Forcat amerikane kanë kryer dhjetëra sulme ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Sirinë qendrore, sipas zyrtarëve amerikanë.
Në një deklaratë, Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) tha se sulmet kishin për qëllim të sigurojnë që Shteti Islamik të mos përfitojë nga situata aktuale në Siri, pas rrezimit të presidentit Bashar al Assad.
Siç njoftoi CENTCOM, bastisjet kundër kampeve të ISIS-it u kryen për të parandaluar grupin terrorist nga kryerja e operacioneve dhe për të siguruar që ISIS të mos përpiqet të përfitojë nga situata aktuale për t’u rigrupuar në Sirinë qendrore.
Bastisjet u zhvilluan menjëherë pas deklaratave të presidentit amerikan Joe Biden, i cili u shpreh se SHBA nuk do të lejojë të krijohet një strehë e sigurt në Siri për anëtarët e organizatës terroriste.
Biden ka reaguar për herë të parë nga Shtëpia e Bardhë mbi situatën në Siri dhe rrëzimin e Bashar al Assad, ku tha se rrëzimi i regjimit të Asadit është një moment mundësie historike për popullin e Sirisë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
“Rënia e regjimit është një akt themelor drejtësie. Është një moment i mundësisë historike për popullin e shumëvuajtur të Sirisë që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për vendin e tyre krenar”, tha Biden në fjalën e Shtëpisë së Bardhë të dielën.
Biden u zotua të mbështesë fqinjët e Sirisë, përfshi Jordaninë, Libanin, Irakun dhe Izraelin, gjatë tranzicionit të pushtetit në Siri.
Ai thotë se SHBA-të do të punojnë me partnerët dhe palët e interesuara në Siri për t’i ndihmuar ata të shfrytëzojnë një mundësi për të menaxhuar rreziqet.
Kujtojmë se mediat ruse raportuan se Presidenti i rrëzuar sirian, Bashar al-Assad dhe familja e tij kanë mbërritur në Rusi dhe kanë përfituar azil politik.
“Assad dhe familja e tij kanë mbërritur në Moskë. Rusia, për arsye humanitare, u ka dhënë atyre azil”, raporton TASS.
Kishte shumë spekulime mbi vendndodhjen e Asadit pas raportimeve se ai ishte larguar nga Damasku përpara se rebelët të arrinin atje mëngjesin e 8 dhjetorit. Rusia, një nga aleatët më të ngushtë të Asadit, konfirmoi se ai ishte larguar nga Siria, por nuk tha se ku ishte, apo nëse Moska i kishte dhënë strehim.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al𝐔.𝐒. 𝐂𝐞𝐧𝐭𝐫𝐚𝐥 𝐂𝐨𝐦𝐦𝐚𝐧𝐝 𝐂𝐨𝐧𝐝𝐮𝐜𝐭𝐬 𝐃𝐨𝐳𝐞𝐧𝐬 𝐨𝐟 𝐀𝐢𝐫𝐬𝐭𝐫𝐢𝐤𝐞𝐬 𝐭𝐨 𝐄𝐥𝐢𝐦𝐢𝐧𝐚𝐭𝐞 𝐈𝐒𝐈𝐒 𝐂𝐚𝐦𝐩𝐬 𝐢𝐧 𝐂𝐞𝐧𝐭𝐫𝐚𝐥 𝐒𝐲𝐫𝐢𝐚
U.S. Central Command (CENTCOM) forces conducted dozens of precision airstrikes targeting known ISIS camps and… pic.twitter.com/E7CUPuPehf
— U.S. Central Command (@CENTCOM) December 8, 2024