Kuzhe “djeg” talentet, asnjë të ri në miqësore

Aug 6, 2011 | 12:46

Në miqësoren kundër Malit të Zi më 10 gusht nuk do të ketë asnjë futbollist të ri. Trajneri i Kombëtares shqiptare, pas shumë vonesash ka publikuar dje listën e futbollistëve, por aty nuk spikat asnjë emër talenti. Nuk mungojnë “veteranët” Lala, Duro Beqaj dhe Bogdani dhe mungesa që bie më shumë në sy është ajo e fantazistit Ervin Skela. Ky i fundit për shkak të disa impenjimeve familjare nuk ka kryer fare stërvitje gjatë kësaj kohe dhe nuk është në formë.

ZHGËNJIMI

Josip Kuzhe ua ka përplasur sërish derën në fytyrë lojtarëve me të ardhme, duke mos u dhënë asnjë shans atyre as për një ndeshje miqësore, siç është ajo me Malin e Zi, që do të luhet më 10 gusht në “Loro Boriçi” në orën 20:00. Talente si Roshi, Veliu, Çani apo Januzi, nuk kanë marrë asnjë ftesë. Nga ana tjetër, trajneri kroat i përfaqësueses shqiptare konfirmoi se e ka të vështirë të heqë dorë nga veteranët dhe në ndeshjet në vazhdim do të luftojë vetëm për të marrë rezultate pozitive, me qëllim që t’i bindë krerët e Federatës që t’i rinovojnë kontratën muajt e ardhshëm.

DEVIJIMI

Pas humbjes me Bosnjën, trajneri i Kombëtares pati deklaruar se do të ndryshonte strategjia e përfaqësueses, por në të vetmen ndeshje ku ai ka mundësitë që të bëjë eksperimente, vendosë të marrë të gjithë “veteranët” duke mos hequr dorë nga ata. Në krahun e djathtë i është dhënë sërish shansi Klodian Duros, prej kohësh në kërkim të një skuadre, pasi u largua nga LASK Linzi. Në mesfushë nuk mungon as kapiteni Altin Lala, një element shumë i rëndësishëm i Kombëtares, por që i ka treguar Kuzhes se sa vlen dhe në një ndeshje si kjo mund edhe të ishte “kursyer”. Në sulm nuk mungon Erjon Bogdani, pika e referimit për skuadrën kuqezi, pa të cilin Kuzhe ka treguar se e ka të vështirë të marrë atë që do. E, megjithatë, Kuzhe as që e ka idenë se kush mund ta zëvendësojë shtatlartin kuqezi, në rast se ky i fundit mund të mungojë. Ahmed Januzi shënoi 3 gola pak javë më parë në Ligën e Europës dhe mbetet nën hije, ashtu sikundër edhe Edgar Çani që është injoruar krejtësisht nga kroati dhe stafi i tij.

BAKAJ & CO

Lajmi i mirë është vetëm se lojtarë si Bakaj, Vila apo Hyka mund të kenë më shumë hapësira. Prej kohësh, fantazisti i Dinamos së Bukureshtit është lënë mënjanë nga trajneri. Një shans i mirë pritet të jetë ky edhe për kapllanin, një sulmues me potencë, i cili për shkak të ndryshimit të skemës, por edhe për probleme fizike apo mosaktivizimeve në Gjermani, e humbi vendin e titullarit në ekip. Durrsaku është kandidati numër 1 për të zëvendësuar Bogdanin, edhe pse kanë karakteristika të ndryshme.

© Panorama.al

Te lidhura