Kamikazë në zyrat e guvernatorit të Paruanit
Gjashtëmbëdhjetë të vdekur dhe 37 të plagosur është bilanci i një sulmi të kryer në Afganistan mëngjesin e së dielës në zyrat e guvernatorit të provincës Paruan, 50 kilometra larg kryeqytetit Kabul. Sipas Ministrisë së Brendshme afgane, një kamikaz ka shpërthyer një autobombë në hyrje të ndërtesës duke i lejuar pesë burrave të hyjnë brenda saj dhe të qëllojnë. Guvernatori i Paruan, Abdul Basir Salangi, tha se sulmi u drejtua nga pesë veta, dy prej të cilëve shpërthyen veten. Ata kanë hyrë në ndërtesë ndërsa po zhvillohej një takim mbi sigurinë, sipas disa mediave me zyrtarë amerikanë. Në afërsi të ndërtesës para hyrjes së tyre kanë ndodhur pesë shpërthime.
Siri, dhjetëra të vrarë, Asad angazhon edhe luftanijet
Të paktën 23 persona kanë humbur jetën dje në Latakia të Sirisë, pasi forcat qeveritare ndërhynë me tanke dhe armë zjarri. Në këtë qytet-port janë përfshirë në sulmet kundër protestuesve edhe luftanijet siriane. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite dhe kryeministri britanik, Devid Kameron, kanë bërë sërish thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës në Siri. Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, që në mars, kur kanë nisur protestat në Siri kundër regjimit të presidentit Bashar al Asad, mund të jenë shkaktuar rreth 2 mijë viktima.
Liderja opozitare e Mianmarit nis turneun politik
Liderja e opozitës në Mianmar, e cila për shumë kohë ka qëndruar në burg dhe në arrest shtëpie, Aung San Su Ki, ka nisur tashmë turneun e saj politik, me gjithë paralajmërimet se mund të arrestohet. Kandidatja e çmimit “Nobel për Paqen” u shoqërua në turne nga udhëheqësit e partisë opozitare “Lidhja Kombëtare për Demokraci”. Sipas REL, Su Ki e nisi vizitën e parë politike me udhëtimin njëditor në Bago. Kjo ishte dalja e parë politike e saj që pas lirimit nga arresti i shtëpisë, më 13 nëntor të vitit të kaluar. Su Ki është liderja e Lidhjes Kombëtare për Demokraci, e cila ka fituar zgjedhjet e përgjithshme më 1990, por nuk e ka marrë kurrë pushtetin për shkak të bllokimit nga ushtria.
Berluskoni: Duhet t’i fus duart në xhepat e italianëve
Pasi mori edhe “bekimin” nga Këshilli i Europës për miratimin e paketës së kursimeve ekonomike, kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ka deklaruar se “po më pikon zemra, pasi do të duhet të fus duart në xhepat e italianëve”. “Qeveria është marrë vesh unanimisht rreth masave të kursimit, të papara deri më tani dhe shpejtësia me të cilën e kemi arritur një gjë të tillë, është e madhe”, tha Berluskoni, i cili ka dashur ta ndajë me italianët kënaqësinë e vet rreth marrëveshjes së arritur në qeveri përmes një videomesazhi, por këshilltarët i kishin sugjeruar që të mos e teprojë e se mjaftonte konferenca e shtypit. Të prekur shumë nga masat e kursimit do të jenë provincat.











