Lakmia për poste e grada dhe mësuesi ynë në Tepelenë

Sep 11, 2023 | 7:19
SHPËRNDAJE

KRISTO-MËRTIRI1KRISTO MERTIRI

Dje në mbrëmjë, ra zilja e celularit. Ishte mësuesi ynë i Gjuhës e Letërsisë Shqipe në shkollën 8-vjeçare, nga të rrallët që jeton ende në Tepelenë. Ishte Krenar Progonati ose Nolja siç e thërrasin sot e gjithë ditën shumica e banorëve dhe e ish-nxënësve të tij. Këtë nofkë të dashur e ka fituar herët atje mbi Vjosë, në qytetin e erërave të serta. Është djali i vetëm i nënë Fatos, i asaj gruaje të rrallë që mbi 80 vite më parë i tha së bijës 14 vjece: “Nimete, o shpirt, t’u bëftë udha dritë në mes të partizanëve të Lirisë…”. Dhe marshoi shteg më shteg e mal më mal me Brigadën e Pestë Sulmuese. Historia mban shënim dhe e ruan të pastër emrin e luftëtares më të vogël të Batalionit. “Cikëndia e Nënës” mbeti yll i pashuar në malet e Dibrës. Sot, Heroinë e Popullit… Flokët e bardhë të Noles si bora mbi Golik e Trebeshinë, sikur ua shtojnë hijeshinë udhëve, sallave, busteve e lapidarëve, sa herë mblidhen me veteranët e pasardhësit, me familjet e dëshmorëve të atdheut, me fëmijët e shkollave që nuk harrojnë ta ftojnë çdo 7 mars, çdo 5 maj etj. Mirëpo, mbrëmë folëm gjatë. Bisedën tonë nuk e ndezi vetëm malli. Sepse ai më lexon gati çdo shkrim. Në vite kështu. Edhe kur nuk shkon dot vetë te kioska e gazetave, nuk e lë bosh Naimeja, bashkëshortja gjirokastrite që shërbeu si mësuese jo dosido edhe në fshatrat e rrethit të Përmetit. Veprimtare e shquar, e mençur, e palodhur dhe tepër modeste. Rrugëtim vullnetar të bukur që nuk e ndërpreu as pas daljes në pension. Larg interesave të vogla e meskine. Një çift model urtësie, të dashur e korrektë me njerëzinë në qytet e në fshatra. Simbol i vullnetarizmit të kulluar, pasqyrë reale e patriotizmit real, përtej rrahjes së gjoksit e përtej dekoratave apo etjes për kolltuqe, poste e spaleta të pamerituara. Po pse u ndez fort biseda ime me Nolen?

