Lamtumira e parakohshme për Gazmend Mukën

Feb 20, 2012 | 11:16

U nda nga jeta në moshën 48-vjeçare piktori e studiuesi.

Miqtë ndajnë dhimbjen e humbjes dhe kujtojnë njeriun, që i deshi pa kushte.

Shumë njerëz shkojnë e vijnë në jetët tona, shumicën e harrojmë shpejt, por ata që mbeten janë njerëzit, që dikur të kanë dhënë një dorë të ngrihesh. Gazmend Muka ishte një prej tyre. Ka qenë korriku i vitit 2003, kur kam nisur të punoj si gazetare kulture. Thuajse nuk njihja askënd.
Gazi ishte drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës asokohe dhe prej tij kam marrë lajmet e para. Pak rëndësi kishte për të nëse unë isha një gazetare fillestare. Ai u ofronte besim njerëzve. Dhe atëherë kam shkruar shkrimet më të bukura për monumentet e kulturës. Për zbulimet në Durrës, për restaurimin e afreskeve të Kishës së Pllanës, për rikonstruksionin e Teatrit të Kukullave, për Mozaikun e Linit… Dhe ajo çka qe e bukur në gjithë këtë bashkëpunim, nuk ishte thjesht lajmi. Nuk bëhej fjalë thjesht për mure apo shenjtorë të trishtë… Pas tyre fshihej gjithnjë një histori mes së vërtetës dhe legjendës. Diçka për të cilën kishe kënaqësi të shkruaje. Kishte shumë pasion në punën e Gazit artist, kritik, studiues… Sot nuk është më. Pas një sëmundjeje të rëndë u nda nga jeta në moshën 48-vjeçare. Lajmi i vdekjes së tij u shpërnda mes miqsh, jo me bujë mediatike, ashtu si edhe ai vetë ishte. I heshtur, i përkushtuar në punën e tij studimore, por me një humor të hollë dhe buzëqeshje gjithmonë të gatshme. Ishin pa fund mesazhet e ngushëllimit drejtuar familjarëve dhe miqve, shumë prej të cilëve u gjendën të papërgatitur përpara këtij lajmi e ndoshta edhe më shumë të trishtuar, që ditëve të fundit nuk iu gjendën pranë, ashtu si ai do kish bërë patjetër për ta. Ata që e njohën, kanë humbur një njeri të rrallë, një mik që ishte gjithmonë aty për ta. Artet pamore humbën një artist reflektiv. Deri vonë, Gazmend Muka ka qenë pjesë e ngjarjeve më të mëdha të artit pamor në Shqipëri, siç është konkursi ndërkombëtar “Onufri”, ku ai garonte deri dy vjet më parë. Ndërsa bota akademike humbi një nga studiuesit më të mirë dhe të pabujë. Disa nga veprat dhe artikujt e tij studimorë janë “Art thënia bizantine te çetirët”, “Problematikë kritike në artet vizive shqiptare”, “Artet figurative në shek. XVI-XVIII”, në bashkëpunim me Mustafa Arapin, “Historia e Kryqit të famshëm të Labovës” etj. Ndërkohë kishte në duar një monografi për Kishën e Labovës, të cilën nuk arriti dot ta shihte të botuar.
Shpend Bengu
Një nga njerëzit, që e ndjeu më thellë humbjen e tij, veç familjarëve, ishte artisti Shpend Bengu, një nga miqtë më të hershëm të Gazmend Mukës. “Për mua Gazi nuk ishte një mik, ishte një vëlla dhe humbja e tij është shumë e dhimbshme për mua. Nuk e kujtoj kur mund të kem qarë aq shumë dhe nuk më vjen turp për lotët e mi. Mund të flisja gjithë ditën se sa njeri i mirë dhe sa artist i talentuar ishte Gazi, se sa shumë do t’ia ndiej mungesën. Është mirë ta kujtojmë ashtu si ishte, si një studiues i jashtëzakonshëm, që i kushtoi jetën studimit të pikturës së Çetirëve dhe Kishës së Labovës, së cilës po i kushtonte edhe një monografi. Ai ishte një nga ata heronjtë e heshtur të Shqipërisë, të cilit i është kushtuar edhe një dokumentar me këtë titull”, thotë Bengu, i cili ishte një ndër njerëzit që i ndenji pranë deri në fund.
Edlira Çaushi
Për piktoren dhe restauratoren Elira Çaushi, ikja e një prej ish-kolegëve më të mirë është ende e pabesueshme: “Ndonëse e dinim që kishte një sëmundje serioze prej disa muajsh, nuk e kishim menduar që Gazi do na largohej kaq shpejt. Edhe pse njihnim çdo detaj të situatës së tij shëndetësore, shpesh njeriu dëshiron të shpresojë dhe të imagjinojë se mund të ndodhë mrekullia dhe do ta kishim pranë sa më gjatë. Por, fantazia dhe dëshira nuk na mbështeti shumë kësaj radhe dhe lajmi therës për vdekjen e Gazit na trishtoi pa masë. Ndonëse nuk ishte më pjesë e Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku punoi për shumë vite, Gazi studionte dhe punonte me shumë pasion mbi monumente apo site që i kishte shumë për zemër, duke na lënë pas një sërë artikujsh, librash dhe dorëshkrimesh me shumë vlerë. Do na mungojë Gazi si një koleg i mirë, një shok i dashur, një mik i jashtëzakonshëm për shokët që donte dhe e donin. Do të na mungojë Gazi, humori i tij, e qeshura me shpirt, por edhe ironia apo autoirinia elegante. Do t’u mungojë edhe labovitëve, pranë të cilëve punoi, teksa studionte kishën e Shën Mërisë dhe për të restauruar ikonat e saj. Në kurorën e tyre i dedikonin “GAZIT TONE ME MIRENJOHJE – KISHA E LABOVES DHE LABOVITET!”
Gjerak Karaiskaj
“Gazi ishte një njeri i papërtuar, sakrifikonte pa fund për miqtë e asnjëherë nuk ua kujtonte”, thotë studiuesi Gjerak Karaiskaj, një nga miqtë dhe njerëzit me të cilin Gazmend Muka ka punuar për shumë vjet. “Pas viteve ’90, Gazi erdhi në Institut nga Atelieja e Monumenteve në Berat dhe iu kushtua me shumë pasion studimit të monumenteve të kulturës. Çka e vazhdoi edhe pasi u largua nga Instituti, deri në momentin që u sëmur”, thotë Karaiskaj, teksa kujton udhëtimet e shumta që kanë zhvilluar së bashku në Lezhë, Berat etj., në ato monumente, ku shtrihej interesi i tij. “Ishte një njeri shumë punëtor dhe që nuk e ngrinte kurrë zërin”. Por më shumë se talenti i tij si piktor, pasioni për studimin e monumenteve, Karaiskaj vlerëson anën njerëzore, atë komunikim të ngrohtë që Gazi krijonte me të gjithë dhe dashurinë që e jepte pa kushte.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura