Lacio thyen Milanin, Interit s’i mjaftojnë 4 gola

Feb 2, 2012 | 12:48
Roki pas golit ndaj Milanit

Pas Parma-Juventus që duhet të luhej ditën e martë, janë shtyrë edhe tri ndeshje të tjera të Serisë A. Rëniet e dendura të dëborës gjatë këtyre ditëve kanë detyruar drejtuesit e kampionatit italian që të shtyjnë edhe sfidën mes Bolonjës dhe Fiorentinës, atë mes Sienës dhe Katanias dhe atë mes Atalantës dhe Xhenoas. Të vlefshme për javën e 21 të Serisë A. Ndërkohë, administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, ka kërkuar edhe shtyrjen e takimit mes kuqezinjve dhe Napolit, që do të zhvillohet të dielën në mbrëmje. Vendimi pritet të merret ditët në vazhdim. Përballjet e tjera të Serisë A janë luajtur dhe kanë përfunduar me surpriza. Lacio mposhti Milanin 2-0 në Olimpiko me gola të Hernanesit dhe Rokit. Ndërkohë, një Inter i çmendur nuk mundi të fitonte ndaj Palermos, edhe pse Milito shënoi katër gola. Ndeshja u mbyll në barazim 4-4. Kaljari fundosi Romën duke e mposhtur 4-2, Napoli barazoi 0-0 me Çezenën, ndërsa Udineze mori tri pikë pasi fitoi 2-1 kundër Leçes.

Gjermani/ “Robbery” dhe Breno nuk stërviten
Roben, Riberi dhe Breno kanë munguar në stërvitjen e djeshme, por nëse Hejnkes këta të fundit i ka lënë pushim për shkak të mbingarkesës muskulore, holandezi ka shkuar në maternitet për të pritur fëmijën e tij të tretë. I ati i fantazistit konfirmoi të mërkurën se rinovimi me Bajernin tashmë është vetëm një formalitet dhe se pritet veçse firma. “Pas disa takimeve me klubin, gjithçka është arritur”, – tha Hans Roben për “SportBild”.

Çelsi/ Vilas Boasit i sos durimi për Torresin
Më 1 shkurt, Fernando Torres festoi 1-vjetorin e transferimit në “Stamford Bridge” për 58 milionë euro. Por 5 golat që ka shënuar, e bëjnë atë dështimin e madh të merkatos së bluve. Tani duket se me “El Ninjon” e ka humbur durimin edhe trajneri Andre Vilas Boas. Sulmuesi nuk shënon prej 1074 minutash, nga 19 tetori në Champions me Genkun. Portugezi nuk heziton të paralajmërojë tani që Drogba pritet të rikthehet nga Kupa e Afrikës. “Kemi 2 lojtarë që luajnë për një vend dhe ne e dimë se sa i rëndësishëm është Drogbaja për këtë skuadër, por më parë do vlerësojmë gjendjen e tij fizike pasi të rikthehet”, – tha tekniku 34-vjeçar.

© Panorama.al

Te lidhura