Kuzhe: Bosnja do jetë e lodhur, ndaj do guxojmë

Jun 1, 2011 | 11:42
Nga ndeshja e parë me Bosnjën

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, mendon se Shqipëria është e avantazhuar kundër Bosnjës, edhe pse luajmë në transfertë.Kroati 57-vjeçar është i bindur se boshnjakët do të humbasin shumë energji kundër Rumanisë, të premten më 3 qershor dhe, për këtë arsye, do të jenë më pak të freskët se kuqezinjtë e tij. “Bosnja do të vijë e lodhur të martën dhe kjo nuk ka dyshim. Nuk mund ta fsheh se ky fakt është një avantazh për ne. Rumania është një kundërshtar që të lodh shumë dhe unë e di mirë se boshnjakët nuk do të luajnë për barazim, por për fitore. E gjithë kjo është në avantazhin tonë, por ama nuk duhet që t’i varim shpresat vetëm në këtë faktor”, ka thënë trajneri Kuzhe për “Top Channel”.
Shqetësimi
Ndeshja kundër Bosnjës do të luhet në një stadium tejet të nxehtë, si ai i Zenicës. Atmosfera që krijohet aty është vërtet elektrizuese dhe Josip Kuzhe nuk e nënvlerëson një fakt të tillë. “Unë nuk i kam frikë boshnjakët. Kam respekt për ta, por jo frikë. Ne kemi kapacitetin e duhur për të bërë një ndeshje të mirë, pse jo të marrim edhe një rezultat të mirë. I respektojmë se janë një skuadër e fortë dhe me cilësi të mira, por më shumë se sa forma e tyre, mua më shqetëson stadiumi. Në Zenica, situata është ndezur që tani dhe të mos harrojmë se ai është një nga stadiumet më të zjarrta në Bosnjë-Hercegovinë. Gjithsesi, ne kemi futbollistë profesionistë, të cilët do të dinë të përballojnë presionin që krijohet në kësi rastesh”, ka thënë Kuzhe pak ditë më parë.
Skema
Trajneri Josip Kuzhe ka ndërmend të marrë vetëm 18 lojtarë në Bosnjë, ndërsa 5 të tjerë do të mbeten në Shqipëri. Tekniku, dy javë më parë përmendi “skemën me 1 sulmues të vetëm”, kur u pyet me Kapllanin dhe nuk përjashtohet mundësia që në sfidën e radhës të përdorë një formacion të “kujdesshëm”. Megjithatë, kjo mbetet për t’u parë, pasi gjatë këtyre ditëve trajneri mund të ndryshojë disa herë mendje.

Minutazhi i kuqezinjve

Nga lista e 23 lojtarëve të thirrur për ndeshjen me Bosnjën, vetëm 7 prej tyre kanë qenë të pranishëm në të pesë takimet e zhvilluara deri tani në Euro 2012. Lila, Agolli, Bulku, Skela, Duro, Muzaka, si dhe sulmuesi Hamdi Salihi janë aktivizuar në ndeshjet kundër Rumanisë, Luksemburgut, Bjellorusisë (2 herë) dhe Bosnjës. Lojtari me më shumë minuta është Agolli, me 450 minuta. Bulku ka luajtur 419 minuta; Salihi 388 minuta; Skela 375 minuta; Lila 361 minuta, Duro 360 , Muzaka 186 minuta. Lojtari më pak i aktivizuar është Kapllani, 9 minuta, në humbjen me Bjellorusinë (2-0), e më pas vjen Hyka me 15 minuta (në dy ndeshje).

Dreko: Penalizohemi me Shqipërinë

Sulmuesi më i rëndësishëm i skuadrës boshnjake, Edin Dzeko, ka kërkuar kujdes të madh nga kolegët e tij të skuadrës në ndeshjen ndaj Rumanisë. Arsyeja: shtatë lojtarë të Bosnjës kanë nga një karton dhe në rast se ndëshkohen në ndeshjen e 3 qershorit në Bukuresht, nuk do të luajnë ndaj Shqipërisë 4 ditë më vonë. Kështu, Pjaniç, Ibriçiç, Spahiç, Mrvac, Luliç, Rahimiç dhe Ibiseviç rrezikojnë të mos luajnë ndaj kuqezinjve. “Kemi një ndeshje të vështirë ndaj Rumanisë, ku natyrisht do të kërkojmë të fitojmë, por përveç kësaj, duhet të bëjmë shumë kujdes, pasi shtatë lojtarë nga tanët kanë marrë kartonë dhe rrezikojnë të mos luajnë ndaj Shqipërisë. Kjo do të përbënte një problem për ne, ndaj, duhet të tregohemi të kujdesshëm”, ka pohuar Dzeko.

 

Jetmir Halilaj

© Panorama.al

Te lidhura