Lacio, Cana në listën e Europa League

Feb 3, 2012 | 12:41
Lorik Cana me nje shok skuadre te Lacio

Lorik Cana do të jetë pjesë e skuadrës së Lacios në ndeshjet e Ligës së Europës. Lajmi është bërë i ditur nga trajneri Edi Reja, i cili publikoi listën e 25 futbollistëve që ai ka regjistruar për këtë kompeticion. Deri pak ditë më parë ekzistonte mundësia që Cana të mos përfshihej në këtë listë, për shkak të dëmtimit që ai ka pësuar para disa javësh. Ai pati probleme në shtyllën kurrizore në ndeshjen e parë të vitit 2012, të vlefshme për Serinë A, humbur 0-4 në fushën e Sienës. Pas analizave të bëra, u konfirmua se lojtari do të mungonte të paktën dy muaj dhe kjo gjë e vuri në pikëpyetje regjistrimin e tij në listën e Lacios për në UEFA. Por këmbëngulja e lojtarit të Kombëtares shqiptare se do t’i kthehej fushës së lojës më shpejt nga çfarë thuhej (mendohet se do jetë i gatshëm në fillim të marsit, ndërsa Liga e Europës nis ndeshjet më 16 shkurt, kur Lacio do presë Atletikon e Madridit), bëri që trajneri Edi Reja të mos hiqte dorë nga ai.  Duhet thënë gjithashtu se Lorik Cana ka qenë i pranishëm në fushë në thuajse të gjitha ndeshjet që Lacio ka zhvilluar në Ligën e Europës gjatë këtij sezoni, duke hequr këtu vetëm ndeshjen e parë Lazio-Rabotniçki, 6-0 dhe Lacio-Vaslui, 2-2.

Disiplina, sot vendimi për Skënderbeu-Flamurtari

Anësori i gjakosur gjatë ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari 4-1

Komisioni i Disiplinës do të mblidhet sot për të dhënë vendimin lidhur me ngjarjen që ndodhi gjatë ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari, e vlefshme për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Në minutën e 75-të të këtij takimi u godit me një send të fortë në kokë arbitri anësor, Ridigert Çokaj, teksa loja u ndërpre 14 minuta. Me shumë mundësi, Disiplina do të dënojë klubin e Skënderbeut, pasi ishte pritës në këtë takim, pavarësisht se sfida me vlonjatët u zhvillua në stadiumin e Pogradecit. Sipas nenit 67, pika C “…në rastin e hedhjes së sendeve ndezëse, hedhjes së fishekzjarrëve, hedhjes së gurëve ose sendeve të tjera brenda rrethimit të fushës së lojës, duke shkaktuar akte të dhunës ndaj zyrtarëve të ndeshjes, sanksionohen me gjobë me një vlerë prej 2 milionë lekësh (të rinj), si dhe me ndalimin e zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin përkatës për jo më pak se 6 ndeshje”, thuhet në këtë nen.

© Panorama.al

Te lidhura