Kuzhe: Gabova me zëvendësimet

Jun 8, 2011 | 11:05

Josip Kuzhe ka pranuar se ka gabuar me zëvendësimin e Bogdanit, por ka thënë gjithashtu se skuadra nuk reagoi si duhet. “Ishte një ndeshje që më zhgënjeu dhe duhet të jemi realistë se tani nuk luftojmë më për asgjë. Ne nuk mund të bëjmë gjë tjetër, veçse të luftojmë për të grumbulluar sa më shumë pikë deri në fund”, ka thënë Kuzhe, në konferencën pas ndeshjes.
Mister, a mund të na thoni pse e ndërruat Bogdanin?
Bogdanin e zëvendësova për të përforcuar mesfushën, sepse doja që t’i bllokoja në pikën e tyre më të fortë, por kjo për fat të keq nuk funksionoi.
A jeni penduar për këtë zgjedhje?
Mbase gabova në këtë pikë, por duhet të më kuptoni se unë bëra më të mirën time.
Si ka mundësi që futët në fushë tre lojtarë të djathtë, si Duro, Lila dhe Muzaka, ndërkohë që hoqët edhe Agollin nga e majta?
Me Lilën shpresova që t’i jepja skuadrës më shumë potencë fizike. Duro u fut për t’i dhënë ndihmë mesfushorëve të tjerë.
Dakord, por pse mbajtët Bakajn në stol që është i majtë dhe në fund futët sërish një të djathtë si Muzaka?
Në fakt isha i dyzuar sa i përket zgjedhjes mes tyre. Nuk isha i vendosur nëse duhej të luante Bakaj apo Muzaka, por kur ata shënuan golin e parë, mendova se Muzaka me shpejtësinë dhe me teknikën e tij mund t’i kapte në befasi.
A mund të themi se nuk kemi më shpresa për një kualifikim të mundshëm?
Po, mendoj se është kështu dhe ne duhet ta pranojmë realitetin. Tani qëllimi ynë është që të grumbullojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur deri në fund. Vetëm kaq mund të bëjmë.
Ne sërish do të kemi një rol të rëndësishëm në grup, ju do të donit t’i bënit një nder Bosnjës duke ndalur Rumaninë në ndeshjen e fundit?
Ne nuk kemi bërë ndonjëherë plane për të ndihmuar të tjerët apo për të penguar të tjerët. Ne shikojmë punën tonë dhe duhet të vazhdojmë me këtë ecuri. Shqipërisë i duhen sa më shumë pikë të jetë e mundur deri në fund të edicionit dhe ne do të luftojmë shumë që të marrim sa më tepër në ndeshjet e mbetura.

 

Nga Bosnja, Leonard Karaj

© Panorama.al

Te lidhura