
Tefik Osmani nuk është më një lojtar i Tiranës.Lajmin e ka bërë publik vetë mbrojtësi korçar në një prononcim për gazetën “Panorama”. Futbollisti ka sqaruar se një sërë problemesh në pamje të parë të vogla dhe të padukshme, si dhe një sërë dilemash e detyruan atë që t’i jepte fund marrëveshjes me klubin bardheblu.
Por, mbi të gjitha këto, ajo çka ka ndikuar më së shumti tek ky vendim i Osmanit ka qenë fakti se ai u la jashtë formacionit titullar për ndeshjen e parë të Ligës së Europës ndaj Spartakut të Trnavës. Me një këmbë jashtë është edhe Entonio Pashaj edhe ky i lënë jashtë formacionit për këtë takim. Që të dy lojtarët nuk kanë qenë dje prezentë në seancën stërvitore të zhvilluar nga trajneri spanjoll, Hulian Rubio Sançez.
Osmani – Korçari nuk ka duruar dot faktin se mund të qëndronte në pankinë, teksa sipas tij ishte përgatitur gjatë gjithë kohës që ai të ishte në ballë të repartit të mbrojtjes. “Jam larguar nga Tirana për disa arsye që dukeshin si të vogla, por unë gjykova se do të ishte më mirë që gjërat të mos përkeqësoheshin. Si fillim, e pashë veten jashtë skuadrës, një gjë që nuk mund ta pranoj, pasi kam punuar shumë për të qenë titullar. Gjithsesi, ky ishte vendimi i trajnerit, i cili natyrisht ndikoi më pas në vendimin që mora për t’u larguar. Më vjen mirë që me drejtuesit e klubit nuk e pata të vështirë që të gjeja akordin për largimin tim nga ekipi, duke u ndarë shumë miqësisht. Tirana për mua ka qenë një eksperiencë e paharrueshme, por vjen një moment si për këdo që duhet të ndryshojë ambient”, – ka pohuar Osmani.
E ardhmja – Më tej, mbrojtësi ka sqaruar se ende nuk ka vendosur se cili do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm, paçka se zërat e shumtë e çojnë drejt Korçës, Pogradecit. “Shiko, dua të qetësohem dy-tre ditë dhe do të bëj pak pushime të qeta, pasi kam kaluar një periudhë të ngjeshur me stërvitje. Vetëm në vonë do të mendoj për skuadrën time të re, ndaj është e kotë që t’ju them emra kur as vetë nuk e di”, – ka përfunduar korçari.
Pashaj – Ndërkaq, i larguar, por jo zyrtarisht, mund të konsiderohet edhe mbrojtësi tjetër, Entonio Pashaj. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ky i fundit ka treguar se nuk e ka zgjidhur ende përfundimisht kontratën me klubin bardheblu dhe sot ka lënë një takim me drejtuesit për të vendosur mbi të ardhmen e tij. “Nuk jam larguar përfundimisht nga ekipi. Është e vërtetë që sot nuk kam shkuar në stërvitje, por kam lënë një takim për nesër (sot) me presidentin Halili, ku do të sqaroj qëndrimin tim kundrejt klubit. Kështu, nuk mund t’ju them se as jam pjesë e Tiranës dhe as se jam larguar nga kjo skuadër. Gjithçka do ta vendos nesër, pasi të jem konsultuar dhe komunikuar gjerësisht me drejtuesit e klubit”, – ka pohuar Pashaj. Ndërkaq, i pyetur nëse ky acarim i marrëdhënieve mes tij dhe klubit është për shkak se ai nuk luajti në ndeshjen ndaj Spartakut, Pashaj ka sqaruar se më shumë se mos aktivizimi në një takim, janë dilemat që ai ka për të ardhmen me këtë skuadër. Në këtë kontekst, ai dëshiron së pari t’i sqarojë të gjitha çka u thanë me presidentin, para se të vendosë përfundimisht për qëndrimin, ose jo te bardheblutë.
Refik Halili: S’mendoj Levskin, dua ‘kokën’ e Spartakut
Harrojeni Levskin! Te Tirana është gati e ndalur që të mendohet për kundërshtarin e turit të tretë, i dalë nga shorti i hedhur dje në Nion të Zvicrës për Ligën e Europës. Vetë presidenti i këtij klubi, Refik Halili, kërkon përqendrim total te ndeshja e kthimit me Spartakun e Trnavës, duke besuar thellësisht se kjo skuadër që ka në dorë trajneri spanjoll, Hulian Rubio, i ka mundësitë që të kalojë këtë tur dhe të shkruajë një faqe të lavdishme të historisë së bardhebluve në kompeticionet europiane. Kujtojmë se Tirana nuk e ka kaluar asnjëherë në historinë e vet turin e dytë në Kupat e Europës, ndaj këtë herë Halili thekson se është momenti më shumë se kurrë për të thyer këtë tabu. “Nuk ishin një skuadër e pathyeshme. E vetmja gjë e mirë që vura re te ata, ishte fakti se viheshin shumë shpejt në pozicionet e tyre dhe nuk para befasoheshin nga ekipi ynë. Në pak fjalë, ishin të disiplinuar, por absolutisht që nuk ishin në rangun e Tiranës. Kjo gjë më bën të besoj se në ndeshjen e radhës do të mjaftojë minimalisht ta mbyllim me një barazim me gola, që të kualifikohemi”, ka thënë Halili.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











