Lamtumirë Rixh, Ronn Moss lë “Beautifulin” pas 25 vjetësh

Aug 27, 2012 | 14:28

Shoqeni, mbahuni! Do ju jap një lajm tronditës. Rixhi iku, na la. Rixh Forester, i parezistueshmi, stilist, nderi i dinastisë Forester. I gjatë, me nofulla të forta, brun (së fundi i lyente flokët), me një vështrim joshës, në këmbët e të cilit binin të gjitha femrat që kishte vërdallë… Po, po dora vetë ka vendosur të lërë “Beautiful”. Sigurisht flasim për aktorin Ronn Moss, i cili pas 25 vitesh të gjatë, plot peripeci, plot martesa e divorce, ka vendosur ta braktisë telenovelën e famshme dhe të gjithë pleqtë e plakat e serialit që mezi mbahen tashmë në këmbë, e të merret me muzikë, gazetari e ç’t’i dojë qejfi. Thonë se arsyeja e vërtetë është pagesa, por ai thotë të kundërtën. “E lashë ‘Beautiful’, sepse ndoqa shenjat e fatit”. Kështu është shprehur Moss, pasi vendosi të braktisë soapoperën më të famshme në botë dhe personazhin e Rixh Foresterit, që e bëri të famshëm dhe të pasur. “U jam mirënjohës të gjithë atyre që më kanë ndjekur në këta 25 vjet dhe do të kisha dashur t’i përqafoja një për një. U detyrohem shumë atyre dhe nuk e lashë telenovelën vetëm për shkak të pagesës, pasi e kam dashur shumë gjithë stafin që ka punuar me mua. Jam në një moment rilindjeje dhe kam ndjekur shenjat, falë të cilave mund të drejtohesh në jetë, kur ka gjëra që ndodhin dhe na trokasin në shpatulla, në kokë dhe shpeshherë nuk i dëgjojmë, si budallenj”, është shprehur ai për “Entertainment Weekly”. Më tej, ai shton disa arsye konkrete që e shtynë të ndërmerrte këtë vendim. “Ishte një aksident me makinë që pësova bashkë me gruan time. Nuk më kishte ndodhur më parë. Kishim ndaluar në trafik, në një orë piku, kur dikush na godet aq fortë sa e shkatërron krejtësisht makinën tonë. Sapo isha kthyer nga një takim pune shumë stimulues dhe, ajo që na ndodhi, më bëri të kuptoj që duhet t’i jepja një drejtim tjetër jetës sime”. Ndërsa shenja e dytë iu shfaq pikërisht në ditën e fundit të xhirimeve. “Isha gati, i trukuar, i veshur për të hyrë në skenë. Kisha edhe 10 minuta për të filluar, kur dëgjoj regjisorin e skenës që po bërtiste se kishte vajtur ora. Po si ishte e mundur? Ora ime shënonte 09:42, por në fakt ishte 10:11. Kishte ngelur. Ora kishte ndalur ekzaktësisht në orën kur unë kam lindur. Kam lindur në orën 09:42, të martën dhe e marta ishte dita ime e fundit e xhirimeve. Ndërkaq ai po ndërton jetën e tij pa Rixhin. “Kam nisur një ueb-seri ‘Ronn’s Garage’, ku intervistoj personalitete të ndryshme. Në njërën prej tyre dua patjetër të ftoj Katherinën (të famshmen Bruk Logan) dhe t’jua tregoj si nuk e keni parë kurrë. Është e çuditshme për mua ta takoj jashtë sheshxhirimit”.

© Panorama.al

Te lidhura