fëmijë. Dhe ishim gati të ndërtonim një të ardhme të qëndrueshme.
Këto ishin të vërtetat e jetës kur shkuam për darkë atë natë. Ishte pikërisht momenti i duhur.
Sigurisht, në Midland, jo të gjithë e pranuan këtë martesë.
Tek mblidhja plaçkat për t’u larguar nga Ostini, Rigani dhe Billi po shisnin shtëpinë. Një javë para martesës sime, e ëma e një shoqeje nga Midlandi vajti të shihte shtëpinë e Riganit dhe Billit. Po mendonte ta blinte për të bijën. Nuk e njohu Riganin, por kjo i dha të njohur e i tha, ‘Javën që vjen jemi në Midland, sepse martohet Laura me Xhorxhin.’ Dhe ajo grua pa ngurruar fare i tha, ‘Po pra, ta merr mendja? Lënesha e Midlandit të marrë beqarin më të fisshëm të qytetit?
Rigani mbeti pa fjalë. Por mua m’u duk për të qeshur. Në fund të fundit, unë jam katër muaj pa dy ditë më e re se Xhorxhi.
Dasma
U martuam të shtunën paradreke në Kishën e Parë Metodiste të Midlandit. Në atë kishë kisha shkuar gjatë gjithë kohës së fëmijërisë; atje isha pagëzuar që bebe, atje kisha mësuar të këndoja me korin dhe atje shkonte çdo të diel edhe nëna. Ceremonitë e martesave metodiste janë të shkurtra, sidomos ajo jona që nuk kishte as shoqëruese, lëvizja e të cilave mes rreshtave të stolave do të kishte ngrënë edhe ca minuta të tjera. Ishte një ceremoni e përsosur për një ‘lëneshë’ dhe një ‘beqar të fisshëm.’ Darka e përgatitjes u shtrua një natë përpara martesës në sallën e vallëzimit nën katin përdhes të hotelit të ri “Hilton”. Darkën e jepnin Barbara dhe Xhorxh Bushi dhe menyja ishte pulë dhe oriz. Kur nisën ta shtronin, nëna u bë gëlqere në fytyrë. Dreka që do të jepnim të nesërmen pas ceremonisë në Midland Racquet Club kishte të njëjtën meny. Nënës dhe Barbarës as që u kishte shkuar mendja t’i diskutonin menytë. Me t’u gdhirë e nesërmja, nëna thirri organizatorin e drekës për të parë se mos ndryshonim ndonjë gjë, për ta zëvendësuar orizin me makarona a me diçka tjetër. Por ushqimi ishte në procesin e përgatitjes dhe të ftuarit tanë hëngrën përsëri pulë dhe oriz.
Mëngjesin e të nesërmes së përvjetorit tim të tridhjetenjëtë hyra në kapelën e kishës duke u mbajtur te krahu i babait. Xhorxhi po priste tek altari. Një natë më parë, kur u çua të ngrinte dollinë, ai kishte qarë. Xhorxhi dhe babai i tij janë burra shumë sentimentalë. Në vitet që do të vinin, largësia e ftohtë e televizionit do ta errësonte për të tjerët dashamirësinë, ndjeshmërinë e thellë dhe zemrën e tyre të hapur. Xhorxh Herbert Uoker Bushi as që do të provonte të ngrinte një dolli. Vetëm Barbara foli.
Atë mëngjes, xhamat me ngjyra të dritareve do të vetëtinin nga drita, duke lëshuar mbi stolat e thjeshtë prej druri të kapelës shëmbëlltyrën e motiveve të tyre të hijshme. Më vonë, mësova se deri tek altari ishin plot tridhjetë e një hapa, kurse pjesa tjetër shkonte deri në fund të jetës sime.
Për muajin tonë të mjaltit zgjodhëm plazhet e Kozumelit në Meksikë. Nga dreka e dasmës shkuam në shtëpinë e prindërve të mi që të merrja çantat. Te rrugica e shtëpisë bëmë serinë e fundit të fotove të martesës. Na i bëri nëna, por ngaqë ishte shumë nervoze dhe dritëshkurtër, e mbante aparatin lart dhe kujtonte se na kishte nxjerrë, pastaj e ulte poshtë dhe shtynte filmin. Kur i stampuam, të gjitha fotot e nisjes së muajit të mjaltit ishin me poza të rrugicës dhe të gishtërinjve delikatë të këmbëve të nënës.











