
Berisha: Do dixhitalizojmë sistemin shëndetësor dhe atë bujqësor.
Rreth 60 mijë laptopë me çmime të subvencionuara për nxënësit e arsimit të mesëm. Me kompjuterë portabël do të pajisen edhe 6000 mësues. Këtë parashikon marrëveshja e nënshkruar dje nga qeveria shqiptare me kompaninë “Intel”. Memorandumi u nënshkrua nga ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, dhe nga zv/presidenti i “Intel”, John Davies. Skema e subvencionit për nxënësit do të zbardhet në një fazë të dytë. Edhe sot do të zhvillojë punimet në kryeqytet Forumi Rajonal për Europën mbi internetin me brez të gjerë (Broadband). Fokusi i këtij forumi është: Broadband-i, një shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe social. I pranishëm në këtë Forum, Kryeministri i vendit Sali Berisha u shpreh se do të dixhitalizohet i gjithë sistemi shëndetësor dhe ai bujqësor. Ai siguroi se po punohet për ndërtimin e një sporteli të vetëm për të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe dixhitalizimin e të gjitha fushave. “Këtë vit ne do të sigurojmë internet falas në 1200 zyra në të gjithë vendin dhe nuk duhet të ketë pengesa në përdorimin e tij për shkak të tarifave. 125 projekte po vazhdojnë në të gjitha fushat”, u shpreh Kryeministri. Ai e cilësoi ngritjen e one-stop-shop për regjistrimin elektronik të biznesit dhe atë për licencat si një nga arritjet më të mëdha. “Me sistemin e gjurmueshmërisë, njerëzit e biznesit mund të gjurmojnë dokumentet e tyre kudo që të ndodhen në administratën tonë. Ne po punojmë dhe kemi arritur të vendosim sistemin elektronik të taksave, doganave”, tha Berisha.
Interneti me shpejtësi të lartë
Qasja në rrjetet me internet me shpejtësi të lartë (pra Broadband) është zhvilluar shumë në dekadën e fundit dhe po shihet gjithnjë e më tepër si infrastrukturë thelbësore për rritjen e ekonomisë globale dhe të informacionit. Me qëllim diskutimin mbi zhvillimet më të fundit lidhur me Broadband-in në rajon, forumi, do të shqyrtojë sot ndër të tjera mënyrat për të maksimizuar përfitimet ekonomike dhe sociale nga kjo infrastrukturë.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











