Fitorja 6-1 ndaj Teutës ka ndryshuar atmosferën te Laçi, teksa trajneri Skerdi Bejzade është munduar ta përgatisë në detaje ndeshjen kundër Vllaznisë.
Sot në orën 15:00 kurbinasit shpresojnë që të kenë edhe ndihmën e tifozëve, në mënyrë që prania e tyre të jetë një shtysë më tepër për skuadrën. Në vitet e fundit ndaj Vllaznisë rezultatet kanë qenë pozitive, veçanërisht në Laç, paçka se ka pasur edhe precedentë kur shkodranët kanë bërë mirë si udhëtues, veçanërisht në startin e dy sezoneve më parë, ku fituan thellësisht. E rëndësishme për Bejzaden është se në takimin ndaj Vllaznisë e ka të gjithë grupin në dispozicion.
Alternativat tashmë janë shtuar nga mbrojtja në sulm dhe trajneri do të ketë luksin e përzgjedhjes. Në sfidën me Teutën ai menaxhoi më së miri grupin, pasi pesë lojtarë vinin nga ndeshjet me Kombëtaren U-21 dhe U-19.
Aktivizimi i Mjakit dhe Kurtit që nga minuta e parë kundër Teutës ishte një “bast” i fituar i trajnerit. Mirëpo, nga stoli e nisi Dajko dhe gjasat janë që ky i fundit tashmë të rikthehet titullar ndaj Vllaznisë. Forma e shkëlqyer që po kalon kapiteni Serxho Ujka, por gjithashtu rritja nga ana fizike e sulmuesit kryesor Ronald Sobouejll, janë garanci për sa i përket fazës offensive.
Një paraqitje fantastike kanë bërë në fillim të këtij sezoni edhe mesfushorët Isi Manellari dhe Mario Barjamaj, të cilët janë nga të paktët futbollistë që i rezistuan revolucionit te kurbinasit. Sot bardhezinjtë do të kërkojnë fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe besimi te grupi i lojtarëve është shumë i madh.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al