Lamtumirë Ali! Podrimja është këtu

Jul 24, 2012 | 13:08

AGIM BAÇI

Ai kishte kufi fjalën dhe tokën. Atdheut, edhe pse e mendonte të pafund, dinte t’i vinte kufijtë. Preferonte ato pa luftë, edhe pse gishti dinte t’ia tërhiqte këmbëzën. Preferonte t’u zgjaste dorën të tjerëve e t’i drejtohej për ta pasur pranë. Sepse ishte njeriu i fjalës. Dhe shumë vargje që në rini mundi t’i bënte bashkë pasi e pa Kosovën duke notuar drejt lirisë. Ai ishte aty, motor i fjalës, për të bashkuar rininë e tij dhe moshën e burrit, njeriun që di të kërkojë dhe të falë.
Aliu në fakt mbylli sytë dhe u nis drejt një bote në të cilën, kush më parë e kush më pas, do të nisemi të gjithë. Por mbylli vetëm sytë. Sepse ai la mijëra vargje, shkrime, fjalë që janë me ne. Për të gjithë ne që e njihnim, do të na mungojë një telefonatë, një kafe me të. Për të gjithë ne që e kemi pasur mik dhe që e kemi vlerësuar për atë që ka shkruar, ai është aty, në raftin tonë të librave, duke na pritur ta ritakojmë, t’ua prezantojmë fëmijëve, e për më shumë, t’u tregojmë se çfarë deshi.

Poeti, Ali Podrimja

Nuk janë të shumta rastet në letërsi kur dikush mbetet fanatik poezisë, pasi shkrimi i vargjeve duket sikur i përket një moshe të re, kur energjitë janë të pafundme dhe kur ëndrrat janë mbi gjithçka. Por ai pati fatin që poezia të qëndronte me të, pa pyetur për moshën e tij. Ai kish pasur ëndërr Kosovën në liri dhe i këndoi asaj. I kish hequr kufijtë përmes shqipes së tij të ëmbël, duke e bërë bashkë Shqipërinë. Dhe duket sikur e kish mbajtur vetë poezia, ta kishte të sajën, derisa një ditë e la të lirë, për ta përfaqësuar ajo, për të qenë ajo pasaporta në këtë botë.
Aliu nuk ishte njeri që mund të qetësohej nga heshtja. Atë e qetësonte fjala. I drejtohej kujtdo me kurajën e tij për të folur. Të shihte në sy. Të dëgjonte ngadalë. Kishte guxuar të fliste gjithnjë. Nuk e kishte fshehur kurrë dhimbjen, si një thyerje që i ishte bërë shqiptarëve, të ndarë pas kufijve të ndryshëm brenda një territori të vogël. Dhe ai i kushtoi vargjet, këngën, duke mos ndalur së bashkuari përmes gjuhës. Dhe Zoti e mori, ashtu siç thonë edhe lajmet, nga qyteti i Lodëve, farë pranë natyrës, aty ku bashkohet uji dhe pemët. Kishte shkuar të fliste për poezinë dhe u nis nga kjo botë vetë si një varg, si një kujtim për një nga librat e tij më të arrirë, “Lumi, lumi”.
Aliu mbylli sytë. Por Podrimja është këtu. Sepse një poet nuk largohet kurrë nëse ka mundur t’i këndojë vendit, ndjenjës dhe të mund të thurë me një largpamësi atë që mundet t’i bëjë bashkë të gjithë njerëzit e gjuhës së tij. Dhe Podrimja e ka bërë duke lënë dhjetëra vargje që i njohin anekënd, madje jo vetëm njerëzit e gjuhës së tij. Nëse flasim për të, duhet t’ua themi fëmijëve atë që shkroi, atë që i këndoi vendlindjes, njeriut, natyrës, dashurisë.
Aliu mbylli sytë. Por nëse duam të flasim me Podrimen, mjafton të shfletojmë atë që ai shkroi, atë që na e la duke punuar për vite me radhë, pa u ndalur. Sepse ai kishte kufi fjalën.

© Panorama.al

Te lidhura