Fjala ngiste fjalën. Jo më kot më pyeti për ca sherre e sherrxhinj në kupolën e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANC, me seli në Tiranë. Iu shmanga hollësirave pa vlerë e sidomos fyerjeve publike dhe llafeve tymuese që nuk i shërbejnë solidaritetit. Por, shqetësimi i tij ishte legjitim, krejt i natyrshëm dhe i sinqertë: “Më shumë se kudo, aty na bashkon patriotizmi dhe aspak karrierizmi apo etja për spaleta e poste! Shkurt, çdo lloj përçarje u shërben gratis kundërshtarëve të epopesë së lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare…”. Ndërsa unë i tregova diçka për lagjen tonë nr. 2, në Tiranë, kur një Pasardhës Veterani drejtoi vetëm një pyetje domethënëse: Më thoni, sherret për postet, përse ndodhin atje lart dhe jo këtu te ne në bazë?! Ku fle lepuri vallë?… Pyetje që flet e do të flasë shumë. Dje, sot dhe nesër. Se mësuesi ynë i dikurshëm, nuk është një shembull i rëndomtë. Është vëllai i Heroinës së Popullit. Biografi familjare e shkëlqyer. Mirëpo, nëpër dekada, në monizëm e në pluralizëm, ai nuk tundi kurrë dyert e zyrave në rreth e në qendër për të rrëmbyer grada e poste të ndryshme. Mësues ishte, mësues mbeti deri në fund. I nderuar e i respektuar. Në një kohë kur të tjerët bënin namin për të përfituar favore e privilegje nën hijen e të rënëve për Lirinë e Atdheut dhe pa asnjë meritë personale në punë e shoqëri. Dhe janë po këta tipa të fryrë që pasi lanë postet shtetërore të djeshme, përpiqen të ngjiten e të mos shqiten pas posteve shoqërore. Nuk mund të jetojnë dot ndryshe. Sipas vrapit e inatit të tyre, pa ata nuk do të kishte as shi e as diell! “Edhe ne në Tepelenë bëjmë debate të lira e të forta, japim mendime ndryshe dhe mund të ngremë edhe zërin, por pastaj i hedhim dorën në qafë njeri-tjetrit, pimë kafe, bëjmë shakara, qajmë halle e maraze… Lum kush nuk vuan nga zilia, smira, ethet kolltukofage, inferioriteti!”. Kjo botë e krokolepsur i paska të gjitha, të mirat dhe të ligat. Por, mbi të tëra nxin e sterros : Mosmirënjohja! E ka thënë shkurt, saktë e qartë Marksi i madh. Dhe nuk është vetëm “çështje karakteri”, por edhe “çështje kulture”. Një i palexuar dhe i mbyllur në kullën joshëse e dembelhane të “biografisë”, shpesh mund të bëjë gjëmën duke gjykuar kurdoherë nga “maja e Olimpit” mbi njerëzit e thjeshtë, mbi Pasardhësit punëtorë e aspak llafazanë. Për shembull, si ka mundësi që Krenar Progonati me shokë e shoqe, nuk u “përzgjodhën” kurrë për në forume partish, organizatash e shoqatash në qendër? Çfarë i ka munguar, biografia e dinjiteti, arsimimi, kultura, oratoria, simpatia popullore në Tepelenë e gjetkë? Ua them unë, ish-nxënësi i tij: I ka munguar dhe i mungon servilizmi, “shkathtësia” karrieriste për të ngjitur shkallët e pushteteve moniste e pluraliste, kupolat drejtuese të organizatave e të shoqatave xixëlluese e verbuese në metropol!

Dëgjomë pak, vëllai im. Sa për profesorin e dashur Hulusi Hako, kemi nevojë ne për të, për pjekurinë, urtësinë, mençurinë, kokëplotësinë e një jete të pasur në Arsim, ndershmërinë dhe kontributin e tij të cmuar për çështjen kombëtare e kurdoherë në mbrojtje të vlerave antifashiste shqiptare e botërore. Është me rrënjë të forta atdhetarie. Ai po, mund të mos ketë hiç nevojë për ne(organizatën), por kemi nevojë ne për atë burrë me 9 dekada mbi supe… Edhe kur shpifën pacipërisht deri në media të qorollepsura, ai heshti në heshtjen e tij të përkorë, qytetare e filozofike dhe me zemrën plot mirësi e dlirësi. Vetëm atij nuk ia verbojnë dot sytë dhe mendjen paratë, kolltuku, spaletat e të përpjetat në karrierë. Shumica e moshatarëve të tij sot gëzojnë pensionin e pleqërisë. Ndërsa ai punon ende, shkruan e boton libra, por bën edhe humor të shëndetshëm e origjinal. Ku ndonjë ish student mendjembyllur e vrapues i neveritshëm për poste të pamerituara dhe ku Profesori ish Debatikas i thjeshtë e aspak pendëfryrë.

E rëndësishme është që tipa të tillë të mos kthehen në qesharakë e karnavale. Aq më tepër në një moshë kur nuk ke as kohë të korigjohesh! Më konkretisht, incidenti banal gjatë festimit të Ditës së Veteranit në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, nuk harrohet lehtë. Një “autogol” irritues përballë Veteranëve dhe Pasardhësve idealistë. Vetë unë u trishtova dhe u hidhërova jo pak. U përpoqën të hidhnin “piper” a “zeher” mbi ato orë feste! Fjalori i rrugës nxori lakuriq ndonjë kokërr kokëtuli kur bëri thirrjen paradoksale, arrogante e çmendurake nga podiumi: “Të ndershmit të dalin jashtë!”. Por, shumica nuk lëvizi nga vendi. Nuk qenkërka e lehtë të ndash mirë në një grup të vogël njerëzish të çartur, të keqen nga e mira, kashtën nga kokrrat! Megjithse disa prej tyre i kam njohur në vite. Dhe zhgënjimi po më rëndonte jo pak. U ula e bëra nja shkrim që u botua. Si dëshmitar okular, e pse jo si qytetar, pasardhës veterani e gazetar profesionist. Nuk dëshiroja të përmendja asnjë emër e mbiemër. S’më bënte dora. Jo se kisha frikë. Besoj, më mirëkuptoni. I mëshova dukurisë së shëmtuar, por edhe gëzimit të festës në atë vapë përvëluese korriku. Më uruan e falenderuan mjaft lexues e miq nga Kryeqyteti dhe nga rrethet e vendit, me përjashtim 2 a 3 anonimëve që menderosin vazhdimisht internetin me pseudonimet e tyre lëtyra. Punë e madhe! “Pordhi kali në derë të hanit!”, do thoshte gjyshi im i ndjerë. Mendoni pak çaste se sa njerëz të ndershëm kanë marrë më qafë ata të paemër e zuzarë të përjetshëm, me gëlbazat e tyre anonime. Ende nuk dua të besoj, se janë nga ata që lëshuan “qarkore sekrete” (mesazhe tërkuzë) në disa drejtime pas ca ditësh. Tani e kam edhe unë në celular, dërguar nga miqtë e vërtetë. Çfarë ndodhi?

