Deputeti i PS-së, Plarent Ndeca është paraqitur mesditën e sotme (15 Nëntor) në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Ligjvënësi socialist Plarent Ndreca është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e shkeljes pabarazisë në tenderë. Sipas gazetares se News24, Klodiana Lala, Plarent Ndreca ka kerkuar vete te paraqitet ne SPAK per t’iu pergjigjur pyetjeve lidhur me akuzat qe jane ngritur ndaj tij.
Deputeti Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve në tenderë.
Gjithashtu ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj.
Njoftimi i KLSH më 30 korrik 2021
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ushtroi auditim financiar dhe përputhshmërie në Ministrinë e Brendshme, duke i kushtuar vëmendje të posaçme çështjeve që lidhen me aktivitetin ekonomiko-financiar të saj për vitet 2018, 2019 dhe 2020.
Nga procesi i auditimit kanë rezultuar mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”, ku përfshihen Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje me këto shkelje ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzim penal ndaj 5 funksionarëve të Ministrisë së Brendshme, përgjegjës për vlerësimin e ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit” për veprën penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al