Largohet Fushaj: Ja pse e lashë Vllazninë

Aug 19, 2011 | 11:36

Valter Fushaj nuk është më president i Vllaznisë. Pas takimit që zhvilloi dje me kryebashkiakun Lorenc Luka, njeriu që prej 8 vitesh sponsorizon klubin kuqeblu, deklaroi dorëheqjen. “Kjo është një nga konferencat e shtypit më të vështira qëkur unë kam marrë drejtimin e Vllaznisë. Sot (dje) kam pasur takimin e katërt me kreun e Bashkisë Shkodër. Ky takim, ndryshe nga tre të parët, ka qenë me më shumë bonsens, por që përsëri nuk arriti atë qëllim që kisha. Jemi me të vërtetë në vështirësi, çka më ka bërë që të jap dorëheqjen nga drejtimi i klubit. Sigurisht, ky është një vendim i vështirë për mua, por shpresoj që të jetë në të mirë të Vllaznisë”. Kështu është shprehur Fushaj në fillim të konferencës për shtyp. Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit si aksioner. “Do të pres deri në janar dhe, nëse përsëri nuk i afrohet kush Vllaznisë, atëherë do ta ndihmoj. Por, në këto kushte jo. Unë jam një investitor, që kam kontribuar sikur Vllaznia të ishte pronë imja. Kjo është bërë që nga akademia dhe çdo lloj aktiviteti në këto vite në mënyrën më profesionale. Unë nuk jam për ta lënë Vllazninë në rrugë, sepse nëse nuk ka njerëz që t’i dalin zot, mjafton një telefonatë dhe me mirëkuptim unë do ta drejtoja këtë Vllaznia deri në janar, por jo më si president i saj. Këtë do ta bëj në kohë rekord si me pagesat e kontratave, edhe me çdo gjë tjetër, për të mos e braktisur klubin,”- ka thënë ish-presidenti kuqeblu. Pas largimit të tij, situata në kampin shkodran është kaotike. Lojtarët janë me valixhet gati, ndërkohë që trajneri Mirel Josa ka thënë për gazetën se do të respektojë kontratën.

© Panorama.al

Te lidhura