Pasi merren ngul e shkul me sherret dhe hyjneret helmatisëse me njeri-tjetrin, një paragraf ma kushtojnë mua për shkrimin e botuar. Edhe ish-Sektori i Shtypit në KQ të PPSH-së të ishin, kurrsesi nuk do nxitoheshin kaq shumë e për lumë! Kam mbi 40 vjet që shkruaj e mbroj me gjongul LANC, themelet e kësaj Shqipërie të lirë e demokratike. Nga 3 autorët e “qarkores”, njoh vetëm njërin. Vrava mendjen dhe i fola vetes: Mos i kam ndonjë borxh të pashlyer? Përkundrazi. Dhe i dhashë karar: Këta janë prototipa që kurdoherë u pret “thika” në një anë, vrasin e presin të tjerët dhe lenë në hije karagjosllëqet e tyre! Apo është thjesht njëanshmëri? Nuk e besoj plotësisht. Aq më keq kur dikush përdoret si karrem për të realizuar djallëzitë e ligësirat. Çështje karakteresh të fëlliqura? Mundet. Se replikë nuk është. Edhe po ta quajmë kështu, vetë parlamentarët tanë mund të më tërheqin vëmendjen ose të më hakërrehen: Pse sëkëlldisesh, ti nuk ke përmendur asnjë me emër? Nuk kam dashur dhe ende nuk dua të hyj nëpër llagëmet e tyre të zeza, të cilat bien erë të rëndë poshtë posteve e postiqeve të tranzicionit rrumpallë. Jam shumë larg ethebutëve e thëngjillëve të mbuluar. Mirëpo, në fund të atij “mesazhi” tepër të gjatë, nuk përtojnë të thonë se është “solidarizuar” edhe një cetë me 18 a 19 vetë! Shpikje e re intrigante që u vë vulën 3 autorëve në krye?! Por, befas u pataksa kur mes tyre lexova edhe emrin e një ish mikut tim. Aty për aty, dikush më këshilloi: Ruhu nga miku, se nga “armiku” ruhesh vetë! Të tillë njerëz flasin, shkruajnë e firmosin nga frëngjitë e pabesisë e të errësirës. Të jem i sinqertë, u dëshpërova pa masë. Dua të takohem e të flas sy më sy, por paska ikur matanë detit e oqeanit… Nuk ka thënë kot i mençuri i moçëm: Peshkatari dhe krimbi shkojnë bashkë për peshk, njëri në këmbë, tjetri në grep!

Gjatë jetës sime qytetare e profesionale, gati i kam urryer anonimët e zinj të letrave, ata që hedhin gurin e fshehin dorën. Veç të tjerave, prijësi simpatik i këngëve të Lapardhasë së Vlorës, Nazif Çela, ka një këngë të titulluar: “Mirëmëngjes, o interes”. Është një copëz pasqyre e kësaj kohe pa kohë e pa namuz. E dëgjoj shpesh. Më ndez mendimet e meditimet. E pëlqejnë kudo. Se lakmia pa fre shton ligësinë. Dhe harrojnë se turpi është për të gjallët. Pra, yrrja-byrrja! E tha saktë e bukur mësuesi ynë në Tepelenë: “Të gjithëve na bashkon patriotizmi e vullnetarizmi dhe jo posti e karrierizmi kallp”…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura