
Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, tha dje se Bashkimi Europian është i angazhuar të ndihmojë Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë takimit që pati në Dubrovnik me Kryeministrin Sali Berisha. “Në Dubrovnik, ku mori pjesë në punimet e Samitit të kryetarëve të qeverive dhe personaliteteve në fushën e vendimmarrjes dhe opinionbërjes me temë “Shtet-ndërtimi dhe eksperienca europiane”, Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, z. Miroslav Lajçak. Zv/kryeministri Lajçak vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin për përmbushjen e të gjitha rekomandimeve dhe e risiguroi Kryeministrin Berisha se Bashkimi Europian është tërësisht i vendosur të vijojë të mbështesë e ndihmojë Shqipërinë në të gjitha përpjekjet për realizimin me sukses të të gjitha reformave të lidhura me procesin e integrimit. Ai i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e Sllovakisë për të mbështetur e ndihmuar Shqipërinë në këtë përpjekje madhore, në çdo kohë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Nga ana e tij, Berisha e njohu zv.kryeministrin Lajçak me ecurinë pozitive të reformës elektorale, nismën jashtëzakonisht të rëndësishme të maxhorancës për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve dhe me arritjet e rëndësishme në përmbushjen e një pjese të rëndësishme të rekomandimeve, si edhe punën intensive e gjithëpërfshirëse për përmbushjen sa më parë të këtij procesi shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.
Presidenca qipriote: Do ju ndihmojmë
“Ne s’kemi asnjë problem me Shqipërinë dhe ne do të punojmë së bashku me autoritetet e vendit. Komisioni Europian është i angazhuar me Shqipërinë, po kështu edhe ne si Presidencë do të bëjmë të njëjtën gjë”, u shpreh dje Andreas Mavroyiannis nga Presidenca e BE-së, ministër për Çështjet Europiane.











