Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ka ndjekur me kujdes shortin e kualifikimeve për Botërorin Brazil 2014, duke dhënë më pas edhe mendimin e tij lidhur me kundërshtarët e kuqezinjve.
Sipas teknikut kroat, Shqipëria ka mundësi reale që të bëjë më të mirën në këtë kualifikim, pasi grupi në të cilën ajo bën pjesë nuk është totalisht i pakalueshëm. Ai ka folur me superlativa për Norvegjinë, Zvicrën dhe Slloveninë, por duke pohuar se edhe këtyre skuadrave, që konsiderohen si më të forta teorikisht, kuqezinjtë mund t’u marrin pikë jo vetëm në ndeshjet brenda, por edhe në transfertë. Ndeshjet kualifikuese startojnë në javën e parë (7 shtator) të shtatorit 2012 dhe përfundojnë në tetor të 2013-s. Deklarata – “Në konstatimin e parë kur pashë Islandën dhe Qipron nga vazoja gjashtë dhe pesë, mendova se më të fortët e vazove do jenë përballë nesh, sepse realisht të dyja skuadrat janë nga më të fortat nga grupi i skuadrave ku ishin grupuar respektivisht. Por, më pas fillova të ndiej se në rast se ne do të bëjmë një pasqyrë të mirë të rrugës sonë deri më tani dhe asaj që na pret në të ardhmen, kemi mundësi t’ia dalim me sukses. Në skuadër janë disa lojtarë që premtojnë shumë ndaj nuk ka arsye pse të mos pretendojmë”, ka pohuar fillimisht trajneri Kuzhe në një prononcim për uebsajtin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Analiza – Më tej kroati është mundur të bëjë një ekspoze të rivalëve duke i vlerësuar për futbollin që ata kanë shpalosur në vitet e fundit, por gjithsesi, sipas Kuzhesë, skuadra që ai drejton aktualisht ka më shumë gjasa teorike për të bërë më të mirën në këto kualifikime. “Është e vërtetë se Zvicra e Norvegjia janë skuadra që luajnë një futboll të fuqishëm dhe këtë gjë e tregojnë edhe rezultatet e tyre. Futbolli në këto vende është rritur se tepërmi dhe ata kanë pretendime serioze për të shkuar në Brazil në 2014-n. Po kështu, pothuajse në të njëjtin nivel vjen edhe Sllovenia. Por, nga të gjitha këto më sipër, mendoj se në rast se ne do të vlerësojmë gjithçka me vëmendje, profesionalizëm, duke i bërë një analizë çdo kundërshtari dhe duke pretenduar pikë në çdo ndeshje, atëherë them se suksesi ynë do të jetë më afër dhe do jetë i prekshëm nga të gjithë”, ka përfunduar trajneri i kuqezinjve. Duhet thënë se nga 5 kundërshtarët, vetëm ndaj Islandës Shqipëria ka një bilanc pozitiv: 3 ndeshje; 2 fitore, 0 barazime, 1 humbje.
Olsen: Shqipëria? E mundim me histori
Egil Olsen është tejet i kënaqur me shortin e hedhur në Brazil, duke pohuar se Norvegjia e tij ka shanse reale për të qenë lidere e padiskutueshme në grup. “Nuk kishte se si të mendonim se mund të kishte edhe më mirë. Nëse do të analizojë ekipet një e nga një, mund të them se Sllovenia është një skuadër që e njihnim mirë dhe gjykoj se i mundim në të dyja takimet po të luajmë me kujdes. Ndaj Zvicrës kemi pasur rezultate shumë të mira, ndaj nuk ka pse të mos jemi optimistë. Shqipërinë e njoh shumë pak, por gjithsesi historia ka treguar se ne kemi qenë superiorë. Qipro dhe Islanda janë dy skuadra të një niveli, ndaj të cilëve nuk ka shanse që të humbim pikë”, ka pohuar Olsen.
Hitcfeld: Ndaj Shqipërisë, s’ka nënvlerësim
Trajneri i Zvicrës, Otmar Hitcfeld, e ka konsideruar Shqipërinë si një kundërshtare që duhet marrë në konsideratë dhe nuk duhet nënvlerësuar për asnjë moment. “Do nënvizoja se në Shqipëri për shembull, do ta kemi mjaft të vështirë për të marrë pikë. Ata kanë një skuadër që nuk duhet nënvlerësuar për asnjë moment. Duke parë historikun, të gjitha ndeshjet e Zvicrës me Shqipërinë kanë qenë speciale dhe të tilla kam përshtypjen do të jenë edhe në këto kualifikime”, ka pohuar tekniku gjerman i helvetve. Kujtojmë se me Kombëtaren e Zvicrës luajnë pesë lojtarë me origjinë shqiptare: Xhemaili, Shaqiri, Mehmeti, Xhaka dhe Behrami, tre prej të cilëve patën refuzuar më parë fanellën kuqezi.
Kek: Grup i mirë, ne jemi favoritë
Tekniku i Kombëtares së Sllovenisë, Matjazh Kek, ka theksuar faktin se shorti ka qenë mjaft bujar aq sa ai e konsideron Slloveninë si favoriten kryesore për të marrë endnin e parë. Kek llogarit ndeshje të forta me Norvegjinë dhe Zvicrën, duke theksuar se edhe Shqipëria duhet pasur kujdes. “Nuk mund të kërkonim më mirë. Interesant është fakti ndaj këtyre skuadrave, them se Sllovenia ka realisht shanse. Nuk shikoj asnjë favorit ashtu sikundër gjykoj se çdo skuadër mund të hapë probleme. Natyrisht, kur shikoj grupet e tjera, them se kemi qenë disi më me fat, paçka se norvegjezët dhe zviceranët, pa harruar për asnjë çast edhe shqiptarët, mund të na hapin shumë probleme”, ka pohuar Kek.
Niopalis: Rivalja jonë është Shqipëria
Nikos Nioplias, trajner i Kombëtares së Qipros, e shikon “shpëtimin” te Shqipëria dhe Islanda. Sipas tij, këto janë kundërshtarët kryesorë të skuadrës së tij në grup, paçka se ai do të kërkojë që të bëjë më të mirën duke shkuare dhe më tej. “Ky grup nuk ka favoritë. Nga njëra anë është më mirë për ne, paçka se si rival pikë së pari ne shikojmë Shqipërinë dhe Islandën. Nëse marrim pikë të plota ndaj tyre, do të kërkojmë që të bëjmë mirë edhe ndaj Zvicrës, Sllovenisë dhe Norvegjisë. Jam i sigurt, duke parë gjendjen e skuadrave, se grupi do të jetë i ekuilibruar. Kemi një vit kohë në dispozicion për t’u përgatitur, ndaj gjykoj se është i mjaftueshëm për këto kualifikime”, ka pohuar Nioplis.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











