Lajçak: Nëse do ketë dialog, ai do të vlerësohet nga BE

Jun 21, 2011 | 10:33

Diplomati i lartë i BE-së, Miroslav Lajçak, u bëri thirrje palëve politike në Shqipëri që të gjejnë rrugën e dialogut. Duke folur në Uashington, në konferencën “Perspektiva e vendeve të Ballkanit” në universitetin “John Hopkins”, Lajçak nënvizoi se BE pret të shohë përpjekje nga klasa politike shqiptare. “Ne ofrojmë ndihmën tonë, por duam të shohim përpjekje. Pa dialog do të shohim tension, si ai pas zgjedhjeve lokale. Nëse do të ketë dialog, ai do të vlerësohet nga BE”, ka deklaruar Lajçak. Duke nënvizuar idenë e hedhur dhe nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Jagland, diplomati i lartë i BE-së u sugjeroi palëve që në rast mosmarrëveshjesh t’u drejtohen institucioneve ndërkombëtare, sikurse bëjnë edhe vetë vendet e BE-së. “Nëse liderët partiakë nuk bien dakord, ajo që bëjmë ne është të kërkojmë opinione nga institucione ndërkombëtare si ODIHR ose Komisioni i Venecias”, ka pohuar Lajçak. Ai theksoi se Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të rajonit, duhet të angazhohet sa më parë për implementimin e reformave integruese. “Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe ky është momenti i duhur për të rikuperuar kohën e humbur. Edhe pse zgjerimi s’është në rend dite në BE, Brukseli do të vijojë nxitjen e reformave dhe të shohë progresin e vendeve ballkanase drejt BE-së”, u shpreh Lajçak.

© Panorama.al

Te lidhura